Blank: Shqipëria gjysmake, ndaj tyre vulos kualifikimin

Sep 30, 2011 | 12:01
SHPËRNDAJE
Trajneri i Francës Blank

Si trajner, Lorent Blank luan në dy ndeshjet e radhës një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Kështu, i pyetur nëse takimi me Shqipërinë mund të konsiderohej si ndeshje e jetës, ai u përgjigj se ndaj kuqezinjve do ta ketë më të lehtë për të fituar dhe më pas me Bosnjën pretendon të vulosë kualifikimin për në EURO 2012.
Benzema doli paksa i dëmtuar në ndeshjen e Realit ndaj Ajaksit, keni mësuar ndonjë të re për të?
Po, pati një dëmtim muskulor, por nga informacionet që kam, ai nuk do të ketë problem për të luajtur si ndaj Shqipërisë, edhe ndaj Bosnjës. Gjithsesi, të hënën do verifikojmë gjendjen e tij fizike dhe do kemi një raport më të qartë për të.
Keni folur me Riberinë gjatë kësaj kohe, përderisa po kalon një moment shumë të mirë te Bajerni?
Jo, por sikundër ju kam thënë, unë dua të marr maksimumin nga çdo lojtar. Disa duhet që të kapin formën e duhur me klubet ku aktivizohen, disa të tjerë një gjë të tillë nuk e kanë fare problem dhe vihen menjëherë në evidencë. Kështu që mendoj se tanimë Frank (Riberi) ka gjetur dëshirën e madhe për të luajtur futboll si dikur, pikë së pari për t’u argëtuar, dhe kjo është një gjë e mirë si për atë, dhe për ne.
Ç’mendoni për Dxhibril Sisé?
Është një lojtar që ka qenë dhe mbetet nën vëzhgim nga ana jonë. Por, duhet të kuptoni se kemi edhe lojtarë të tjerë në këtë repart, që janë në formë shumë të mirë dhe që po shënojnë gola.
Po për Mekses?
Ai është një lojtar shumë i mirë, por fatkeqësisht sapo ka lënë dëmtimin dhe di që ka luajtur vetëm 45 minuta te Milani në një ndeshje miqësore stërvitore, ndaj nuk është ende në gjendje të mirë për të qenë pjesë e skuadrës për këto dy takime. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Ben Arfa.
A mund të themi se ndaj Shqipërisë dhe Bosnjës do jenë ndeshjet më të rëndësishme të karrierës suaj si trajner?
Jetojmë të gjithë momente të rëndësishme. Për lojtarët, për trajnerin, por edhe për ju si media dhe tifozët e Francës janë ndeshje të rëndësishme, pasi Kombëtarja ka nevojë të jetë pikë së pari pjesë e EURO 2012, ndaj them se jemi në një moment që duhet konsideruar si i rëndësishëm, jo vetëm për mua si trajner.
I mbyllni kualifikimet me dy ndeshje në shtëpi, a mendoni se sindroma e nëntorit ’93, kur luajtëm ndaj Izraelit dhe Bullgarisë, nuk do të na ndjekë nga pas (asokohe Franca nuk u kualifikua për në Botërorin USA 1994)?
Po bëni krahasime që vetëm teorikisht mund të qëndrojnë. Në fakt, janë dy ndeshje që i luajmë në fushën tonë dhe e dimë që do kemi një farë presioni, pasi bëhet fjalë për dy ndeshje që vendosin kualifikimin, ndaj unë do këshilloj lojtarët që të jenë sa më të qetë në fushën e lojës.
Cilat janë, sipas jush, gabimet që nuk duhet të bëjë Franca për të e mos pësuar si në 1993-shin?
Nuk e di nëse lojtarët që kam unë në dispozicion tani, e kanë parasysh atë periudhë. Gjithsesi, mund të them se Shqipëria pikë së pari nuk luan njëlloj si në fushën e vet edhe në transfertë, e së dyti kam informacion se nuk do kenë në dispozicion katër lojtarë kryesorë, të pezulluar për këtë ndeshje. Ndaj, duhet të tregohemi ambiciozë dhe ta fitojmë këtë ndeshje. Megjithatë, ndeshja decizive, sipas meje, do jetë ajo ndaj Bosnjës, pasi aty do vendoset përfundimisht kualifikimi.

Rikthimi i Gomis
I vetmi ndryshim që ka bërë Lorent Blank në listën për dy ndeshjet e radhës, krahasuar me listën e muajit shtator, është sulmuesi Bafatemi Gomis. “Lojtari ka treguar se është në formë të shkëlqyer, çka u pa më së miri edhe në ndeshjet e Champions. Unë e kam thënë edhe më parë që Kombëtarja është e hapur për çdo lojtar që tregon se e meriton këtë fanellë”, tha trajneri në konferencën e djeshme për shtyp.

Lista e Francës
Portierë:
Sedrik Karraso (Bordo), Hugo Loris (Lion), Stiv Mandanda (Marsejë).
Mbrojtës: Erik Abidal (Barcelona), Patris Evra (Mançester), Joune Kaboul (Totenham), Lorent Kosçielni (Arsenal), Adil Rami (Valencia), Antoni Revejer (Lion), Bakari Sanja (Arsenal).
Mesfushorë: Johan Kabaj (Njukastëll), Alou Diarra (Marsejë), Jan M’Vila (Renë), Florent Malouda (Çelsi), Marvin Martin (Sosho), Blez Matuidi (Paris-SG), Samir Nasri (Man.Siti), Mathju Valbuena (Marsejë).
Sulmues: Karim Benzema (Real Madrid), Kevin Gameiro (Paris-SG), Bafetimbi Gomis (Lion), Loik Remi (Marsejë), Zheremi Menez (Paris-SG), Frank Riberi (Bajern).

Lista e Kuzhes
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, pritet të shpallë sot listën për ndeshjet ndaj Francës dhe Rumanisë. Teli, Lala, Agolli, Bogdani janë të pezulluar për shkak të numrit të kartonëve, ndaj këto mungesa do t’i imponojnë atij ndryshime në të gjitha repartet. Një tjetër mungesë e konfirmuar është edhe Skela, i pezulluar me pesë ndeshje. Ndërsa Bulku ka pësuar një tërheqje në kofshë javën që shkoi dhe rrezikon të mos luajë.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura