Boyd: Shqipërinë e njoh nga “Kronikë në gur”, kam parë veten

Oct 31, 2013 | 14:50
SHPËRNDAJE

Don Boyd
Producenti në Tiranë, për “Aria” dhe “Here be dragons”

Identifikimi me personazhin e Ismail Kadaresë dhe dëshira për ta kthyer në film.

Përveç kënaqësisë që vizitonte një vend të panjohur, por për të cilin kishte prodhuar filma, Don Boyd (Donald William Robertson Boyd) nuk i gëzohet dot diellit të Shqipërisë.  “Është një mrekulli. Jemi mësuar gjithnjë gri, shi…”, thotë producenti, regjisori dhe shkrimtari skocez. Ndodhet në Shqipëri për prezantimin e dy filmave “Aria” dhe “Here be dragons” në Tirana International Film Festival. Në të parin i kushtohet një pjesë atentatit në Vjenë të Mbretit Zog, kurse i dyti, i shkruar dhe me regji të Mark Cousins, i kushtohet tërësisht Shqipërisë. Por njohja e parë me Shqipërinë për Boyd ka qenë përmes romanit “Kronikë në gur”, i Kadaresë, për të cilin thotë se është një nga 10 romanet më të bukur që ai ka lexuar ndonjëherë. Boyd rrëfen për të gjitha këto për gazetën “Panorama”.   
Keni prodhuar filma për Shqipërinë, por pa e parë atë, si ju duket tani që jeni këtu?
Kjo është hera ime e parë në Tiranë. Unë vuaj ashtu si edhe të gjithë britanikët, nga njohja e pakët për vendin tuaj. Festivalet e filmave janë dritare të mrekullueshme mbi botën dhe, kur njerëzit vizitojnë festivalet në ato vende që ata nuk i njohin, krijohet një lidhje shumë e fortë me të. Dje pashë filma dokumentarë të mrekullueshëm të Endri Kekos mbi epokën komuniste. Ajo çka vura re, është që keni sensiblitetin për artin, për kulturën, për t’i treguar për vendin audiencës. Të vija në vendin tuaj ishte edhe pak ironike për mua, sepse shumë vite më parë kam prodhuar një film që mbylli Festivalin e Kanës, “Aria”. Jam regjisor, por në të njëjtën kohë edhe producent dhe mblodha ca kineastë shumë të mirë për të bërë këtë film të muzikuar, dhe seksioni i parë është mbi një figurë mitike, një karakter real i historisë suaj, Mbreti Zog. Asokohe donim ta shfaqnim filmin këtu, por na u tha që ishte e pamundur. Dhe ardhja ime në Tirana International Film Festival, për të prezantuar këtë film, që përveç pjesës së Mbretit Zog, ka edhe pjesë të tjera shumë të mira, ishte shumë interesante. Ishte bukur të kishe një audiencë që lidhej me këtë film. Dhe kam mësuar shumë për vendin tuaj, për jetën tuaj, për të shkuarën.
Por lidhja juaj me Shqipërinë është shumë më e thellë apo jo?

Pjesë nga filmi “Aria”
Unë jam një fans shumë i madh i Kadaresë. Kam lexuar një nga veprat e tij, atë që vendoset në Gjirokastër, “Kronikë në gur”, që ka pasur një ndikim shumë të madh tek unë. Nëse do më duhej të bëja një listë me 10 romanet më të mirë, ai është një ndër ta. Ndjeva një lidhje shumë të fortë me të, më ka prekur shumë, aq sa jam përlotur asokohe. Dhe ndjesitë që të krijohen nga vizita këtu, takimi me njerëzit, ndjeshmëria e tyre, është e pamundur t’i shprehësh, përveçse përmes artit, letërsinë dhe filmin.
Ç’ju shkoi në mendje kur lexuat librin, pse kjo tronditje nga vepra e një shkrimtari të një vendi të vogël e të panjohur?
Kadareja ka qenë kontakti im i parë me Shqipërinë. Sapo ishte përkthyer në anglisht. E kam lexuar gjatë periudhës së komunizmit dhe kam qenë shumë i surprizuar nga kjo. Është një libër i parë me sytë e një fëmije. Imazhet, njerëzit, gjithçka ishte shumë reale dhe dukej që ishte diçka që Kadare e njihte shumë mirë. Ndjeva një lloj lidhjeje me Shqipërinë. Unë kam pasur një jetë shumë peripetike. Prindërit e mi u rritën në Kinë. Im atë ishte skocez, kurse mamaja gjysmë ruse dhe gjysmë ukrainase, kishte lindur në Mançuri, kurse unë kam jetuar në Kinë, Ugandë, Kenia, Skoci… Kam pasur një rini shumë të turbullt. Dhe gjithë këto peripeci të kaluara më lidhën me fëmijën e librit që mund të ishte rreth 12 vjeç dhe që filloi të njihte botën. Ka një humanizëm të madh ai libër, çka është shumë e rrallë në letërsi. Kadare është një shkrimtar i madh, ka një fantazi të jashtëzakonshme, di të përshkruajë sjelljet e njerëzve dhe ka një lidhje shumë të fortë me botën.
E keni menduar ta bëni një film?
Do të më pëlqente shumë, por në punët e mia, mes dokumentarit dhe fiksionit, nuk kam aplikuar adaptimin e letërsisë. Ndiej se kam eksperiencën, edukimin dhe talentin për ta bërë një gjë të tillë, që njerëzit ta kuptojnë, se si diçka reale të duket si irreale, si fantazi, duke mos qenë e tillë. Në të njëjtën kohë implikimi politik përmes pushtimit fashist në libër më duket e ngjashme me çka po ndodh tani në Siri, në Egjipt apo në disa vende të tjera afrikane. Unë kam disa miq të mitë, reporterë lufte, të cilët më tregojnë këto histori, që më duken të ngjashme me historinë tuaj, ku grekë, italianë, gjermanë kalojnë në një qytet të vjetër dhe shumë të bukur mesjetar… Atëherë le ta themi është aktual për kohën. Ky është këndvështrimi im.
Përse një film nuk është asnjëherë aq i bukur sa libri ku mbështetet?
Pjesë nga filmi “Here be dragons”
Librat janë të jashtëzakonshëm, sepse lejojnë që ndjenjat të përdorin imagjinatën tonë vizuale. Në të vërtetë, filmi ka fatin e vet dhe një tjetër atmosferë, krejt të tijën. Në shumë raste, miq të mitë që janë autorë librash, i kanë pëlqyer filmat që janë mbështetur mbi librat e tyre, sepse nuk kanë asnjë përgjegjësi. Thonë: Unë kam librin, ju keni filmin. Ka autorë të tjerë që janë më mbrojtës kundrejt veprës së tyre. Unë kam bërë një roman “Sekretet e Margosë” (Margot’s Secrets) dhe dikush ka kërkuar ta bëjë film. Më ka pyetur nëse unë dëshiroj të marr pjesë në shkrimin e skenarit dhe unë i kam thënë: “Jo! Unë kam librin tim, ti mund të bësh ndryshime, shpresoj të dalë i mrekullueshëm, do të jap mendimin tim, por në fund fare ai do të ketë integritetin e tij”. E keni parë filmin “Vajza me vëthë perle”? Është i njëjti regjisor (Peter Webber) që do të bëjë romanin tim. Jeni e para që po jua them këtë. E kam takuar, është shumë i respektueshëm… I kam dhënë liri të plotë… Por me Kadarenë është tjetër gjë. Unë nuk e fus librin tim në këtë kategori. Përveçse është një kryevepër, është shkruar në një gjuhë që unë nuk e njoh… Kemi filma shumë të këqij të mbështetur në libra shumë të mirë dhe anasjelltas.
Por le të kthehemi tek “Aria”, çfarë ju është dukur interesante te historia e Mbretit Zog?
Nicolas Roeg është një regjisor shumë i mirë dhe ideja ishte e tij. Atij i pëlqente shumë figura romantike e mbretit Zog, asaj që ai përfaqësonte, estetikisht dhe politikisht. Një mbret në ekzil që kishte shumë gra, dukej ekzotike. Kësaj historie iu vesh një muzikë shumë e fuqishme dhe evokuese, “Ballo me maska” e Verdit. Filmi vendoset në teatër operash… Jashtë publiku e ka pëlqyer shumë. Ishte e mrekullueshme të shihje lidhjen e publikut shqiptar me filmin.
Pse keni zgjedhur një femër për të luajtur rolin e Zogut?
Ka dy arsye për ta argumentuar këtë. Tereza (Theresa Russell) është një aktore brilante, që duket shumë mirë në film dhe e pëlqente skenarin. Nicolas kishte arsye që e donte në atë rol. Filmi është ngritur mbi fantazinë. Është fantazia e një gruaje që imagjinon se çfarë ndodh. Si unë, edhe Nicolas kishim menduar për këtë variant dhe për këtë ai më “fajëson” mua dhe unë atë. Kemi udhëtuar shumë për këtë film. Ishim duke xhiruar në Vjenë dhe ishim tapë. Ishte ora 5:00 e mëngjesit. Kishte ngrirë, ne kishim pirë shumë vodka dhe në atë gjendje them: Oh, ç’ide, le ta lëmë Terezën që ta bëjë këtë rol. Dhe tak, lindi shkëndija. E dini…, idetë më të çmendura vijnë kur ke pirë ca raki.
Por ju jeni edhe producent i filmit “Here be dragons” të Mark Cousins, pse vendosët ta prodhoni atë?
Jam shumë krenar që e kam prodhuar. Imagjinoni: duhet të shkosh në një vend, por nuk di shumë për të, mëson për 5 ditë, ke një pritshmëri kulturore, politike, mund të jesh i dashuruar me dikë atje… nuk ka rëndësi. Mark erdhi në Shqipëri me këtë pritshmëri në mendje. Ju e njihni Mark, është mendimtar, një njeri që bën emisione qesharake në televizion, që udhëton shumë… Kjo është mënyra e tij e të qenët. Kur ai më tha për këtë film, unë i thashë: le ta bëjmë. Unë e prodhova. Kam punuar me Genc Përmetin, që ishte shumë mbështetës. Ky është një film ese, që mua më pëlqen shumë dhe do të doja të bëja më shumë të tilla, pasi më duket një formë artistike shumë e bukur. Mark vë në dukje përmes këtij filmi shumë anomali, që i duhen bërë të njohura audiencës shqiptare. Jam shumë kurioz të shoh reagimin e shqiptarëve. Në Londër e kanë pëlqyer shumë, kemi marrë shumë vlerësime pozitive. Kemi pasur një kritikë shumë të keqe nga Hollywood Reporter, por e prisnim këtë. Ata nuk e kuptonin se për çfarë bëhej fjalë.
Mark i ka dedikuar edhe një letër Enver Hoxhës, ç’është ajo?
Është një letër plot zemërim. Ai vë në dukje gjithë të këqijat që i kanë ardhur Shqipërisë nga regjimi totalitar. Është shumë prekëse, pasi tregon çfarë është bërë gabim në atë epokë. Në mënyrë shumë të zgjuar ai ka futur materiale filmike të asaj periudhe nga arkivat, me kontekstin e sotshëm, me trashëgiminë kulturore, siç janë ikonat. Mark ka ardhur në Shqipëri, ka parë shumë filma të tjerë dhe gjithë ky zemërim i tij për Hoxhën vjen nga kjo njohuri. Besoj se do të jetë më emocionues për publikun shqiptar. Kam parë disa filma të Endri Kekos. Unë nuk e kuptoj gjuhën tuaj, shoh vetëm imazhet, por është shumë interesante t’i vendosësh këtyre imazheve një tekst, që nuk i përket filmit.
Keni parë ndonjë film tjetër shqiptar?
Vite më parë kam parë një film të Xhanfize Kekos, “Tomka”, që më ka pëlqyer shumë dhe shpresoj që ta shfaqim atë në New York, bashkë me “Here be dragons”. Do të doja që të shihja se cili do të ishte debati pas këtij kombinimi, ndoshta për komunizmin, pasojat në shoqëri, kinemanë…

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura