BSH: Individët po kursejnë, u rritën depozitat

Aug 31, 2011 | 11:39
SHPËRNDAJE

Përkundër thirrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë për të rritur konsumin në vend, individët preferojnë që të kursejnë. Këtë të fundit e tregon rritja e depozitave në banka, ndërkohë që një tjetër tregues është fakti që këto depozita janë me afat më të gjatë. Pasiguria që kanë individët për shpenzime kanë ulur ndjeshëm konsumin dhe reflektimi i kësaj është dhënë direkt në llogaritë bankare. “Konsumatori shqiptar vazhdon të ketë një sjellje të kujdesshme në kryerjen e shpenzimeve, duke shfaqur prej disa tremujorësh një preferencë të shtuar drejt kursimit. Në mënyrë të natyrshme kjo sjellje përbën një korrektim strukturor të modelit të konsumit të shfaqur gjatë viteve të shkuara, por ecuria e ngadaltë e shpenzimeve konsumatore reflekton njëkohësisht edhe pasigurinë e shtuar për të ardhmen”, thuhet në raportin e BSH-së. Në shifra, depozitat në total u rritën me 15.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajt prill e maj depozitat u rritën me 12.7 miliardë lekë. Të ndara në lekë valutë, depozitat në lekë u rritën me 7.5 miliardë lekë, kurse ato në valutë me 5.1 miliardë lekë. “Vihet re një tendencë drejt depozitave me afat më të gjatë. Depozita pa afat/depozita me afat në 24.2% në maj 2011 (24.8% në mars 2011)”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura