Berisha: Rama, hakmarrje në emër të dajës Koleka e babait

Sep 30, 2014 | 12:45
SHPËRNDAJE

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se me shembjen e monumentit të “dy gishtave lart” në Kavajë, Edi Rama u ka shpallur luftë të hapur demokratëve në të gjithë Shqipërinë. Berisha, në një reagim në Facebook, theksoi se Edi Rama u hakmor ndaj demokratëve sepse në vitin ’91 rrëzuan bustin e diktatorit Enver Hoxha. Për ish-shefin e demokratëve, e vetmja rrugë janë protestat me moton “Rama ik”. “Me këtë akt primitiv, i nipi Spiro Kolekës, njeriut që kërkonte të fuste tanket në dhjetor të vitit ‘90 të Lëvizjes Studentore dhe i biri i skulptorit Kristaq Rama, që firmoste në ato vite varjen dhe ekzekutimin publik të disidentëve dhe qytetarëve të pafajshëm shqiptarë, realizon ëndrrën e zezë të hakmarrjes në emër të dajës dhe babait të tij ndaj atyre që përmbysën regjimin e tyre mizor. Edi Rama, nipi xhelatit të inteligjencës teknike shqiptare dhe i biri i skulptorit kriminel, aktor në gjenocidin njerëzor dhe kulturor të diktaturës hoxhiste, u hakmor sot ndaj demokratëve dhe popullit të Kavajës, por dhe mbarë Shqipërisë për përmbysjen në vitin ‘91 të shtatores së diktatorit Hoxha, Hitlerit shqiptar të pasluftës. Edi Rama sot u shpalli luftë të hapur jo vetëm demokrateve dhe qytetarëve të Kavajës, por demokratëve dhe qytetarëve të mbarë Shqipërisë. Protestat ‘Rama IK’ janë e vetmja përgjigje ndaj klikës në pushtet!”, theksoi dje Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura