Blerina Bombaj, dietologe dhe drejtuese e qendrës “Health&Diet”

Jul 17, 2011 | 13:06
SHPËRNDAJE

Një nga risitë e fundit të qendrave dietike është dërgimi i ushqimit në shtëpitë apo zyrat e klientëve. Pse kjo praktikë?
Dietat kërkojnë vullnet për t’u realizuar dhe ky lloj mekanizmi e minimizon shumë kërkesën për vullnet. Është shumë e vështirë të mbash dietë. Shumica e njerëzve ose s’e mbajnë dot, ose e ndërpresin, duke i rimarrë kilogramët. Elementi kyç në mbajtjen e dietës është regjimi i të ngrënit dhe të ushqyerit në orar. Por, të dërguarit e ushqimit nëpër vendet ku klientët ndodhen, e redukton çështjen e angazhimit. Gjithçka është e gatshme. Nuk të duhet as të blesh, as të gatuash, as të peshosh produktet. Kjo praktikë e bën më të lehtë rënien nga pesha, duke ofruar maksimumin e rezultatit.
Dhe si bëhet përzgjedhja e dietës për një klient të caktuar?
Fillimisht bëhet një seancë dietologjike. Bëhet matja e parametrave, studimi i psikologjisë së klientit dhe nevoja që ai ka për rënien në peshë. Përcaktohet një dietë për gjashtë ditë të javës në bazë të kalorazhit dhe gjithçka gatuhet në qendrën tonë nga kuzhinierët profesionistë. Më pas i dërgojmë nëpër destinacionet përkatëse.
Ndarja në porcione ditore e ushqimit bëhet duke kategorizuar shijet me vaktet dhe metabolizmin e klientit, si funksionon?
Standardet janë përcaktuar drejt një regjimi të shëndetshëm. Këshillohet që të ushqehesh 5-6 herë në ditë, pra nevojiten tri vaktet kryesore dhe dy të ndërmjetme, paradite ose pasdite, dhe një përpara gjumit. Unë këshilloj që pas mëngjesit të numërohen tri orë dhe të ushqeheni sërish. Ne dërgojmë një herë në ditë ushqimin, e zakonisht çojmë drekën dhe darkën dhe, në bazë të kalorazhit, edhe pasditen. Kurse për mëngjesin kemi një dietë të thjeshtë dhe një “luksi”. Në të parën përcaktoj me shkrim frutat që duhet të konsumohen dhe sasinë e tyre. Ose një gotë qumësht, një kokërr vezë dhe një fetë bukë dhe disa fruta që konsumohen gjatë ditës.
Ku qëndron sekreti i ushqimeve të përgatitura nga kuzhinierët tuaj?
Ne i përgatisim të gjitha vetë dhe suksesi është pikërisht tek sasia, të gatuarit pa yndyrë dhe pa produkte kalorike. Bulmetin e zgjedhim pa yndyrë, mishin gjithashtu, ushqimet gatuhen të lehta dhe ndjekja për një muaj e kësaj praktike ndihmon për të rënë 2-5 kg.
Tani që është sezon veror, ku thuajse shumica e klientëve janë me pushime dhe nuk e ndjekin dot ushqimin e ardhur në shtëpi apo dietën, a ka një zgjidhje?
Për muajt e korrikut dhe gushtit njerëzit nuk mbajnë dietë, aq sa bëjnë në muajt e tjerë të vitit. Të qenit me pushime e kufizon këtë praktikë, sepse nuk mund t’i ndjekim kudo ku janë. Dieta ndërpritet, kësisoj ndodh rreziku i rimarrjes deri në dy kilogramë. Mandej, pas rikthimit nga pushimet, rinis edhe dieta.
Klientët tuaj janë femra dhe meshkuj, e në këtë kategori ka edhe persona publikë. Cilët janë ata?
Emrat e personave VIP nuk mund t’i bëj publikë, është shkelje e privatësisë së tyre.

PËRSHTATJA ME SHIJEN!

Në mijëra klientë që kam, ka dhe nga ata të vështirët, që nuk u përputhet shija me atë që unë u rekomandoj të hanë. Përpiqem të hyj në psikologjinë e tyre dhe i ndihmoj. Vështirësia më e madhe është tek oreksi. Njerëzit obezë janë ata që kanë oreks dhe të mposhtësh oreksin është një sforcim shumë i madh. Kësisoj, këta njerëz lodhen psikologjikisht nga ndjekja e regjimit të caktuar ushqimor që unë u rekomandoj dhe kjo i shtyn drejt ndërprerjes së dietës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura