Biznesi, Tirana më keq se Vlora, Shkodra dhe Durrësi

Jun 30, 2011 | 10:07
SHPËRNDAJE

Tirana është qyteti më i keq për të bërë biznes për dy arsye: kushton më shtrenjtë dhe ka zvarritje më të madhe të procedurave burokratike.Në disa kategori të tjera shërbimesh situata tingëllon sikur biznesit i është hapur “luftë” dhe në këtë pikë bëhet fjalë për lejet e ndërtimit. Të dhënat e Bankës Botërore për lehtësinë e të bërit biznes reflektojnë faktin se Tirana është më keq se  Shkodra, më keq se Vlora dhe më keq se Durrës. Por si shfaqet situata e marrë veç e veç sipas kategorive që BB vlerëson. Kështu, për të hapur një biznes në Tiranë, kostoja është 31.1 për qind e të ardhurave për frymë. Krahasuar me Shkodrën dhe Vlorën, kryeqyteti është gati 10 për qind më i shtrenjtë. Durrësi është pothuajse në të njëjtat nivele, me një kosto 30 për qind të të ardhurave për frymë. Procedurat mbeten të njëjta në të gjitha qytetet dhe po kaq edhe kohëzgjatja e tyre. Por sa zgjat regjistrimi i pronës në katër qytetet? Edhe këtu Tirana mban rekord. Një biznesi i duhen 33 ditë për të kryer këtë regjistrim, ndërkohë që në Vlorë duhen vetëm 25 ditë, në Shkodër 24 dhe në Durrës 27 ditë. Një tjetër pikë e rëndësishme për biznesin është edhe ajo e zbatimit të kontratave. Ditët e zbatimit të një kontrate në Tiranë janë 390, duke e kaluar një vit, ndërkohë që për qytetet e tjera koha është më pak se një vit me përkatësisht: Vlorën 328 ditë, Shkodrën 331 ditë dhe Vlorën 340 ditë. Kostoja sipas përqindjes së shumës së synuar nga kontrata në Tiranë sërish është më e lartë, me një nivel 35.7 për qind të asaj të synuar, ndërkohë që për Vlorën është 35 për qind, për Durrësin dhe Shkodrën 33.5 për qind. Në këtë pikë duket se të dhënat flasin vetë ku shohim një qytet që më shumë sesa e ndihmon biznesin, e sorollat atë duke i marrë më shumë kohë dhe më shumë para për të njëjtat procedura që në qytetet e tjera, pa dyshim, kushtojnë më lirë dhe procedurat kryhen më shpejt. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, Tirana nuk është vendi ideal në Shqipëri për të bërë biznes, pasi paraqet dobësitë më të mëdha ndër katër qytetet e studiuara, ndërkohë që nga 22 qytetet e rajonit të marra në studim, Tirana renditet e 10-ta. Pika më e dobët e saj duket se mbetet bllokimi i procedurës së dhënies së lejeve të ndërtimit, bllokim që erdhi si rezultat i përplasjeve politike.

Krahasimi i qyteteve

Lejet e ndërtimit

Në ndryshim nga 22 vende të Europës Juglindore që BB mori në studim, Tirana është i vetmi që ka të bllokuar procedurën e dhënies së lejeve të ndërtimit. Në këtë kategori, Shkodra është qyteti që paraqitet me performancën më të mirë, duke u renditur e 3-ta ndër 22 qytetet. Pas saj vjen Vlora, e cila renditet e 9-ta.

 

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura