Dialogu, Thaçi: Marrëveshja thuajse e mbyllur

Mar 31, 2014 | 20:02
SHPËRNDAJE

Daçiç, Ashton dhe Thaçi në një takim në Bruksel
Takimi i sotëm ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiç, për çështjen e funksionalizimit të drejtësisë në Veri, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje. Por sipas kryeministrit të Kosovës, marrëveshja është në prag të mbylljes.

“Sapo përfundoi takimi në Bruksel i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë Ashton. Marrëveshja është pothuajse e mbyllur. Të gjithë qytetarët e Kosovës do të kenë qasje në drejtësi. Do të garantohet rendi dhe ligji në tërë territorin e Kosovës. Gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë e serbë do të punojnë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe ligjeve të Kosovës, në një sistem unik të drejtësisë.”- shkruan Thaçi në Facebook, menjeherë pas takimit.

Seanca e sotme e dialogut ishte parashikuar të niste në orën tre me takime të shkurtra por ka filluar pas orës 6 dhe takimi ndërmjet të dy kryeministrave ka zgjatur vetëm më shumë se një orë. Baronesha Cethrine Ashton është takuar fillimisht veçmas me të dy delegacionet.

Siç raportojnë mediat  në Kosovë, në muajin prill pritet të ketë edhe një takim tjetër.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura