Bizneset pas shpërthimit me tritol: Duam dëmshpërblim!

May 31, 2014 | 13:12
SHPËRNDAJE

Pasojat e shpërthimit të pallatit 9-katësh
Bizneset që u dëmtuan si pasojë e shpërthimit të telekomanduar, i cili u përdor për shembjen e pallatit 9-katësh te Shkëmbi i Kavajës, kërkojnë dëmshpërblim.
Sipas pronarëve të objekteve në funksion që ndodheshin përreth objektit pa leje që u shemb, shpërthimi ka lënë pas dëme të shumta materiale. Pas largimit të resë që mbuloi zonën, pronarët dhe menaxherët e hoteleve, lokaleve dhe bizneseve të tjera, konstatuan se dëmet llogariten në mijëra euro. Asnjë prej objekteve që ndodhej në një perimetër 50-60 metra larg shënjestrës nuk ka mundur të shpëtojë pa u dëmtuar, ndërsa thyerje xhamash dhe vetratash u vunë re edhe në një rreze më të largët. Katër objektet që rrethojnë pallatin e rrënuar tashmë kanë dëmtime të rënda, por edhe ato të ngritura në pjesën e sipërme të autostradës Plepa-Rrogozhinë kanë pësuar dëme. Pjesa më e madhe e pronarëve kanë qenë shumë të irrituar pas shpërthimit. Ata kanë vënë duart në kokë kur panë dëmet, duke u shprehur se hotelet kanë dalë jashtë përdorimit në një kohë kur sezoni është çelur. “Shih e shkruaj”, bën me dorë pronari i hotelit ngjitur, duke shtuar se panelet diellore që ndodheshin në tarracën e hotelit nuk funksionojnë. “Nuk kam ç’të them. Katastrofë e vërtetë. Për xhamat e thyera nuk po ankohem, por ka dëme të shumta brenda objektit. Muret me kartonxhes janë shkatërruar, së bashku me mobiliet që ndodheshin brenda. Nuk kam një javë që vendosa panelet diellore, me vlerë 30 mijë euro. Ato janë shkatërruar plotësisht dhe aktualisht nuk ka ujë hoteli, as të ngrohtë dhe as të ftohtë. Shteti duhet të kishte gjetur një mënyrë tjetër. Dëmshpërblimi nuk mjafton, pasi ne duam edhe një muaj për ta vënë sërish në funksion hotelin”, shprehet pronari i hotelit “Bella Vista”. Të njëjtën gjë thotë edhe pronari i objektit trekatësh në funksion, i cili ndodhet në veri të shumëkatëshit që u shemb. “Shteti nuk gjeti as mundësinë dhe as kohën e duhur për të shembur pallatin. Nuk jam kundër ligjit, por vetëm në këto momente që ka nisur sezoni turistik nuk duhet të kishin ndërhyrë. Mos ta lejonin të ndërtonte, pse e lanë?! Ç’kusur e kemi ne? Kjo ishte faturë shumë e rëndë dhe kërkojmë dëmshpërblim. Na thanë që nuk do ketë dëmtime të rënda”, shton ai. Sipas pronarëve, përfaqësues të INUK kanë qenë dje paradite, por pa u treguar se kush është përgjegjës për dëmshpërblimin. Ata janë larguar duke ua lënë vendin fadromave të Inspektoratit Ndërtimor për të pastruar rrënojat. Kryerja e punimeve për copëtimin dhe largimin e inerteve do të krijojë probleme sa i përket trafikut në rrugën dytësore Plepa-Golem, pasi pritet të zgjatë dhe disa ditë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura