Berisha: Taksat, 150 milionë USD ulje

Jan 31, 2013 | 11:50
SHPËRNDAJE

Heqja e tatimfitimit për pagat deri në 30 mijë lekë dhe heqja e TVSH-së për makineritë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 150 milionë dollarë. Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e qeverisë se ky shtrëngim i përkohshëm rrit sot të ardhurat e qytetarëve dhe ka efekt pozitiv në të ardhmen. “Sigurisht, këto masa do të kenë në mënyrë të pashmangshme një efekt negativ mbi buxhetin, sepse makineritë që importoheshin me TVSH, natyrisht, ishte një e ardhur e rëndësishme në buxhet, jo më pak se 150 milionë dollarë. Të dyja këto masa së bashku do të jenë minus në buxhet, por reformat kanë gjithnjë këtë logjikë: një shtrëngim i përkohshëm, dhe kjo në këtë rast, fatmirësisht, jo për qytetarët. Përkundrazi, për ta është një efekt shumë pozitiv”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha tha gjithashtu se drafti për heqjen e tatimfitimit do të përgatitet në ditët e ardhshme dhe do t’i kalojë Parlamentit për miratim. Në sektorin publik janë rreth 15 mijë persona që përfitojnë nga kjo masë e Ekzekutivit, ndërsa në sektorin privat janë rreth 200 mijë të punësuar. “Kjo rritje është rritja më e madhe që këta punonjës kanë njohur në tërë jetën e tyre në këto sipërmarrje. Kjo rritje konsolidon më tej taksën e sheshtë. Nuk ka diskutim që taksa e sheshtë është taksa më optimale, por, gjithnjë, si çdo model, edhe modeli ynë ultraliberal ka nevojë për përmirësime, ka nevojë për reformimin e tij të vazhdueshëm, dhe ky është një reformim në frymën e tij. Po të mos ishte taksa e sheshtë, nuk do mund të imagjinohej vendimi që do të merret së shpejti nga kjo qeveri. Është pikërisht taksa e sheshtë që bëri të mundur marrjen e këtij vendimi”, theksoi Berisha. Në mbledhjen e qeverisë, Kryeministri sulmoi gjithashtu alternativën e opozitës për vendosjen e taksimit progresiv. “Ata që sulmojnë taksën e sheshtë, e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë, është një mashtrim absolut, mashtrimi më i paskrupullt. Ajo është e njëjtë si përqindje, por e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat e të ardhurat nga njëra-tjetra. Në thelbin e në të vërtetën e saj, ajo është taksë proporcionale, por natyrisht, jo në urrejtjen ndaj të pasurve”, tha lideri i maxhorancës. Sipas tij, “në mënyrën më të përsëritur, politika që kanë synuar të zgjidhin problemet e të varfërve, duke shkatërruar të pasurin, kanë falimentuar totalisht dhe kanë sjellë të kundërtën, kanë shtuar në progresion gjeometrik numrin e të varfërve. Ato janë politika që bazohen në instinkte, fakultetet e errëta të njeriut, të zilisë për atë që ka. Politika të cilat janë elaboruar apo kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës të Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka, që gazetarët investigativë gjetën edhe dokumentin e tij, por që do t’u mbetet vetëm arkivave”.

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura