Berisha: Rama mashtroi edhe me legalizimet

Jul 31, 2013 | 12:54
SHPËRNDAJE

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje se Rama i mashtroi qytetarët edhe me premtimin e tij për legalizimet falas të banesave. Në një postim në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, sipas kreut të qeverisë, Rama në këto katër vite do të bëjë vetëm inventarizim të banesave, por jo legalizim. “Të dashur miq, premtimi i bujshëm i ‘piktorit’ për legalizimin falas është dhe mashtrimi tjetër i madh i tij. Kështu, pasi për një muaj me radhë hoqi nga fjalori i tij fjalën legalizim, ai dje njoftoi se këtë 4-vjeçar do bëjë vetëm inventarizim si të banesave, ashtu dhe të frymorëve, të cilëve u premtoi dhjetëra herë gjatë fushatës elektorale legalizimin falas të banesave dhe tokës. Kësaj i thonë: O burra ju gënjeva për legalizimin falas se më duhej vota juaj. Unë jam Edi Rama, prapa më vjen gënjeshtra”, u shpreh Berisha. Ish-kreu i PD-së ka reaguar edhe propozimin e Ramës për auditimin me kompani ndërkombëtare të ekonomisë së vendit. “Në fletërrufenë e tij për financat, ‘piktori’ dëshmon padije, vrer dhe injorancë totale në çdo fjalë dhe frazë të tij. Për çdo njeri që njeh abc-në e financave publike është e qartë si drita e diellit se në financat publike të Shqipërisë çdo qindarkë hyn nëpërmjet bankave dhe vetëm bankave, dhe çdo qindarkë shpenzohet nëpërmjet thesarit dhe vetëm thesarit, i cili mund të kontrollohet online nga çdo qytetar”, shkruan Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura