Bllokimi i llogarive, reagon “Albanian Airlines”

Jun 30, 2011 | 9:37
SHPËRNDAJE
Ali Evsen

TIRANE – Stafi i kompanisë shqiptare të fluturimeve “Albanian Airlines”, e cila është me 93 për qind në pronësi të biznesmenit Ali Evsen, reagoi dje lidhur me sekuestrimin e llogarive bankare. Me anë të një letre të hapur për median dhe publikun, stafi i kompanisë tregoi se ndodhet në vështirësi funksionimi pas vendimit të autoriteteve shqiptare për bllokimin e llogarive bankare. Bllokimi i llogarive erdhi pas arrestimit në Spanjë të biznesmenit Ali Evsen, ndërkohë, stafi i “Albanian Airlines”, shpjegoi se juristi i diplomuar në Baku në Fakultetin e Ligjit, deri në ditët që flasim ka qenë një ndër njerëzit më të respektuar për cilindo që e njihte. “Për 150 punonjësit e kësaj kompanie, ai është njeriu që i shpëtoi nga papunësia, nga hedhja në rrugë, nga frika e një ekonomie të paqëndrueshme”, shprehet stafi i “Albanian Airlines”. Sipas letrës, lufta që po i bëhet kësaj kompanie gjatë kësaj kohe nuk është thjesht një luftë e padrejtë, por edhe një pikëpyetje e madhe për vazhdimësinë e punës së subjektit në fjalë. “Pas publikimit në media të lajmit për ndalimin e bosit të “Albanian Airlines”, Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi gjithë llogaritë e kompanisë dhe i liroi ato të premten e datës 24 qershor në mëngjes. Stafi verën se po atë ditë, me një kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, këto llogari i bllokuan përsëri. Ngrirja e llogarive bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” dhe administratorëve të saj automatikisht bllokon të gjithë aktivitetin tregtar të kësaj shoqërie. Kjo krijon një ngërç dhe paqartësi për vijimësinë e vetë ekzistencës juridike të shoqërisë, pasi ngrirja është shtrirë mbi llogaritë, dhe jo mbi shoqërinë si e tillë dhe asetet e saj”, shprehet stafi. Sipas letrës, ligjërisht shoqëria duhet të vazhdojë normalisht aktivitetin e saj, për sa kohë që ajo është një entitet i veçantë juridik. Por, me ngrirjen e llogarive shoqëria është vendosur në pamundësi faktike për të ekzistuar, pasi marrëdhëniet e saj me punëmarrësit, të tretët apo edhe vetë shtetin, për sa i përket detyrimeve fiskale, janë të pamundura, pasi e vetmja mënyrë me të cilën shoqëria përmbush detyrimet e saj financiare, është pikërisht nëpërmjet këtyre llogarive.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura