Bileta, nga 30 në 50 lekë, banorët protestojnë

Jan 31, 2012 | 19:13
SHPËRNDAJE

GJIROKASTËR- Rritja e menjëhershme e çmimit të biletës së shërbimit urban ka detyruar sot qindra banorë të qytetit të Gjirokastrës të protestojnë pranë institucionit të Bashkisë. Prej mëse një jave, linja urbane e transportit privat në lagjet Dunavat dhe Manalat, ka rritur në mënyrë abuzive tarifën e transportit, duke e çuar atë nga 30 në 50 lek. Sipas drejtorit të Zyrës së Shërbimeve në Bashkinë e Gjirokastrës Dashmir Sejdo, rritja e biletës në masën 40% është krejtësisht abuzive, ndërkohë pushteti vendor ka nisur një investigim për të verifikuar shkeljet ligjore.

Ndërkohë, banorët e revoltuar janë shprehur të indinjuar për shumën që paguajnë kjo për faktin se lëvizjet e tyre, duke llogaritur vajtje-ardhje arrijnë minimalisht në 100 lekë për person.

Në qytetin e Gjirokastrës prej vitesh nuk funksionon shërbimi abone ndonëse shërbimet publike në Bashkinë e Gjirokastrës edhe pse kanë një kontratë ligjore me pushtetin vendor, asnjëherë nuk janë respektuar nga administratorët privatë. Pushteti vendor në Gjirokastër, pritet të ndërhyjë ditët e ardhshme për të ndaluar këtë abuzivitet në kurriz të konsumatorit.

Piro Nase

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura