“Norma e interesit s’ndryshon. Rritje ekonomike”

Feb 29, 2012 | 14:29
SHPËRNDAJE

TIRANË- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani ka njoftuar sot vendimin e Këshillit Mbikqyrës për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit, ndërkohë që referuar statistikave të INSTAT ka pranuar se ekonomia ka shënuar rritje  gjatë tremujorit të fundit.

Në një konferencë për shtyp, Fullani ka prezantuar të dhënat më të fundit të raportit të politikës monetare, miratuar në mbledhjen e Këshillit Mbikqyrës të Bankës.

“Këshilli Mbikqyrës vendos të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 4.5%. Në gjykimin e Këshillit Mbikqyrës kushtet janë të përshtatshme për të përmbushur objektivin e inflacionit duke ofruar stimul monetar për mbështetjen e aktivitetit ekonomik në vend”- tha ai.

Sipas Fullanit, inflacioni në janar shënoi shifrën e 1.4%, duke shënuar reduktim të lehtë me 0.1% krahasuar me muajin paraardhës dhe duke u konstatuar kështu një normë në rënie.

“Sipas INSTAT ritmet e rritjes së ekonomisë u përmirësuan. Nga ana e prodhimit kjo u mbështet nga industria dhe sektorët e shërbimit. Rritja ekonomike nxitet nga kërkesat e huaja, ndërkohë që kërkesa e brendshme mbetet e ngadaltë”- tha Fullani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura