Bushati: BB nuk do ta financojë Radikën

Jan 31, 2014 | 12:49
SHPËRNDAJE

Ministri i Jashtëm, Bushati
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi dje në Parlament se Banka Botërore ka konfirmuar se nuk do ta mbështesë një projekt që nuk ka pëlqimin e shteteve. Duke folur në interpelancën për çështjen e lumit Radika, të kërkuar nga disa deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi edhe një herë se nuk ka një marrëveshje mes Tiranës dhe Shkupit, por vetëm një projekt-ide. “Banka Botërore thotë se nuk financohet një projekt nëse nuk ka pëlqim nga palët që preken nga rrjedha e lumenjve. Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë nuk ka. Kjo është e deklaruar në të gjitha drejtimet. Kjo nuk është ende çështje ndërshtetërore, ne duhet të tregojmë dinjitet. Banka Botërore jo më larg se sot ka deklaruar që nuk është e gatshme të financojë një projekt që s’ka pëlqueshmërinë e shtetit”, tha Bushati. Ai kërkoi që të ndalen spekulimet për çështjen e lumit të Radikës, duke i kërkuar ish-kryeministrit Berisha të publikojë marrëveshjen mes dy qeverive, për të cilën ai ka folur. “Është shumë e qartë që sot flasim për një gjë që ende nuk ekziston, për sa kohë që kjo gjë verifikohet lehtësisht nga Banka Botërore, nga qeveria e Maqedonisë dhe qeveria e Shqipërisë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, është normale të kërkosh transparencë për çdo projekt-ide. E keqja fillon me spekulimet kur projekt-ideja deklarohet si pakt i kryer, madje siç tha edhe Berisha, si një marrëveshje e fshehtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Unë e sfidoj publikisht dhe i them nxirre këtë marrëveshje të fshehtë”, tha më tej Bushati.

Spahiu: Tani diplomaci e vështirë për qeverinë
Duke folur në seancën e djeshme, deputeti Përparim Spahiu, i cili kërkoi edhe interpelancën, tha se tani është fillimi i një procesi të vështirë për diplomacinë e vendit tonë. “Premtimi i përgjegjshëm i qeverisë sonë, por edhe pranimi nga autoritetet maqedonase se asnjë projekt nuk do të realizohet në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe pa marrëveshje mes shteteve të prekura, është jo fundi, por fillimi i një procesi tepër të vështirë për diplomacinë dhe shtetin shqiptar në përgjithësi”, deklaroi Spahiu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura