Borxhi, Obama: Kompromis në emër të popullit

Jul 30, 2011 | 16:47
SHPËRNDAJE

Presidenti amerikan Barak Obama po u bën thirrje republikanëve dhe demokratëve në kongres të bien dakord për rritjen e tavanit të borxhit, ndërkohë që afrohet afati për pagimin e huave.

Në fjalimin e tij të përjavshëm sot, presidenti Obama tha se dy palët duhet të arrijnë një kompromis deri të martën. Ai tha se palët nuk janë aq larg njëri tjetrit mbi çështjen në fjalë, dhe mosarritja e një marrëveshjeje do të ishte e pafalshme.

Senati amerikan ka hedhur poshtë tavanin e propozuar të borxhit, pak orë pasi Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi planin e rishikuar për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e tavanit të borxhit prej 14,3 trilion dollarësh, në përpjekje për të shmangur mospagimin e huave.

Senati votoi 59 me 41 dje mbi planin e paraqitur nga kryetari i dhomës së përfaqësuesve Xhon Bejnër. Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve të kongresit amerikan votuan 218 me 210 në favor të tij.

“Sot ne kemi mundësinë t’i japim fund krizës së tavanit të borxhit. Me këtë projektligj, mendoj se po e mbajmë premtimin tonë nga popullit amerikan se do t’i shkurtojmë shpenzimet më shumë se do të rrisim tavanin e borxhit.”

Mbrëmë vonë, udhëheqësit në senat u bënë thirrje ligjvënësve republikanë të mbështesin një projektligj të propozuar nga kreu i shumicës në senat, Heri Rid. Zoti Rid tha se nëse republikanët nuk e mbështesin planin e tij, Shtetet e Bashkuara po shkojnë drejt një katastrofe.

“Ekonomia jonë ka mbetur e varur. Dhe për herë të parë në historinë e vendit tonë, po qe se nuk arrihet një kompromis apo të mos pranohet propozimi im, ne do të shkojmë drejt një katastrofe ekonomike. Është koha që republikanët të veprojnë.”

Ligjvënësit amerikanë planifikojnë të punojnë gjatë ditëve të ardhshme për hartimin e një plani që do të shmangte mospagimin e borxheve, gjë që do të kishte ndikim shkatërrues në ekonominë amerikane. (voa)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura