Cana drejt largimit, babai i vë kushte Lacios

May 31, 2014 | 13:19
SHPËRNDAJE

Lorik Cana është drejt largimit nga Lacio. Këtë e paralajmëroi dje për mediat italiane Agim Cana, babai dhe njëkohësisht menaxheri zyrtar i lojtarit. Kapiteni i Shqipërisë kërkon garanci për aktivizimin e tij te bardhekaltrit. “Loriku duhet të luajë, ndryshe do të shikojë për diçka tjetër në të ardhmen e tij”, – është shprehur babai i mbrojtësit, duke paralajmëruar klubin lacial se situata me Canën duhet të qartësohet. “Ne presim dhe shpresojmë se çdo gjë do të ndryshojë. Loriku ka nevojë për të luajtur. Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur me trajnerin Reja, por ky nuk është një problem për ne. Ne jemi të detyruar për të ndryshuar gjendjen e Lorikut. I jemi mirënjohës klubit të Lacios, por për të ardhmen nuk mund të them asgjë. E kam thënë edhe më parë se nuk kemi dëshirë të largohemi nga Lacio. Unë nuk kam pasur asnjë kontakt me klube të tjera. Gjithsesi, jemi në pritje dhe do të shikojmë se çfarë do të bëhet”, – është shprehur babai i Canës për “calciomercato.com”. Ndërkohë, dje mediat italiane bënin të ditur se kapiteni kuqezi ka “sirena” nga klube gjermane. Sipas tyre, për Canën interesohen skuadra si Shtutgarti, Shalke 04 dhe Volfsburgu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura