Brukseli nderon Bajraktarin, i biri: Vuajta 45 vjet internim

Apr 30, 2014 | 14:24
SHPËRNDAJE

Muharrem Bajraktari
“Në Plenumin e Beratit 1944, Enveri deklaroi:  Muharrem Bajraktarin e goditëm pas krahëve”

Në një kohë kur historia shqiptare vuan ende ideologjizmin e 50 viteve diktaturë, e sëmurë nga njëanshmëria dhe politizimi, vetë shqiptarët zgjedhin të nderojnë heronjtë e tyre.
Kështu ka ndodhur vetëm pak ditë më parë mes komunitetit shqiptar të Brukselit, të cilët kanë kujtuar në 25-vjetorin e vdekjes nacionalistin, antifashistin dhe antikomunistin, Muharrem Bajraktari. Një numër i madh shqiptarësh i brezave të ndryshëm, të vendosur në Belgjikë, por më së shumti ata të ikur në vitet ’50, kryen homazhe pranë varrit të kolonelit dhe më pas një ceremoni zyrtare në ambientet e komunës së Skarbekut, Bruksel. Me kërkesën e kryetarit të Partisë së Legalitetit, Sulejman Gjanaj, dekanit të Universitetit të Lirë Ndërkombëtar në Bruksel, Ramadan Gjanaj dhe këshilltarit pranë komunës së Skarbekut, kandidat për deputet në Parlamentin belg në zgjedhjet e 25 majit, Burim Demiri, komuna e Skarbekut jo vetëm që pranoi organizimin e kësaj ceremonie në ambientet e ndërtesës historike komunale, por kolegji dhe këshilli i komunës miratuan edhe vendosjen e një pllake përkujtimore për nder të Bajraktarit. Një pllakë që shumë shpejt pritet të vendoset pranë shtatores së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, i cili gjendet po ashtu në komunën e Skarbekut, ku jeton një komunitet i madh shqiptarësh. Sipas kryetarit të PLL, Gjanaj: “Rëndësia e nderimit zyrtar të figurës së një nacionalisti-antikomunist nga autoritetet belge në Skarbek të Brukselit shtohet sidomos kur mendojmë se këtë vit në Shqipëri po përgatitet kremtimi i 70-vjetorit të të ashtuquajturit “çlirim i vendit”, ku me dinakëri synohet rehabilitimi i diktatorëve dhe kriminelëve komunistë me Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun në krye”.

Gjatë homazheve te varri i Muharrem Bajraktarit në Bruksel
Kryetari i komunës Bernard Clerfayt, u shpreh se për Skarbekun është nder të vlerësojë figurën e kolonel Muharrem Bajraktarit, si një luftëtar ndaj të gjitha diktaturave, asaj fashiste, e komuniste, një luftëtar për të drejtat e kombit të vet, për identitetin, kulturën, historinë. “Ka një kuptim të veçantë fjala bajraktar. Është ai që mban flamurin, që jep sinjalin për luftë, pra një emër që i ka dhënë nder gjatë gjithë jetës”, tha Clerfayt, duke vlerësuar figurën e Bajraktarit, si një njeri që ka luftuar ndaj diktaturave më të egra në Europë.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Genc Bajraktari, djali i Muharrem Bajraktarit, i cili prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke shprehur kënaqësinë që i ati po nderohej në Belgjikë, Bajraktari tha se do të kishte dashur që ai të nderohej së pari në vendin e tij, por sipas tij Shqipëria ende nuk është një vend demokratik.
Antifashisti
I formuar me një edukim ushtarak në Vjenë, kolonel Muharrem Bajraktari ka qenë një figurë e rëndësishme në Shqipëri, qysh në vitet ’20. Pas Kongresit të Lushnjës, u emërua oficer në xhandarmërinë shqiptare në kryeqendrën e prefekturës së Kosovës, në Krumë. Me vendosjen e qeverisë së Nolit largohet nga vendi dhe mbështet kthimin e Zogut në atdhe. Në dhjetor 1924 u emërua anëtar i gjyqit ushtarak në Shkodër, pastaj komandant zone në Peshkopi, për të vijuar si komandant i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shqiptare, për të kulmuar në karrierën ushtarake dhe hierarkike si një prej adjutantëve të Mbretit Zog. Pas një përplasjeje me Ahmet Zogun, në dhjetor 1934 largohet në Jugosllavi dhe më pas në Francë ku u përfshi menjëherë në organizatën “Bashkimi Kombëtar”.
Pushtimi fashist do ta gjente në Shqipëri dhe ai menjëherë do të radhitej në krahun antifashist, duke organizuar rezistencën e Lumës. Kjo e vuri bajraktarin në shënjestrën e regjimit. Sipas Sulejman Gjanës, “kjo vërtetohet më së miri në një telegram që Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe, Mustafa Kruja, i dërgonte më 22 mars 1942 prefektit të Krumës. Ai telegram përfundonte me fjalët: “Të gjitha veprat e tjera do të bahen mbasi të likuidohet Bajraktari”.
Përplasja me komunistët
Si nacionalist i betuar, ai nuk mund të puqej me idetë komuniste dhe kështu ai do gjendej mes dy zjarresh. Gjana thotë se “edhe vetë Enver Hoxha e pranoi pabesinë e vet dhe të komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit. Kështu, në raportin që mbajti në Plenumin e dytë të KQ të PKSh në Berat më 23-27 nëntor 1944, Enver Hoxha deklaroi se “çështja e Muharrem Bajraktarit është më tipike… E goditëm pas krahëve kur ai na jepte dorën si mik”. Procesverbalet e atij plenumi dëshmojnë pabesinë e komunistëve ndaj Muharrem Bajraktarit kur vetë Hysni Kapo e Sejfulla Malëshova rrëfejnë se ndonëse Muharrem Bajraktari i priti komunistët shumë mirë në Lumë për të luftuar bashkërisht, ata i binin atij prapa krahëve. Vetë emisari serb në atë mbledhje, Velimir Stojniçi, pohoi se “qëndrimet ndaj Muharrem Bajraktarit dhe Gani Kryeziut kanë qenë të gabuara dhe sektare””. Duke parë ndikimin jugosllav në Shqipëri, qëndrimi antikomunist i Bajraktarit u bë edhe më i hapur. Pas vendosjes së diktaturës ai vazhdoi aktivitetin e tij në ilegalitet. Në përplasjet me komunistët ai do të humbiste dy djem dhe të vëllanë. Në vitin 1946, në mënyrë peripetike ai largohet nga Shqipëria drejt Greqisë, më pas në Itali e në fund në Belgjikë, ku edhe u nda nga jeta në vitin 1989.

Genc Bajraktari: Shqipëria nuk është ende vend demokratik

Genc Bajraktari
Ai është ndër të paktët e mbijetuar të familjes Bajraktari. Ishte fare fëmijë kur u nda nga i ati, por e mban mend mirë reputacionin që ai kishte jo vetëm në Veri të vendit. Të qenit pinjoll Bajraktarësh i vlejti Genc Bajraktarit plot 45 vjet internim dhe burg. Ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në ceremoninë për nder të të atit në Bruksel. Tashmë është edhe vetë i moshuar. Qëndron i heshtur para varrit të të atit, që nuk e takoi më në gjallje dhe shtrëngon duart me njerëz që i ndenjën pranë derisa u nda nga kjo jetë. Do kishte dashur që ky nder t’i bëhej në Shqipëri. “Ky është me të vërtetë një vend demokratik. Është një rast i rrallë që të nderohet një figurë e një shteti tjetër. Është thënë se “aksionet e Muharrem Bajraktarit janë brilante, por ka qenë një udhëheqës lokal”. E vërteta nuk është ashtu. Unë kam qenë në atë kohë 10-12 vjeç dhe kujtoj që influencën e vet në kohën e luftës e ka pas shtri edhe në Kosovë edhe në gjithë Veriun”. Duket se është i pakënaqur me historianët shqiptarë. I kujtohet një intervistë e historianit Paskal Milo, ku ndër të tjera thoshte se “nuk e njoh Muharrem Bajraktarin”. “Për të njohur e kanë njohur, i kanë bërë dhe një pllakë përkujtimore, madje dhe kanë aprovuar për të bërë një monument, por ende nuk e kanë bërë”, thotë ai. Për Genc Bajraktarin jeta ka qenë një kalvar i gjatë mundimesh. Pas përpjekjes për t’i internuar në Itali gjatë pushtimit fashist, erdhën vitet e gjata të mundimit gjatë diktaturës komuniste. Ndërsa dy vëllezër, Brahimi e Hamdiu mbetën të vrarë në përpjekje me komunistët, ai së bashku me nënën dhe motrën kaluan nga një kamp në tjetrin. “Nëna ime ka qenë në internim 52 vjet. Tepelena ka qenë një kamp që mund të krahasohet me kampet e Hitlerit. Unë, që në mars të 1945-s kam qenë në internim dhe jam liruar në 1990, kur ra Muri i Berlinit. Në burg kam qenë 10 vjet, kurse në kampet e internimit koha tjetër. Duke filluar nga Shkodra, pastaj na kanë çuar në Berat, në Urën Vajgurore në Kuçovë, në Shijak. Gjithmonë duke punuar, gjithmonë natën. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë në apel, duhet të paraqiteshim çdo ditë në organet kompetente. Më pas në Kamzë të Tiranës, jemi kthyer prapë në Berat, Tepelenë. Kohën më të madhe e kemi kaluar në Lushnjë, në Savër, Gjazë dhe në Grabjan, prej nga dhe u liruam”, kujton Bajraktari, që për 45 vjet ishte trajtuar si biri i “armikut”, çka ai nuk e pranoi asnjëherë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura