Cardinale në Durrës merr “Çmimin e Argjendtë”

Aug 31, 2011 | 11:28
SHPËRNDAJE
Claudia Cardinale, dje në Durrës

Dikur Fellini e quante atë simbolin e bukurisë femërore. Të ishte e bukur, do të thoshte t’i ngjaje qoftë edhe sadopak Claudia Cardinales. Sot ajo është 72 vjeç, sigurisht nuk e ka më atë sharmin e dikurshëm, trupin e derdhur, flokët e gjatë të dendur e sy të mëdhenj, që dukej sikur do të përpinin. Koha është e pamëshirshme edhe ndaj një bukurie si ajo e aktores italiane. Megjithatë ajo vazhdon të jetë e hijshme. E veshur me të zeza ajo mbërriti në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku në një ceremoni të shkurtër, kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako, i dorëzoi aktores “Çmimin e Argjendtë” me motivacionin: “Çmimi i Argjendtë i jepet Claudia Cardinales, figurës ikonë të aktrimit italian”. Me një buzëqeshje rrezëllitëse, aktorja u shpreh shumë e ngazëllyer për këtë çmim, edhe pse në një qytet të vogël si Durrësi. Aktorja numëron shumë syresh në karrierën e saj, megjithatë duket se ky çmim i ka tingëlluar i veçantë aktores, aq më tepër kur ka mësuar historinë se si shqiptarët e ndiqnin fshehurazi përmes ekraneve italiane, gjatë viteve të diktaturës. “Jam me fat që jam këtu dhe më bën çudi fakti që kam kaq shumë fansa në Shqipëri. Nuk e dija që isha kaq e njohur këtu”, u shpreh ajo. Sot, aktorja do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe do të flasë më shumë për veten dhe karrierën e saj. Gjithashtu do të hedhë firmën në “Bulevardin e Artit” përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”. Cardinale ka lindur në vitin 1939m në Tunis, Tunizi, nga prindër sicilianë. Planet e saj për t’u bërë mësuese “u hodhën në erë”, kur në vitin 1957 ajo shpallet “Vajza më e bukur italiane” në Tunizi. Çmimi ishte një udhëtim në Venecia, ku nuk u shpëtoi syve të menaxherëve italianë të filmit. Karriera e saj u rrit shpejt. Qysh në fillimet e saj, kryemjeshtrit e kinemasë italiane, si: Luchino Visconti, Federico Fellini, i besuan kryerole, të cilat i interpretoi në krah të aktorëve të mëdhenj të kohës, si Marcello Mastroianni, që do të ishte një nga partnerët e saj më të shpeshtë apo Burt Lancaster e Alain Delon. Për Fellinin ajo ishte përfaqësuesja e bukurisë femërore dhe simboli i gruas ideale. Ndonëse jo shumë e gjatë, jehona e saj u përçua edhe në Hollywood.                   l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura