Boçi: Rama-Meta, interesa financiare me AMA

Mar 31, 2014 | 12:13
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike akuzoi Kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Meta, se kërkojnë të kontrollojnë Autoritetin e Mediave Audiovizive për interesa financiare dhe klienteliste. Deputeti demokrat, Luçiano Boçi, tha se kryetari i Kuvendit kërkoi që të përfshinte në vendimmarrje një memo të falsifikuar në Komisionin e Medias. “Javën e shkuar, në thyerje të Rregullores së Kuvendit dhe në kushtet e shpërdorimit të detyrës, një memo e falsifikuar e Shërbimit të Monitorimit u tentua të futej për vendimmarrje në axhendën e Komisionit të Edukimit e Medias nën presionin e përfaqësuesve të maxhorancës. Deputetët e PD do të bëjnë kallëzim penal për përgjegjësit e këtij falsifikimi dhe do të kundërshtojnë çdo tentativë Rama-Meta për zaptimin e AMA-s”, tha Boçi. Sipas tij, pas këtyre veprimeve qëndrojnë interesa financiare dhe klienteliste. “Shqiptarët duhet ta dinë se pas këtij insistimi të pashembullt të Rama-Metës për kapjen e AMA-s qëndrojnë edhe interesa të pastra financiare dhe klienteliste pas vendimeve të fundit të AMA-s; këto vendime në shërbim të teleshikuesve në mbarë Shqipërinë do të sjellin uljen e ndjeshme të çmimit të kartës dixhitale, si dhe shikimin falas të televizioneve kombëtare”, tha deputeti demokrat. Për Boçin, “kryetari i Kuvendit Meta fsheh letrën e OSBE, ku i kërkohet që të tërhiqet nga zaptimi i AMA-s dhe të procedohet me konsensus. Po kështu është shprehur zyrtarisht edhe Komisioni Europian”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura