BSH ul në 3.75% normën e interesit për lekun

Jan 31, 2013 | 12:24
SHPËRNDAJE
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani

Situata ekonomike në vend ka detyruar Bankën e Shqipërisë që të tentojë edhe një herë që përmes politikës monetare të mundohet të sjellë ndonjë ndryshim. Pas mbledhjes së ditës së djeshme, Këshilli i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë vendosi që norma e interesit të lekut të ulet me 0.25 pikë përqindje, duke shënuar kështu një rekord tjetër historik për lekun. Norma e tij në vijim do të jetë 3.75 për qind.
Guvernatori
Në daljen e tij publike para mediave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kjo vendimmarrje ka si synim që të nxitë kreditimin e ekonomisë nga njëra anë dhe të nxitë konsumin në vend nga ana tjetër. Sipas kreut të BSH, ulja e normës së interesit të lekut në 3.75 për qind mendohet se do të ketë efekte direkte në ekonomi. “Ky vendim synon të krijojë kushte të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit të inflacionit në afat të mesëm. Lehtësimi i kushteve monetare ruan në nivele të ulëta normat afatshkurtra të interesit të tregjeve financiare, duke nxitur aktivitetin dhe duke ulur primet e tregtimit të likuiditetit në to. Nëpërmjet reduktimit të kostove të financimit, Banka e Shqipërisë synon rritjen e kredisë të konsumit dhe të investimeve në ekonomi”, tha Fullani.
Efektet
Por cilat janë pritshmërinë reale, kur norma e interesit të monedhës vendëse ulet? E para kemi një ulje të interesit të depozitave. Kjo dekurajon qytetarët që të kursejnë duke parë si variant investimet, të cilat automatikisht janë pjesë e kërkesës së brendshme. Nëse ulja transmetohet te kredia, atëherë kemi interesa më të favorshme për kredi. Biznesi përfiton kredi me interesa më të leverdishme. Efekti i tretë, ndonëse nuk ka të bëjë me qytetarët e biznesin, lidhet me efektin në borxhin e qeverisë. Politika monetare lehtësuese deri tani efektin e saj e ka dhënë te borxhi që merr qeveria në bono, pasi interesi i tyre përgjatë vitit 2012 ra dukshëm dhe një ulje tjetër e normës së interesit të lekut mund të ndihmojë edhe më tej qeverinë.

Uljet në vitin 2012
Banka e Shqipërisë në tre muajt e fundit të vitit 2012 u shpreh se politika monetare nuk kishte dhënë efektet e pritshme në ekonomi. Gjatë vitit 2012, banka e uli disa herë normën e interesit të lekut, duke e lënë atë në 4 për qind, por sërish kreditimi nuk pati ndonjë “boom”, madje as ndonjë lehtësim domethënës në interesa. Gjithsesi, bizneset kërkuan sërish rishikim të normës së interesit të lekut dhe duket se Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e parë të Këshillit të Mbikëqyrjes për këtë vit, ka gjykuar se janë kushtet e përshtatshme për një tjetër ulje, por se sa efekt do të ketë ajo në ekonomi, mbetet për t’u parë.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura