Burgjet: Kapëm 919 celularë brenda qelive

Jan 31, 2013 | 12:48
SHPËRNDAJE
Drejtoria e pergjithshme e burgjeve

Tirane – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka bërë dje analizën e punës për vitin 2012. Në aktivitetin që është mbajtur pa praninë e medias, është thënë se ky sektor ka realizuar zbatimin e strukturës organike dhe skemën e sigurisë në burgje duke arritur që gjatë vitit të mos ketë asnjë rast të arratisjeve nga institucionet e vuajtjes së dënimit. Policia e Burgjeve tha se janë minimizuar rastet e tentativave për arratisje, nga 8 raste në 2011-n, në 2 raste në 2012-n. Po kështu, në lidhje me parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara, zyra për median nga burgjet tha se është intensifikuar puna për parandalimin e sendeve të paligjshme. Sipas burimeve zyrtare, për periudhën janar-dhjetor 2012, janë kryer 4427 kontrolle për sende të ndaluara në të gjitha IEVP, ku si rezultat janë bllokuar 919 celularë dhe 750 sende dhe materiale të tjera, të cilat ndalohen të futen në IEVP. Drejtoria e Burgjeve bëri me dije se sipërfaqja e survejimit të territorit të burgjeve me kamera ka pësuar një rritje të lehtë prej 2% krahasuar me vitin 2011, pra nga 78% ka shkuar në 80% në vitin 2012. Gjatë vitit është realizuar shërbimi për sistemin e kamerave në të gjitha IEVP. Në paraburgimin e Vlorës është instaluar një sistem i ri prej 42 kamerash. Sisteme kamerizimi janë instaluar në IEVP Sarandë, Kukës, Tropojë. Është ndjekur kontrata për paraburgimin e Elbasanit, ku është ndryshuar projekti i sistemit të kamerizimit dhe është përshtatur me kërkesat aktuale që kanë institucionet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura