“BiznesAlbania”: Starton kursi i dytë i modelistëve të këpucëve

Feb 4, 2017 | 10:47
SHPËRNDAJE

Në kuadër të projektit “Fashion VET–AL”, “BiznesAlbania” lançoi dje hapjen e kursit të dytë të modelistëve të këpucëve me punëkërkuesit e papunë, të cilët duan të marrin një zanat në fushën e modelimit të këpucëve.

fashion

“BiznesAlbania” informoi se kursi do të zhvillohet për një periudhë tremujore dhe do të drejtohet nga ekspertë italianë në sektorin e këpucëve të përzgjedhur nga Konfederata Kombëtare e Mjeshtërve (CNA) në rajonin e Marche-s të Italisë, të cilët janë bashkëpunëtorë në këtë projekt, së bashku me Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Së bashku me ekspertët italianë, pjesë e grupit të ekspertëve do të jenë edhe ekspertë shqiptarë. Kursi ofron mundësi të larta në ngritjen e kapaciteteve të njohurive, në modelimin e këpucëve nga fazat fillestare, njohja me terminologjinë, materialet dhe proceset e punës, si dhe finalizimi i tyre me krijimin e modeleve nga vetë kursantët. Mjeshtrit italianë që ofrojnë kursin unik në vendin tonë janë të njohur në gjithë botën për prodhimin e këpucëve.

Gjatë kësaj periudhe, kursantët do të ndjekin modulet për njohuritë kryesore siç janë: parimet bazë të projektimit të modelimit, sistemet e prodhimit të këpucëve, projektimet e modeleve të ndryshme sipas stilit dhe formës, dhe parimet e marketingut në fushën e këpucëve etj.

Sipas “BiznesAlbania”, në përfundim të këtij kursi kursantët do të pajisen me certifikata të njohura nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe nga shteti italian, si dhe do t’u jepet mundësia e punësimit në sektorin e prodhimit të këpucëve në Shqipëri, i cili ka nevoja shumë të mëdha për këtë profesion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura