Biznesi, debat me qeverinë për TVSH dhe siguracionet

Feb 29, 2012 | 11:18
SHPËRNDAJE
Basha dje duke inauguruar qendrën e licensimit

Sigurimet dhe TVSH-ja janë bërë objekt i diskutimit të djeshëm në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit. Duke qenë se të dy projektligjet paraqesin rëndësi të veçantë për biznesin, ministri i Ekonomisë Nasip Naço në fjalën e tij u shpreh se biznesi do të mund të japë mendimin e tij të plotë në një moment të dytë, pasi të ketë diskutuar këto ndryshime me organizmin përfaqësues. Nga ana tjetër, edhe zëvendësministri i Financave, Alfred Rushaj, theksoi rëndësinë e konsultimit të këtyre projektligjeve me biznesin dhe dhënien e mendimit nga grupet e interesit. “Dy projektet janë të rëndësishme, që për një kohë të gjatë mund të rregullojnë marrëdhëniet e operatorëve, si për sa i përket tatimit të vlerës së shtuar, ashtu edhe në tregun e sigurimeve. Do të kërkoja që propozimet dhe komentet tuaja të na i nisni në Ministrinë e Financave”, tha Rushaj. Ai theksoi se të dy projektligjet janë hartuar në bazë të direktivave të BE-së.
Duke nisur nga dje, lejet dhe licencat në Bashkinë e Tiranës do të merren në një sportel të vetëm. Krijimi i “One Stop Shop” për lejet dhe licencat u parapri nga një reformë tërësore e procesit të licencimit në Tiranë, e cila çoi në reduktimin e barrierave administrative, uljen e kostos për biznesin dhe zvogëlimin e hapësirës për informalitet dhe korrupsion, duke përmirësuar ndjeshëm klimën për biznes në Tiranë. Sportelet e dedikuara për biznesin do të jenë të hapura gjatë gjithë javës dhe do të kryejnë procedurat e informimit për taksat dhe tarifat vendore, pagesat e detyrimeve, regjistrimin e biznesit, si dhe pajisjen me leje e licencë, që Bashkia e Tiranës lëshon në fushat përkatëse. Lejet dhe licencat që kërkohen për aktivitete të veçanta ekonomike që do të merren në vijim dhe procedurat e shqyrtimit të dokumentacionit do të zgjasin nga 7 deri në 10 ditë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, shprehu edhe një herë vendosmërinë dhe angazhimin e tij për ta bërë Tiranën qytetin më miqësor për biznesin. “Unë dua të shpreh vendosmërinë time dhe të Bashkisë së Tiranës për një klimë miqësore për bizneset ekzistuese dhe ato të reja”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura