Bizneset në Velipojë, në listë para nisjes së sezonit veror

Apr 30, 2012 | 14:20
SHPËRNDAJE

SHKODER – Kush do të hapë biznese në plazhin e Velipojës, duhet të bëjë regjistrimin para se sezoni të nisë. Komuna e Velipojës ka vendosur që të bëjë listimin dhe sistemimin e të gjitha bizneseve si dyqane, ashtu dhe ambulatorë, para dyndjes së turistëve. “Këshilli i Komunës ka pranuar kërkesën tonë që të vendosim një rregull në njësitë tregtare dhe shërbimet që do të hapen këtë verë. Nuk do të lejojmë që të kemi amulli dhe kaos”, ka pohuar kryetari i komunës së Velipojës, Pashko Ujka. Ai ka sqaruar se komuna e Velipojës ka parashikuar investime të rëndësishme të cilat do të realizohen me taksat vendore, ndaj mbledhja e tyre është një ndër prioritetet e komunës së Velipojës. Thirrja për t’u regjistruar në komunën e Velipojës i është drejtuar si bizneseve që kanë vite që ushtrojnë aktivitetin e tyre në plazhin e Velipojës, ashtu dhe personave që duan të hapin aktivitet tregtar apo shërbime për herë të parë. “Ne jemi të interesuar që të vijnë sa më shumë biznese që të regjistrohen, dhe ato të jenë serioze. Duam që pushuesit në plazhin e Velipojës të gjejnë shërbimet më të mira dhe cilësitë e mallrave që tregtohen të jenë konkurruese”, ka pohuar Pashko Ujka. Sipas tij, një arsye pse po bëhet më parë listimi i bizneseve që do të ushtrojnë aktivitetin në plazhin e Velipojës është edhe sistemimi i tyre sipas disa kushteve. “Ne duam që njësitë tregtare, shërbimet e ndryshme të jenë të shpërndara njëlloj në të gjithë gjatësinë e plazhit. Nuk duam që të kemi situatat e viteve të shkuara, ku kemi pasur zona të caktuara me dyndje njësish tregtare dhe zona të tjera me mungesa të theksuara të tyre”, deklaron kryekomunari. Ai ka shtuar se gjatë kësaj periudhe është ndërhyrë në plazhin e Velipojës duke shembur ndërtimet pa leje, të cilat kanë shërbyer edhe si njësi tregtare apo shërbime. Gjithashtu janë shembur dhe disa tregje të vogla të improvizuara nga tregtarët. “Në këto kushte, ne duhet të shohim mundësinë që këtyre bizneseve t’u krijojmë mundësinë për të kryer funksionin e tyre, na duhet t’u ofrojmë një vend, sigurisht nëse paguajnë detyrimet ligjore”, ka shtuar Ujka. Komuna e Velipojës është e vendosur që nga bizneset të marrë të gjitha detyrimet financiare. “Punën me bizneset e kemi nisur që një vit më parë, kemi bërë database dhe detyrimet e prapambetura trashëgohen. Nuk lejojmë që të paguhen detyrimet e 2012-s, pa shlyer ato të mëparshme”, ka këmbëngulur Ujka.                               r.dibra

Vjet u mblodhën 65 milionë lekë
Në plazhin e Velipojës, një vit më parë kanë qenë të regjistruar nga drejtoria e të ardhurave të komunës Velipojë 300 hotele, 350 lokale, rreth 70 vendqëndrime në plazh (shezllone), shtëpi pushimi rreth 520, ndërsa biznese të tjera janë 140. Një vit më parë, nga ana e kësaj komune janë mbledhur 65 milionë lekë, rreth 40 milionë lekë më shumë të mbledhura në krahasim me vitet e shkuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura