Besa dhe Elina, mbrëmje poetike në Metropol

Jul 21, 2011 | 10:43
SHPËRNDAJE

Muzikë dhe letërsi. Nëna sjell kujtesën, e bija të ardhmen. Shkrimtarja Besa Myftiu dhe këngëtarja Elina Duni do të bashkohen sot në Teatrin e Metropolit në një mbrëmje artistike me letërsi dhe këngë. Në sallën “Çehov” të Teatrit të Metropolit, Besa Myftiu do të interpretojë poezi nga vëllimi “Miq të humbur” dhe fragmente nga romani “Rrëfime nga vendet e harruara”, ku ajo rrëfen jetën e saj gjatë viteve të diktaturës. Kjo atmosferë intime rrëfimi do të shoqërohet me një kolazh të zgjedhur këngësh, të interpretuara nga e bija, Elina Duni. Këngëtarja e njohur e muzikës jazz, që jeton në Zvicër, do të interpretojë disa këngë nga repertori i saj, ku gërshetohet muzika tradicionale shqiptare dhe ajo jazz. Një miksim që ka tërhequr vëmendjen e publikut në shumë skena ku ajo ka interpretuar. Elina Duni nuk është e panjohur për publikun shqiptar. Vetëm një vit më parë, ajo dha një koncert në Akademinë e Arteve së bashku me kuartetin e saj, ku u prit mjaft mirë. Koncerti do të jetë sot në orën 19:00, duke thyer pak heshtjen e verës së thatë me aktivitete artistike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura