Bulqizë, tritol makinës së 24-vjeçarit pas divorcit

Apr 30, 2014 | 14:07
SHPËRNDAJE

Makina pas shpërthimit
BULQIZE – Një shpërthim i fuqishëm tritoli ka ngjallur frikë e panik te qytetarët e Bulqizës. Në të gdhirë ata kanë mësuar se shënjestër e atentatorëve ka qenë mjeti i 24-vjeçarit Ardian Duriçi, banor i lagjes “Gjeologu”. Shumë shpejt në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e Komisariatit të Bulqizës dhe ekspertë për të zbardhur ngjarjen e rëndë. Burime policore sqaruan se shpërthimi me eksploziv ndodhi rreth orës 04:20 të ditës së djeshme, duke shkaktuar dëme të shumta materiale jo vetëm në makinë, por edhe në ndërtesën ku jetonte familja e të riut, si dhe në banesat pranë objektit të sulmit me lëndë plasëse. “Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar në njerëz, pasi makina tip ‘Benz’ me targë AA 410 BG ka qenë e parkuar në oborrin e familjes Duriçi, disa metra larg shtëpisë së banimit. Dyshohet që lënda eksplozive të jetë vendosur në pjesën e përparme, afër motorit”, saktësuan efektivë të policisë lokale. Menjëherë është marrë në pyetje Ardian Duriçi, të afërmit e tij, si dhe qytetarë në afërsi të shtëpisë së Duriçit, për të dhënë më shumë informacione rreth shkaqeve dhe autorëve të këtij sulmi me tritol. Fillimisht i riu ka deklaruar se nuk ka pasur probleme me fqinjët apo persona të tjerë, por rreth mesditës dëshmitarët kanë pohuar për policinë e Bulqizës se 24-vjeçari ishte ndarë muaj më parë nga bashkëshortja. “Shpërthimi e ka çuar policinë drejt dy pistave të hetimit, asaj të një grindjeje të hershme, por edhe dyshimeve të një konflikti me të afërmit e ish-bashkëshortes së Duriçit”, tha një zyrtar i Policisë. Pas këtyre informacioneve policia ka shoqëruar dy shtetas, të afërm të ish- bashkëshortes së Duriçit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Njëri nga të afërmit e Ardian Duriçit është shprehur për grupin hetimor se ditë më parë familjarët e ish-gruas së Ardianit i kishin kërkuar atij t’ua jepte makinën, pasi ata ia kishin blerë të riut. “Familjarët e ish- gruas së Ardianit ia dhanë dhuratë makinën atij, ndërkohë pas ndarjes ia kërkuan t’ua kthente”, ka pohuar dëshmitari. Aktualisht mendohet se shpërthimi ka lidhje me një konflikt divorci, por hetimet nga ana e policisë vazhdojnë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura