Bllokimi i 120 kg hashash, 2 prej të arrestuarve të dënuar në Greqi

Oct 31, 2011 | 10:51
SHPËRNDAJE

Tiranë – Dy prej personave që u arrestuan mbrëmjen e së shtunës gjatë operacionit të koduar “Hallouin”, ku u bllokua 120 kg hashash, kanë qenë të dënuar më parë edhe në Greqi për trafik droge. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Shkëlzen Hajdari dhe Aleksandër Kola (Dedukaj), rreth 6 vjet më parë janë arrestuar nga policia Greke, pasi kishin trafikuar një sasi të madhe kanabisi nga Lazarati drejt shtetit helen. Dy ish-të dënuarit, pasi kanë përfunduar dënimin në Greqi, dyshohet të kenë rinisur sërish aktivitetin e prodhimit dhe shitjes së bimës narkotike, por kësaj here, duke e hedhur në tregun e brendshëm. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se janë arrestuar Shkëlzen Hajdari, 32 vjeç, Aleksandër Kola, 32 vjeç, Eqerem Hoxha, 56 vjeç dhe Maliq Memo, 54 vjeç, të cilët pas një hetimi disamujor, me metodat speciale, u kapën në flagrancë pranë fshatit Pezë-Helmes në Tiranë, me 19 thasë kanabis. Bima narkotike, me një sasi totale prej 120 kilogramësh, ishte ndarë në dy makina tip “Mitsubishi Pajero”, me targa Durrësi dhe Tirane. “Në sajë të një hetimi intensiv disamujor u arrit goditja në kohë e kësaj linje shpërndarje me shumicë dhe tregtimi, lëndë e cila vinte nga qyteti i Durrësit me qëllim më pas tregtimin në kryeqytet. Nga kontrolli i ushtruar në automjetet tip “Mitsubishi Pajero”, u gjendën e 19 thasë të mbushur me bimë të dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë 120 kg. Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të shtetasit Shkëlzen Hajdari, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë “Zastava”, model 54, me një karikator dhe 9 fishekë”, u shpreh dje zëdhënësja e Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, gjatë konferencës për shtyp. Sipas Policisë, lënda narkotike ishte marrë në zonën e Lazaratit në Gjirokastër dhe pas kalimit në Tiranë, ishte duke u transportuar në drejtim të qytetit të Durrësit. Ndërhyrja e policisë është bërë në momentin e “takimit” të porositësve me transportuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura