Berisha shtyn ndryshimet në Qeveri

Apr 21, 2011 | 10:03
SHPËRNDAJE

Kryeministri Sali Berisha shtyn për pas zgjedhjeve të 8 majit ndryshimet në qeveri.Megjithëse deklaroi se riformatimi i kabinetit qeveritar do të bëhej brenda kësaj jave dhe do të kalonte për votim në Parlament, kreu i qeverisë ka ndryshuar mendje në momentet e fundit. Pavarësisht se ajo e djeshmja ishte një ditë e ngjeshur me takime elektorale, Berisha ka firmosur propozimin për Presidentin Bamir Topi përpara se të udhëtonte drejt Ballshit. I vetmi ndryshim në portofolat ministrorë do të jetë ai i Ministrisë së Brendshme, e cila, duke filluar nga java e ardhshme, do të drejtohet nga Bujar Nishani. “Në mbështetje të pikës 1, të nenit 98, të Kushtetutës, propozoj shkarkimin e z. Bujar Nishani nga detyra e ministrit të Drejtësisë; emërimin e z. Bujar Nishani në detyrën e ministrit të Brendshëm”, thuhet në letrën e kreut të qeverisë, drejtuar Presidentit Topi. Gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së koalicionit të djathtë nuk është hera e parë që Nishani mban postin e ministrit të Brendshëm. Në mars të vitit 2007, në përfundim të zgjedhjeve lokale, deputeti i PD-së mori detyrën e re, të cilën e mbajti deri në krijimin e qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Kryeministri Berisha ka gjykuar të mos e lërë pa drejtues Ministrinë, e cila ka një peshë shumë të rëndësishme në këtë periudhë parazgjedhore, por edhe gjatë ditëve të numërimit të votave. Vendimi i djeshëm i kreut të qeverisë vjen pas disa zhvillimeve të rëndësishme që prekin direkt këtë dikaster. Dy ditë më parë ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, i cili, pas një takimi me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, deklaroi se roli i forcave të rendit është i rëndësishëm përsa i përket ruajtjes së qetësisë në ditën e zgjedhjeve. Një tjetër ngjarje, e cila mori një hapësirë të madhe në media, ishte edhe përplasja e ministrit në detyrë, Avenir Peka, me një nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit. Këto zhvillime mund të kenë ndikuar në vendimin e kreut të Ekzekutivit për të emëruar Bujar Nishanin në krye të Ministrisë së Brendshme. Në të njëjtën kohë, pas propozimit të djeshëm drejtuar Presidentit, ajo që kuptohet është fakti se nuk do të ketë lëvizje të tjera në kabinetin qeveritar përpara zgjedhjeve të 8 majit. Kështu, Ministria e Kulturës, e cila tani drejtohet nga zv.ministrja Suzana Turku dhe Ministria e Drejtësisë do të kenë drejtuesit e tyre vetëm në përfundim të procesit elektoral. Ajo që pritet tani është koha se kur do ta dekretojë kreu i shtetit lëvizjen më të fundit në kabinetin qeveritar. Në rastin më të mirë, nëse Presidenti do ta hedhë gjatë paradites së sotme firmën mbi dekret, ai do të kalojë me urgjencë në seancën parlamentare, e cila fillon në orën 10:00 dhe dy çështjet më të rëndësishme janë miratimi i ligjit të amnistisë dhe shtyrja e afatit të veprimtarisë së Komisionit hetimor për ngjarjet e 21 janarit. Sipas nenit 98 të Kushtetutës, Presidenti ka 7 ditë kohë për të emëruar ministrin e ri. “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”, thuhet në Kushtetutë. Kjo do të thotë se nëse Topi do të konsumojë të gjithë afatin që i jep ligji themeltar, votimi i Bujar Nishanit ngelet për javën e ardhshme.

Konflikti Peka-Prençi te Policia

Një javë më parë, ministri në detyrë, Avenir Peka, u akuzua nga kreu i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, Shemsi Prençi, se e ka urdhëruar të shtypë militantët e PS-së gjatë një përplasjeje fizike në Kamzë. Prençi ka depozituar një kallëzim penal për Pekën teksa tha se kallëzimi mori shkas nga kërcënimi që ai pretendon t’i jetë bërë nga ministri në detyrë. Sipas Prençit, zv.ministri i ka urdhëruar atij të dërgojë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në incidentin në Bathore, por që Prençi nuk e ka zbatuar. Ai ka deklaruar se “nuk ka qenë i nevojshëm dërgimi i forcave speciale në incidentin e ndodhur në Bathore, sepse ishte policia e rendit ajo që mund ta zgjidhte shumë mirë këtë çështje”. Nga ana e tij, edhe Peka depozitoi një kallëzim për Shemsi Prençin. Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se të dy funksionarët e lartë i kanë raportuar për ngjarjen, por pa dhënë hollësi për shkak se çështja është në hetim nga Prokuroria.

Në 2007-n pa ministër të Brendshëm

Kandidimi i Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës e detyroi atë të heqë dorë nga posti i ministrit të Brendshëm. Në të njëjtën pozitë, kryeministri Sali Berisha u vendos edhe katër vjet më parë, kur Sokol Olldashi, atëherë ministër i Brendshëm, u fut në garën për Bashkinë e kryeqytetit. Por përpara zgjedhjeve të 18 shkurtit 2007, kreu i qeverisë nuk ndërmori ndryshime në kabinetin qeveritar, duke e lënë këtë dikaster për rreth tre muaj me zv.ministër. Në përfundim të zgjedhjeve lokale postin e lënë bosh nga Sokol Olldashi e mori Bujar Nishani deri në krijimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të përgjithshme.

 

ADI SHKEMBI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura