Beteja për Tiranën

Feb 26, 2011 | 13:21
SHPËRNDAJE

ARDIT CELA

U bënë pothuajse dy vjet që situata politike në Shqipëri përjeton një prej ngërçeve të saj më të mëdha, ngërç i cili ka kulmuar kohët e fundit me një tension vërtet të fortë dhe me një përplasje, e cila në të vërtetë ka vetëm një viktimë, popullin shqiptar. Por a është kjo një situatë, e cila është krijuar  spontanisht? A është kjo një situatë, e cila vjen si rrjedhojë e një akumulimi logjik të ngjarjeve? Apo është në fakt pjesë e një strategjie, që është mirëmenduar nga lidershipi i Partisë Socialiste dhe nga kryetari i saj, Rama? Sigurisht që nisur nga ndjeshmëritë dhe ndoshta përkatësitë, gjithsecili mund të japë opinionin e tij, por nëse do të ishim realistë dhe nëse do të ishim gjakftohtë në arsyetimin tonë, nuk mund të dalim veçse në përfundimin se gjithçka është nisur e më pas tjerrë me kujdes nga ana e kryetarit Rama. Humbja e zgjedhjeve të 28 qershorit e kërkonte një alibi të fortë. Një linjë logjike duhej krijuar, forcuar, përsëritur e ngulitur në mendjen e njerëzve pikërisht për të krijuar idenë se kryetari Rama nuk ishte një humbës, sepse nëse do të ishte humbës, do t’i duhej të linte karrigen e kryetarit. Në funksion të kësaj strategjie u ngrit aksioni opozitar për zgjedhjet e 28 qershorit, jo për të hetuar zgjedhjet, jo për të ndryshuar rezultatin, pasi kryetari Rama dhe të tjerët e dinin fare mirë se as njëra, e as tjetra nuk mund të ndodhte në formën që ata do të donin, e madje as e dëshironin, sepse vetë i bënë e vetë i firmosën, por për të rikonfirmuar edhe njëherë veten në krye të partisë dhe për të përligjur arsyetimin e tij se zgjedhjet i ishin vjedhur. I bëri të gjitha, nga protestat, bojkoti e deri tek greva e urisë. Tashmë alibia u krijua. Tashmë ai ishte sërish kryetari i partisë. Por, nëse kjo strategji u mendua fillimisht për këtë arsye, fryma u mbajt gjallë e madje u radikalizua më shumë për një arsye tjetër. Zgjedhjet e 8 majit janë mu përpara syve tanë dhe ne i shohim, tek pragu i derës. Ato po trokasin. Nga zërat që vijnë brenda Partisë Socialiste flitet se në sondazhe, pikët e kryetarit Rama janë në kuotat më të ulëta, aq sa mund të rezultojë humbës me kundërshtarët potencialë të mazhorancës. E në të vërtetë, arsyet e një humbjeje të mundshme për kryetarin Rama në një betejë për Tiranën janë të shumta. Edi Rama ka arritur të jetë fitues në tri situata krejt të ndryshme. Dy herët e para, kjo ka ndodhur kur Partia Socialiste ka qenë në pushtet dhe duke pasur kulmin e fuqisë e shkëlqimit të saj. Mbështetja e pakursyer dhe e fortë, universale e Ilir Metës në atë kohë dhe Partisë Socialiste në të gjitha drejtimet, bëri që Tirana të shihte zhvillime shumë pozitive dhe bëri që Rama të rizgjidhej për herë të dytë në krye të bashkisë. Ndërkohë që herën e tretë, po ashtu, ishte vetëm falë koalicionit dhe mbështetjes së Ilir Metës, që Edi Rama arriti të rikonfirmohej në krye të bashkisë. Por, në betejën e parë që z. Rama u përball i vetëm, ai humbi. Edi Rama i humbi zgjedhjet e 28 qershorit, sepse ai e përçau të majtën. Gjithashtu, një element tjetër shumë përcaktues është performanca e kryetarit Rama në këto katër vitet e fundit. Një prej drejtuesve më të fuqishëm të Partisë Socialiste, pas z. Rama, u shpreh para pak kohësh se ishte shumë i kënaqur me Edi Ramën në krye të PS-së. Sepse sipas tij, z. Rama i kushtohej 12 orë në ditë, nga mëngjesi deri në darkë, Partisë Socialiste. Duke e falënderuar për sinqeritetin, të gjithë e mendojmë fare lehtë se sa sekonda u përkushtohet në të vërtetë Edi Rama problemeve të qytetarëve të Tiranës. Braktisja ndaj halleve të tyre është e dukshme, pasi investimi i energjive të tij është totalisht në drejtim të menaxhimit të partisë. Në mendjet e njerëzve është krijuar tashmë ideja se përsa kohë Rama e ka pasur një “tutor” në krye, ai fitonte, ndërkohë që tashmë që është vetë në drejtim, ai është një humbës. Njerëzit që e votonin kryesisht artikulonin faktin që Rama nuk është politikan, por ai e drejton mirë Tiranën. Tashmë edhe këtë argument e ka humbur. Ai ka katër vjet që e ka harruar Tiranën dhe qytetarët e saj. Sepse në fakt,  problematika në Tiranë është shumë e mprehtë. Problemet e trafikut, të infrastrukturës, të mjedisit, betonizimi i tejskajshëm, shërbimi e transporti publik, pastërtia e një sërë problemesh me të cilat qytetarët duhet të merren çdo ditë janë të dukshme, të prekshme. E vetmja rrugëdalje që Rama ka menduar, në kushtet kur është i ndërgjegjshëm se e ka thuajse të pamundur që në kushte të tilla të rezultojë fitues, është që ta kthejë betejën e Tiranës nga një betejë që duhet të jetë administrative, sepse hallet dhe problemet e qytetarëve  të tilla janë, në një betejë politike. Prandaj edhe klima politike ka arritur në nivele të tilla. Prandaj u celebrua edhe bashkëjetesa me Priftin, kur e dimë fare mirë se çfarë ka thënë njëri për tjetrin vetëm gjashtë muaj më parë. Prandaj dora e kryetarit Rama sajoi edhe ngjarjet e 21 janarit, për të ndezur klimën dhe për ta orientuar këtë në një betejë politike. Goditjet ndaj Metës dhe Bashës u sajuan  pikërisht për këtë arsye dhe janë tërësisht politike. Fati politik i Ramës është i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e të qenit ose jo në krye të Bashkisë së Tiranës, dhe kjo, jo vetëm për arsye politike. Tashmë u takon qytetarëve të Tiranës, që të votojnë për veten e tyre, apo të votojnë për një njeri të vetëm. Të votojnë për zgjidhjen e halleve dhe problemeve me të cilat përballen çdo ditë, apo të pranojnë moszgjidhjen e këtyre problemeve, vetëm për fatin e një njeriu, e cili ka katër vjet që nuk mendon për ta, i cili në fund të fundit…ka në dorë vetëm një votë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura