Berisha rrezikon skualifikim

Jan 31, 2014 | 13:34
SHPËRNDAJE

Menaxheri Raça: Sot bisedojmë me FIFA-n për situatën

Etrit Berisha mund të pezullohet tre muaj nga FIFA, për shkak të kontratës që nënshkroi me Kievon dhe më pas deklaroi se kishte firmosur pa ditur mirë se çfarë kishte ndodhur asokohe mes klubit veronez dhe suedezëve të Kalmarit.
Media italiane gjithnjë e më shumë i ka mëshuar faktit se për portierin e Shqipërisë pritet një skualifikim në shenjë ndëshkimi nga FIFA. Lacio nga ana e saj ka deklaruar se ka firmosur një kontratë të rregullt me portierin dhe se gjithçka është konform rregullave. Nëse Berisha do të kishte bërë ndonjë gabim që cenonte rregulloren, atëherë ai mund të ishte penalizuar nga federata italiane dhe gjithçka mund të ishte zgjidhur që në shtator. Mbetet e paqartë se përse duhet të ndërhyjë FIFA në këtë rast, duke qenë se edhe klubi i Kievos nuk ka shfaqur së fundmi asnjë tendencë revanshi apo hakmarrjeje kundrejt lojtarit shqiptar. Veronezët nuk janë ndier fare gjatë muajve të fundit për këtë çështje. Agjenti i portierit të Kombëtares, Elver Raça, pritet të ketë sot një bisedë me përfaqësues të FIFA-s. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, menaxheri i futbollistit nuk pranoi të jepte detaje të hollësishme rreth ngjarjes, duke pohuar vetëm se sot do të ketë bisedime serioze për këtë çështje. “Nesër (sot) do të kem një bisedë me përfaqësues të FIFA-s dhe pas kësaj mund të flas më konkretisht mbi çështjen. Më shumë se kaq nuk mund t’ju them dot për momentin”, deklaroi Raça. Etrit Berisha po kalon momentin më të mirë te Lacio, që kur firmosi për këtë ekip në verën e vitit të kaluar. Portieri ka luajtur 9 ndeshje si titullar te bardhekaltërit dhe së fundmi “shfrytëzoi” më së miri një dëmtim të Marketit, duke treguar vlerat e larta që ka dhe duke i bindur të gjithë dyshuesit se nuk është rastësisht në një klub kaq të rëndësishëm. Pikërisht në këtë moment, futbollistit të përfaqësueses shqiptare i del një problem i tillë, i mbartur nga vera e kaluar. Ai pati nënshkruar në maj një kontratë me Kievon, por më pas u tërhoq, duke preferuar të shkojë te Lacio. Klubi veronez e depozitoi kontratën në federatë dhe pas disa akuzave në distancë mes dy klubeve, dukej se gjithçka ishte zgjidhur, por në fakt nuk rezultoi kështu.

Probleme për Ramën, lë stërvitjen
Valdet Rama ka ndërprerë seancën e djeshme stërvitore për shkak të një problemi që pati në kofshën e majtë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka ndjerë një shqetësim dhe nuk ka dashur të rrezikojë, ndërkohë që sipas mediave spanjolle ai rrezikon të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme kundër Levantes. Rama javën e shkuar realizoi një gol spektakolar kundër Atletik Bilbaos që bëri menjëherë xhiron e Spanjës, por jo vetëm. Mesfushori 27-vjeçar konsiderohet si një ndër lojtarët më të preferuar nga De Biazi, pasi arrin të luajë si mesfushor i majtë i avancuar, por edhe si sulmues i tërhequr ose si sulmues i parë. Ai ka pasur pak hapësira te Real Vajadolidi, gjithsesi ka arritur të tregojë se mund të garojë si i barabartë me të gjithë.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura