Berisha-Tahiri: Bisedimet me Serbinë nuk prekin kufijtë

Mar 31, 2011 | 14:50
SHPËRNDAJE

TIRANË- Bisedime me Serbinë në nivel teknik dhe asnjë iludim për statusin apo kufijtë. Këtë kanë riktheksuar sot gjatë një takimi, kryeministri Sali Berisha dhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, e cila është dhe kryetare e delegacionit kosovar që merr pjesë në bisedimet mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili diskuton për çështjet teknike të bashkëpunimit, në Bruksel.

Në takim u rikonfirmua qëndrimi i prerë dhe paekuivok se këto janë vetëm bisedime teknike që kanë të bëjnë me çështje të jetesës së përditshme së qytetarëve të këtyre dy vendeve,të pavarura e sovrane, përkatësisht Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe nuk bëhet fjalë, në asnjë rast, për çështje që kanë të bëjnë me sovranitetin apo ndryshim të kufijve.

“Në këtë kontekst u theksua se ekzistojnë shumë Mitrovica në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe çdo lloj aludimi apo ideje për rikonfigurim të kufijve ndërkombëtare nuk i shërben stabilitet, sigurisë dhe paqes në rajon”- bën me dije zyra për shtyp e kryeministrit.

Sipas njoftimit, u vlerësua bashkëpunimi dypalësh, ndërkohë që Tahiri vlerësoi mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës, për sa i përket njohjes ndërkombëtare të saj, por edhe për sa i përket konsolidimit të vendit dhe rolit të saj, si në forumet e bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në aspiratat  e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura