Britanikët: Pse dështoi Qeveria në male e Mit’hat Frashërit

Aug 31, 2014 | 16:37
SHPËRNDAJE

Përpjekja e fundit e nacionalistëve shqiptarë të Ballit Kombëtar dhe zogistëve për të bërë një rezistencë të bashkuar kundër komunistëve në shtator 1944 dështoi brenda pak ditëve. Balli Kombëtar dhe zogistët e Kupit formuan një qeveri në zonën e Prezës në fund të shtatorit, ku ishin edhe nacionalistë të tjerë, dhe në total kishin rreth 4 mijë forca. Por kërkesa e tyre për të marrë mbështetje në armë nga britanikët dështoi. Sot, në gazetën “Panorama”, botohen dy dokumente në lidhje me këtë ngjarje të luftës në Shqipëri, si dhe arsyet se pse dështoi përpjekja e fundit e nacionalistëve për të luftuar kundër komunistëve. Dokumenti i parë i takon një raporti origjinal të oficerit Billi Mclein, i cili i dërgoi komandës së britanikëve në Bari të Italisë një raport, ku e njofton për qeverinë e nacionalistëve dhe kërkesa e tyre. Çka bie në sy, është fakti se, sipas britanikëve, përpjekja e nacionalistëve bëhet për të marrë një armëpushim me komunistët e LNÇ, në mënyrë që të fitojnë kohë. Ndërsa dokumenti i dytë është vendimi i Komitetit të politikës në Ushtrinë britanike, në të cilin konfirmohet mosaprovimi për të mos mbështetur me armë nacionalistët, pasi sipas tyre nuk ka avantazhe ushtarake dhe se kjo do të ndikonte në plasjen e luftës civile. “Katër qëllimet e tyre kryesore: A) Formimin e një blloku nacionalist kundër gjermanëve. B) Të sigurojnë mbështetjen e britanikëve. C) Të arrijnë një marrëveshje me partizanët si bllok nacionalist dhe jo si individë. D) Të mbajnë zona të lira si baza territoriale për nacionalistët. Nga këto, pika e tretë mund të konsiderohet si qëllimi kryesor i tyre. Duke komentuar në lidhje me këto ngjarje, disa çështje duhet të jenë të qarta: a) Një qeveri e tillë ka tentuar të bashkojë dy grupe opozitare me njëri-tjetrin, ndaj dhe nuk ka gjasa t’i mbijetojë presionit të mungesës së kohës. Balli Kombëtar me anëtarët e tij kanë qenë aktivë dhe të vendosur si antizogistë, ndërkohë që anëtarët e Legalitetit kanë mbështetur monarkinë. b) është një qeveri vetëm në letër, e cila përfaqëson pak më shumë se anëtarët e vet”, thuhet në dokumentin e parë britanik. Ndërsa në vendim e Ushtrisë britanike thuhet se, nëse nacionalistët armatosen, atëherë lufta civile do të jetë në një shkallë më të madhe. “Ne nuk shikojmë asnjë avantazh ushtarak, nëse japim këtë material luftarak. Duke marrë parasysh numrin e vogël të forcave si dhe karakterin e tyre të paqëndrueshëm, nuk na jepet asnjë garanci se armët do të përdoren kundër gjermanëve. Duke pasur parasysh armiqësinë e hidhur aktuale mes Kupit dhe partizanëve, çdo armë e dërguar tek Abaz Kupi më siguri do të rrisë shkallën e përplasjeve, nga përplasje të vogla që janë aktualisht mes fraksioneve rivale, në fillimin e një lufte civile”, thuhet në vendimin e britanikëve. Dy dokumentet e mëposhtme shpjegojnë me detaje arsyet e nacionalistëve për të krijuar një qeveri në mal, si dhe arsyet pse nuk u mbështetën me armë nga britanikët, duke i hapur rrugë kështu zotërimit të vendit në mënyrë të plotë nga komunistët e LNC.

DOKUMENTI NR 1
Qeveria në male e nacionalistëve
Disa ngjarje politike kanë ndodhur në 10 ditët e fundit, të cilat kërkojnë një koment. Pas rënies së qeverisë se Dines më 28 gusht, shumica e nacionalistëve të njohur e lanë Tiranën dhe shkuan në male ku u takuan me lejtënant kolonel Mclean, e të cilët kishin marrë me vete edhe disa fonde qeveritare. Që nga data 18 shtator 1944 është bërë e qartë se këta elementë nacionalistë, së bashku me Mclean, janë përpjekur për të formuar një qeveri të bashkuar duke bashkuar të 3 partitë nacionaliste, si Balli Kombëtar, zogistët dhe fashistët katolikë. Personalitetet kryesore të përfshira janë:

Balli Kombëtar: Mit’hat Frashri, Hasan Dosti, Ali Këlcyra.
Oficerë të shtetit: gjeneral Prenk Prevazi, komandant i Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe kolonel Hysni Dema, komandant i Xhandarmërisë shqiptare. Zogistë: Major Abaz Kupi, ish-kryeministri Fiqiri Dine Ishte e qartë se grupi i “katolikëve fashistë” nën Gjon Markagjonin kishin dëshirë të formonin një grup të pavarur për zonën e Shkodrës. Tashmë është raportuar se qeveria e nacionalistëve është formuar në male në zonën e Prezës duke bashkuar Ballin Kombëtar dhe zogistët, duke pasur Mithat Frashërin kryetar, si dhe komandant të përgjithshëm majorin Abaz Kupi. Duke komentuar në lidhje me këto ngjarje, disa çështje duhet të jenë të qarta:
A)Një qeveri e tillë ka tentuar të bashkojë dy grupe opozitare me njëri-tjetrin, ndaj dhe nuk ka gjasa t’i mbijetojë presionit të mungesës së kohës. Balli Kombëtar me anëtarët e tij kanë qenë aktivë dhe të vendosur si antizogistë, ndërkohë që anëtarët e Legalitetit kanë mbështetur monarkinë.
B)Është një qeveri vetëm në letër, e cila përfaqëson pak më shumë se anëtarët e vet.
C)Përfshin elementë të cilët janë duke u larguar për t’u bashkuar me FNÇ dhe të tjerë që janë besnikë të grupit të “katolikëve fashistë”. DLt. Kol Mclean ka bërë raport për çështjet e mëposhtme.
1)Në takimin me Ballin Kombëtar dhe zogistë më 21 shtator, majori Abaz Kupi tha se: “me paratë që kishin, mund të mbanin forcat e tyre në male vetëm pak ditë, dhe se tentativat e fundit për të marrë furnizime nga tregtarët e Tiranës apo nga burime të tjera ka dështuar. Kjo për shkak të mungesës së konfidencës në mbështetjen e britanikëve ndaj nesh. Dhe, nën këto kushte, vetëm nëse britanikët do të jenë të përgatitur për të ushtruar presion mbi FNÇ për të arritur një armëpushim me nacionalistët dhe t’u sigurohet më vonë nacionalistëve mbështetje morale dhe materiale. Në pak ditë nacionalistët do të përballem me një krizë, e cila mund të jetë fatale në vazhdimin e organizimit të tyre”.
2)Duke raportuar në datën 19 shtator në lidhje me mbajtjen e këtij kongresi të nacionalistëve, Mclean përmendi 4 qëllimet e tyre kryesore: A) Formimin e një blloku nacionalist kundër gjermanëve. B) Të sigurojnë mbështetjen e britanikëve. C) Të arrijnë një marrëveshje me partizanët si bllok nacionalist dhe jo si individë. D) Të mbajnë zona të lira si baza territoriale për nacionalistët. Nga këto, pika e tretë mund të konsiderohet si qëllimi kryesor i tyre. Në fakt janë bërë përpjekje nga ish-kryeministri Fiqiri Dine për të tërhequr katolikët. 3)Kjo situatë e përshkruar më sipër ka të ngjarë të na shkaktojë vështirësi të konsiderueshme politike. Pa dyshim që dokumentet do të jenë përgatitura nga kjo qeveri apo individët e saj dhe mund të pritet që këto letra të sillen nga Lt. Kol. Mclean tek autoritetet e aleatëve. Ngjashmërisht, Gjermania do të largohet nga Shqipëria shumë shpejt dhe një qeveri e tillë (e cila pa dyshim do të deklarohet si legjitime, përderisa do të jetë e armatosur me të dhëna shtetërore etj) do të përfitojë nga qëndrimi domosdoshmërisht i paanshëm i organizatave aleate. Kjo do të provokojë që FNÇ të marrë aksione ekstreme dhe organizatat aleate në mënyrë të pashmangshme, kjo do të motivojë dhunë politike dhe civile.
4)Kjo është situatë me rëndësi dhe duhet t’i kushtohet vëmendje. Duhet të ndiqet në pikat e dhëna më sipër dhe do të shkaktohet nga një grusht njerëzish, të cilët ca më pak e ca më shumë kanë bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me armikun dhe se vazhdimi i tyre si bllok i bashkuar do ta ketë sërish të pamundur të mbajë zonat që kanë qenë të pushtuara nga armiku. 26 shtator 1944/ Zyra Qendrore Force 399

DOKUMENTI NR 2
BAF/256 Top Sekret TOO: 14/9 1715 B
1)Si rezultat i sinjalist të dhënë nga LT. Kol Mclean, i cili na kërkoi që të furnizojmë me armë dhe material lufte Abaz Kupin dhe nacionalistë të tjerë, Komiteti për politikat i Ushtrisë britanike u mblodh për të diskutuar në lidhje me këtë pikë.
2)Së fundmi partizanët e Divizionit të Parë e kanë zgjedhur kontrollin në një zonë të madhe në veri të Shqipërisë. Brigada e Parë aktualisht po lufton në veri të Tiranës dhe ka kapur garnizonin e qytetit të Krujës. Për më tej, aktiviteti i FNC është shtrirë në zonat që më herët kontrolloheshin nga Abaz Kupi, në të cilat ai ka marrë edhe 2 mijë mbështetësit e tij.
3)Duke parë që gjermanët do të largohen së shpejti nga Shqipëria dhe duke dashur që të sigurojnë aleatët, disa nacionalistë në qendër të vendit kanë luftuar gjermanët në një shkallë të vogël. Gjatë 7 ditëve të fundit disa forca janë dorëzuar tek oficerët britanikë, siç ishin turkmenistanasit, të cilët së fundmi dezertuan nga gjermanët dhe u bashkuan me oficerët britanikë, së bashku me disa mbështetës së Kupit, që kishin ndërmarrë 3 sulme mbi objektivat gjermanë në rrugën Tiranë-Shkodër. Sulmet ishin të një shkalle të vogël dhe vranë disa gjermanë e kapën pak material lufte. Ndërkohë që një pjesë e mbështetësve të Kupit ishin angazhuar ndaj gjermanëve, pjesa më e madhe e tyre u raportuan se po sulmon forcat partizane.
4)Pas diskutimeve, Komiteti i politikës vendosi që materialet e luftës të mos i dërgohen Abaz Kupit apo nacionalistëve të tjerë, me të cilët është bashkuar për këto arsye:
a)Ne nuk shikojmë asnjë avantazh ushtarak nëse japim këtë material luftarak. Duke marrë parasysh numrin e tyre të vogël të forcave, si dhe karakterin e tyre të paqëndrueshëm, që nuk na jep asnjë garanci se armët do të përdoren kundër gjermanëve. Në kontrast, partizanët që kanë rritur numrin e tyre (në————– afërsisht 25 mijë veta ndërkohë që Kupi ka rreth 4 mijë, 2 mijë të—————- vetë dhe 2 mijë nacionalistë të tjerë), janë në gjendje që të ndërmarrin operacione kundër gjermanëve në zonat ku ndodhen aktualisht mbështetësit e Kupit.
b) Se mbështetja me material lufte e Kupit apo nacionalistëve të tjerë në këtë stad të luftës (kur shumica e tyre kanë qëndruar pasivë, ndërkohë që pjesa tjetër ka bashkëpunuar me gjermanët) do të dëmtonte marrëdhëniet tona me partizanët dhe disavantazhet ushtarake në një kohë kur asistenca ushtarake duket se është e nevojshme në tërheqjen e gjermanëve nga Shqipëria.
c)Duke pasur parasysh armiqësinë e hidhur aktuale mes Kupit dhe partizanëve, çdo armë e dërguar tek Abaz Kupi me siguri do të rrisë shkallën e përplasjeve, nga përplasje të vogla që janë aktualisht mes fraksioneve rivale, në fillimin e një lufte civile.
5)U ra dakord që Lt. Kol Mclein të udhëzohet që të kthehet në Itali dhe për këtë largim të informojë Kupin se ai duhet të kthehet të raportojë situatën në vend.

Sekretariati Majori P.T Hayman

ERALD KAPRI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura