Borxhet, Samiti i Brukselit “ndan” bankat nga qeveritë

Jun 30, 2012 | 14:23
SHPËRNDAJE
Monti dhe Merkel

Marrëveshjet e arritura në Samitin e Brukselit mes liderëve të eurozonës i kanë quajtur fitorja e dytë e Italisë, pas asaj të ndeshjes së futbollit Itali-Gjermani.
Kryeministri italian, Mario Monti, i dha një ndihmë mjaft të nevojshme vendit të tij që ka nisur tashmë zbatimin e masave të kursimit, pasi bindi kancelaren gjermane Angela Merkel në Samitin e Brukselit që të ndryshojë qëndrim për një çështje themelore: lehtësimin e sforcimeve mbi qeveritë në borxhe në Europën Jugore.
Këmbëngulja e Montit
Monti ishte zotuar se nuk do të pushonte së foluri në Samit deri kur të bihej dakord për këtë marrëveshje. Bisedimet në Samitin që zgjati mbi 13 orë, përfunduan në agim, me Montin që doli i buzëqeshur nga salla. Edhe pse debati ishte i fortë dhe u konsiderua si një “ndeshje”, në konferencën për shtyp Monti e vlerësoi kancelaren Merkel si “protagoniste të një debati konstruktiv dhe le të themi sportiv”. Ai shtoi se marrëdhëniet mes tyre janë të “shkëlqyera, ashtu siç ishin para këtij debati”.
Merkel në Bundestag
Por Merkel, gjatë një fjalimi pasdite në Parlamentin gjerman, mohoi të ketë ndryshuar qëndrim. Ajo këmbënguli se “ne mbetemi tërësisht brenda qëndrimit tonë që kemi mbajtur deri tani: ndihmë, negocim, kushtëzim dhe kontroll, dhe prandaj unë mendoj se kemi bërë diçka të rëndësishme, por i kemi qëndruar me vërtetësi filozofisë sonë, që është se nuk ka para pa negocim”. Kështu ajo theksoi se nuk do të ketë para pa kushte, duke këmbëngulur se vendet duhet të jenë të detyruara të përmbushin në kohë strukturën me rekomandime për ekonomitë e tyre të vendosura nga Komisioni Europian. Liderët europianë ranë dakord të furnizojnë me para direkt bankat me probleme. Marrëveshjet sugjerojnë se Gjermania ka lëshuar pe nga këmbëngulja e saj për reforma të ashpra në këmbim të parave të shpëtimit. Marrëveshja e arritur në orën 05:00 të mëngjesit të djeshëm u lejon institucioneve italiane dhe atyre spanjolle të kenë akses direkt në fondet e BE-së, pa shtuar borxhet kombëtare. Ata do të përdorin 120 miliardë euro të marra nga Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM), për të stimuluar punësimin dhe zhvillimin. Liderët ranë dakord gjithashtu edhe për të krijuar një organ mbikëqyrës për zonën bankare të eurozonës.
Marrëveshjet e samitit
1. BE do të jetë në gjendje të përdorë para kesh nga një fond shpëtimi i planifikuar, Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM), për të mbështetur direkt bankat. Aktualisht rregullat e BE-së thonë se huat do të përdoren nga qeveritë të cilat duhet t’i përdorin për të ndihmuar bankat. Kjo u shtohej borxheve kombëtare dhe nxiste kreditorët të kërkonin interesa më të larta mbi borxhin sovran, duke e bërë atë shumë të kushtueshëm.
2. Ndryshimi do të ketë një impakt pozitiv mbi Spanjën, e cila do të jetë në gjendje të marrë huan 100 miliardë euro pa u llogaritur në borxhin kombëtar të vendit.
3. BE do të heqë dorë nga “vjetërsia” mbi ripagesat e parave të saj hua për sa i përket borxhit të Spanjës, dhe kjo praktikë besohet se duhet të prekë edhe qeveri të tjera, të cilat detyrohen të kërkojnë hua për ndihmë. Kjo do të thotë se kreditorët të cilët blejnë borxhe qeveritare nuk do të jenë në disavantazh nëse një vend falimenton.
4. Huat për vendet në borxhe do të vijnë me më pak kufizime. Kombet në të ardhmen duhet të përmbushin vetëm borxhet dhe angazhimet që marrin përsipër për deficitet, dhe jo masa të ashpra kursimi si ato që i janë vendosur Greqisë.
5. Do të ketë një mekanizëm unik mbikëqyrës për bankat e eurozonës, i drejtuar nga Banka Qendrore Europiane.

Deklarata e Presidentit të KiE
Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, tha se pakti i arritur në Samitin e fundit mundëson që “bankat mund të rikapitalizohen drejtpërsëdrejti në disa rrethana dhe për më tepër, mund të vëmë në zbatim një mekanizëm unik vëzhgues. Vendimi i dytë është se ne jemi të hapur për të përdorur instrumentet e stabilitetit, ESFS, ESM, me qëllim për t’u dhënë garanci tregjeve”, tha Rompuj. Ndërsa Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, tha: “Rikapitalizimi i drejtpërdrejtë i bankave do të jetë i mundur nën kushte shumë strikte. Mendoj se është një vendim shumë ambicioz, që kërkon edhe njëherë angazhimin e të gjitha shteteve anëtare”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura