Bregasi: Përfaqësitë diplomatike të lobojnë për nxitjen e investimeve

Oct 31, 2013 | 13:57
SHPËRNDAJE

Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi
Përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë duhet të jenë më aktive në vendet ku janë vendosur për të lobuar për nxitjen e investimeve të huaja në vend. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, gjatë një simpoziumi të zhvilluar ditën e djeshme me praninë e ambasadorit të Holandës,  Martin de Labeij dhe zëvendëskryeministrit Niko Peleshi bëri edhe këtë thirrje. Sipas Bregasit, BiznesAlbania në axhendën e saj synon që promovimin e potencialeve të Shqipërisë ta bëjë në aktivitete të përbashkëta me gjithë përfaqësitë e huaja të vendosura në vendin tonë. “Ky simpozium që zhvillohet sot, ka si synim njohjen e instrumenteve nxitëse të investimeve dhe, nga ana tjetër, edhe ofrimin e konsulencës nga pala holandeze. Ky lloj bashkëpunimi që vjen sot, është një vlerë e BiznesAlbania dhe që do të ishte mirë që të zhvillohet edhe me përfaqësi të tjera diplomatike në vend, në shërbim të nxitjes së investimeve dhe promovimit të potencialeve që paraqet Shqipëria. Nga ana tjetër, edhe përfaqësitë tona të vendosura kudo në botë duhet të jenë aktive për të promovuar Shqipërinë dhe të marrin si shembull seminare të tilla që janë në funksion të rritjes së investimeve të huaja”, tha Bregasi. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Niko Peleshi në fjalën e tij e vuri theksin te rëndësia jetike që kanë marrë për ekonominë tonë investimet e huaja në kohën kur nuk mund të rriten më shpenzimet për shkak të borxhit, kur remitancat po bien e kur privatizimet kanë shteruar. “Ajo që shohim sot, është që këto burime po shterojnë për shkak të krizës ndërkohë që borxhi nuk mund të rritet më. Në kushte të tilla, e vetmja zgjidhje që na mbetet është nxitja e investimeve të huaja dhe vendëse. Shqipëria ka disa sektorë ku paraqet potenciale, siç është energjetika dhe pikërisht kjo mund të shërbejë si nxitje”, tha Peleshi. Ai solli në vëmendje nismën e qeverisë për të ngritur një njësi pranë Këshillit të Ministrave, që do të evitojë gjithë burokracitë që hasin sot investitorët. “Ne si qeveri kemi marrë nismën e ngritjes së një njësie pranë Këshillit të Ministrave që në momentin e parë që kontaktohet për nisjen e një investimi do të ndiejë gjithë hapat për heqjen e burokracisë, në këtë mënyrë mendojmë se kemi luftuar dhe korrupsionin”, tha ai. Ambasadori i Holandës në vendin tonë, Martin de Labeij, në fjalën e tij përgëzoi nismën e BiznesAlbania dhe theksoi bashkëpunimin që kjo e fundit ka pasur me BiznesHolandë. Ai hoqi një paralele mes Shqipërisë dhe vendit të tij lidhur me sipërfaqen e vogël që kanë si shtete dhe synimi i tyre për të qenë gjithmonë e më shumë prezent në tregun europian. Lidhur me nxitjen e investimeve në vendin tonë, ai theksoi se fokusi i qeverisë duhet të jetë te sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat janë edhe suksesi i ekonomive të vogla.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura