“Burg pa afat” autorit të vrasjes në autobus

Feb 28, 2013 | 12:28
SHPËRNDAJE
Artur Zeqiri në gjyq

TIRANE – Artur Zeqiri, i akuzuari për vrasjen e 22-vjeçarit Sajmir Çedja mbrëmjen e së shtunës në autobusin e linjës “Qendër-Uzina e Autotraktorëve”, tha dje në sallën e gjyqit se sherri në urban ishte nisur nga viktima. Pretendimi nuk u vlerësua aspak justifikues nga gjyqtarja e gatshme Blerina Muça, e cila caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Masa e sigurisë ndaj Zeqirit u caktua paraditen e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Në vendimin e saj, kryesuesja e seancës pranoi kërkesën e Prokurorisë për vlerësimin e ligjshëm të “arrestit në flagrancë” të Zeqirit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Në sallën e gjyqit, i dyshuari nuk e mohoi krimin, por ai tha se shkaktari i zënkës kishte qenë viktima. “Unë isha në autobus bashkë me një shokun tim. Nuk kishim asnjë debat dhe unë atë djalin nuk e njihja fare. Kishim ndaluar në një stacion dhe autobusi nuk po ecte. Para meje, ai djali që kisha afër, i foli shoferit duke i thënë ‘ec o shofer’. Autobusi nuk lëvizi. Pas pak minutash unë i fola shoferit në të njëjtën mënyrë, duke i thënë që të ecte. Ai djali m’u kthye e më tha: ‘Pse bërtet? Mos më bërtit mua te veshi’. Unë i thashë që nuk po bërtas, por që i kërkova shoferit të ecte. Ai më tha ‘mos më çaj kokën’. Pastaj u grindëm dhe fillimisht ai më qëlloi me grusht”. Në këtë moment, gjyqtarja e ndërpreu fjalën e të dyshuarit, duke i thënë që ky fakt nuk justifikonte veprimin ekstrem të kryer prej tij, atë të vrasjes. Më pas, i akuzuari Zeqiri shtrëngoi fort ballin me pëllëmbë kur kryesuesja e seancës u shpreh se vepra penale për të cilën ai akuzohej parashikonte dënim nga dhjetë deri në njëzet vite heqje lirie. I akuzuari Artur Zeqiri u arrestua në Fier një ditë pas ngjarjes. Sipas avokatit të tij, ai ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe ka shfaqur pendesë.             ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura