Berluskoni bën gati ofertën për Ronaldon

Jan 31, 2012 | 14:57
SHPËRNDAJE

Superylli i Real të Madridit, Kristiano Ronaldo, mund të largohet nga Spanja në fund të sezonit. Sipas mediave spanjolle dhe atyre italiane, destinacioni i mundshëm i portugezit mund të jetë Mançester Siti ose Milani. Presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni, i inkurajuar nga lajmi që Ronaldo po ndërton një shtëpi pushimi në liqenin e Komos, i ka shpallur luftë sheikut të Mançester Sitit për portugezin. Nga mediat italiane mësohet se Berluskoni ka një simpati të veçantë për Kristiano Ronaldon, ndërsa shikon tek ai futbollistin e duhur me anë të të cilit skuadra e “Djallit” do të dominojë Europën. Berluskoni për të siguruar shërbimet e portugezit është gati të ofrojë 170 milionë euro. Një pjesë të kësaj shume ai kërkon ta përfitojë nga shitja e Patos dhe Robinjos. Gjatë orëve të fundit po mendon për një shkëmbim kokë më kokë ndërmjet Ibrës dhe Kristiano Ronaldos. Aktualisht, marrëdhëniet e Kristiano Ronaldos me klubin spanjoll dhe tifozerinë e tij nuk janë nga më të mirat. Të shumtë janë tifozët, të cilët nuk e durojnë dot CR7 për karakterin e tij.

Ibrahimoviç
Të shumtë janë specialistët e futbollit, të cilët mendojnë se për suedezin ky është sezoni më i mirë që ka zhvilluar që kur ai ka ardhur në Itali. Menaxheri i tij, Mino Raiola, gjatë emisinoit sportiv “ControCampo” ka kërcënuar drejtuesit e Milanit mbi të ardhmen e futbollistit. Ai në fillim ka fiksuar çmimin që kërkon Milani për kartonin e tij, dhe më pas i ka kërkuar administratorit të klubit kuqezi një rritje rroge, e cila nëse nuk vjen, do shtyjë Ibrën të largohet nga Milani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura