Bulqizë, mbyllet pas tre muajsh protesta e minatorëve

Sep 30, 2011 | 12:02
SHPËRNDAJE
Minatorët pas daljes nga greva e parë e urisë

Nënshkruhet marrëveshja mes minatorëve dhe ACR-së, tre muaj pas ndërprerjes së punës në minierë. Dje pasdite, marrëveshja e publikuar në media është nënshkruar nga presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci dhe pronarët e ACR-së, Rodolf e Rotrak Depisch. Koleci nuk tha vendin se ku është nënshkruar marrëveshja, por deklaroi se ai ka nënshkruar marrëveshjen, pasi ka rënë dakord më parë me këshillin sindikal dhe komisionin e grevës së urisë.
Pikat e marrëveshjes
“Para sesa të nënshkruaja marrëveshjen unë jam konsultuar me drejtuesit e sindikatës së minatorëve. Edhe ata janë dakord që ta ndalin grevën e urisë dhe protestat. Shumica e kërkesave janë plotësuar, dhe ky është një sukses për minatorët. Paga do të rritet 20 për qind. Premtohet kryerja e investimeve të thellësisë, transparenca e tyre, përmirësimi i kushteve të punës. Ndërkohë, mbetet pa u realizuar kërkesa për largimin e drejtorit të minierës, Medat Zogut dhe paga e muajit të tretë”, tha Koleci për “Panorama”. Kompania ACR njoftoi se do të paguhen 22 ditë pune dhe paga e 13-të. Ndërkohë, Koleci argumenton se 22 ditë pune dhe paga e 13-të janë të barabarta me pagat e dy muajve, ndërsa paga e muajit të tretë të grevës do të negociohet dhe do të realizohet në një kohë të afërt. Sipas tij, janë dhënë të gjitha garancitë për zgjidhjen e kësaj kërkese. Ai “ngroh” minatorët kur thotë se administratori i minierës, Medat Zogu, do të jetë në provë nga firma e huaj për tre muaj. I pyetur nëse minatorët, që do të nisin punën në minierë, mund të nisin një tjetër grevë urie në thellësitë e nëntokës, Koleci tha se kjo nuk ka për të ndodhur, pasi vetë minatorët janë gati t’i rikthehen punës pas plotësimit të shumicës së kërkesave të tyre ekonomike.
“Thyhet” greva e minatorëve
Nënshkrimi i marrëveshjes së sindikalistëve me ACR është komentuar në qytetin e Bulqizës që dje paradite. Kjo sepse një numër minatorësh nuk iu bindën këshilli sindikal dhe komisionit të grevës, por filluan punën në galeri. Megjithëse të dhënat për numrin e minatorëve që filluan punën ishin kontradiktore, si ACR dhe minatorët thanë se disa minatorë kishin filluar punën, madje kanë nxjerrë krom nga nëntoka. ACR deklaroi se kishin filluar punën 60-80 minatorë, në sektorin e prodhimit, përveç afro 100 specialistëve të mirëmbajtjes. Faktin e pranuan edhe drejtuesit e sindikatës, por thanë se numri i minatorëve grevëthyes ishte më pak se 20.
Minatorët lënë grevën e urisë
Është menduar nga këshilli sindikal dhe ACR që sot, në orën 09:00, në mjediset e ACR-së, Bulqizë të nënshkruhet kontrata individuale e punës nga të gjithë minatorët. “Kemi rënë dakord që sot të ndalim grevën e urisë dhe protestat në mjedise publike”, theksoi Taf Koleci, i autorizuari nga minatorët për nënshkrimin e marrëveshjes me pronarët e kompanisë austriake. Sipas tij, dalja e minatorëve nga greva e urisë dhe zgjidhja e kërkesave të minatorëve do të shoqërohet nga një tubim në mjediset e minierës. Nga nënshkrimi i marrëveshjes minatorët përfitojnë rritjen e pagës me 20 për qind, 22 ditë pune e rrogën e 13-të, së bashku me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, kryerjen e investimeve të thellësisë, përmirësimin e kushteve të punës, transparencën e investimeve, etj. Ndërkaq, nuk realizohet pika e kërkesës për largimin e drejtorit të minierës dhe paga e muajit të tretë. Minatorët patën deklaruar se pagën e muajit të 13-të nuk do ta pranonin si shpërblim për muajt e grevës.

Protesta 88 ditore e minatorëve
Greva e minatorëve të Bulqizës nisi me 4 korrik të këtij viti dhe pritet të përfundojë sot, 88 ditë pas nisjes së saj. Janë zhvilluar dy greva urie dhe dhjetëra protesta në mjedise publike në Tiranë e Bulqizë. Ndërkohë, dje është mbyllur gjithçka mes palëve. Minatorët ishin betuar se nuk do të lëshonin deri në zgjidhjen e të gjitha pikave të marrëveshjes, ndërkohë ACR deklaroi prej javësh se nuk do ta largonte drejtorin e minierës.

700 minatore
paralizuan procesin e punës në minierën e Bulqizës prej korrikut të këtij viti, deri ditën e sotme, duke kërkuar realizimin e objektivave të tyre

Pikat e marrëveshjes
1 – Ndërprerja e grevës së urisë dhe protestave
2 – Pagesa e 22 ditëve të grevës dhe pagës së 13-të
3 – Drejtori i minierës do të mbajë detyrën. Minatorët e kanë lënë të hapur këtë pikë për 3 muajt e ardhshëm
4 – Rritje e pagës së minatorëve me 20 për qind
5 – Kryerja e investimeve të thellësisë në minierë dhe  transparenca për to
6 – Përmirësimi i kushteve të punës

BULQIZE/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura