Berisha: PS dogji afatet e ankimimit

May 31, 2011 | 12:06
SHPËRNDAJE
Berisha, dje në mbledhjen e Grupit

Kreu i qeverisë, Sali Berisha, tha dje në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, se maxhoranca bëri lëshime në lidhje me disa kuti votimi në favor të Edi Ramës, që ishin me kundërfletë.Sipas Kodit Zgjedhor, këto fletë votimi duhet të shpallen të pavlefshme, por Berisha tha se votat duhet të numëroheshin në përmbushje të vullnetit të qytetarëve. Sipas tij, nëse ato nuk do të llogariteshin, atëherë Rama do të ishte disa qindra vota mbrapa. “Ne i kemi lejuar vetes vetëm një përjashtim, dhe ky përjashtim ka qenë në fletët, të cilat janë gjetur me kundërfletë në kutitë e votimit. Me shumë të drejtë, komisionerët dhe vëzhguesit e të dy anëve i kanë quajtur ato të kontestuara. Por, po të kemi parasysh një element, në rastin e Tiranës, në qoftë se ne do të merreshim edhe me këto vota, kandidati tjetër i Tiranës nuk do të ishte më me minus 81 vota, por do të ishte me minus 300-400 vota. Po ku ishte morali këtu? Unë kërkoj mirëkuptimin e plotë të tyre, sepse ne nuk e bëmë këtë lëshim për zotin Edi Rama. Jo. Ne e mbajtëm këtë qëndrim në respekt të atyre mbi një mijë e ca qytetarëve të Tiranës, të cilët kishin votuar në qendrën e votimit të caktuar nga KQZ-ja, me një komision të miratuar nga forcat politike dhe KQZ-ja, në katër kutitë e votimit, në të njëjtën ditë, në të njëjtën minutë, por që në dëm të tyre, komisioneri i pakujdesshëm kishte vendosur në kuti fletën dhe kundërfletën. Ne nuk gjenim dot moral në këtë pikë. Cilido që të jetë rezultati që del nga rivlerësimi i tyre, është i mirëpritur. Asnjë ide nuk kemi. Ne jemi themeluesit e partisë së votës së lirë, ne duhet të qëndrojmë pas çdo vote”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë sqaroi edhe vendimin e PD-së për të kërkuar vlerësimin e votave të kontestuara në 26 kuti votimi. “Përse ne vendosëm të bëhet rivlerësimi i votave të kundërshtuara? Për të mbrojtur sistemin. Në qoftë se kjo injorohet, atëherë ai ose ajo komisionere, ai ose ajo vëzhguese në qendrën e numërimit, nesër do të druhej, do të hezitonte të ushtronte të drejtën e votës, pasi do të konstatonte se nuk u përfill nga politika. Ndaj dhe ne vendosëm, ndonëse zoti Basha është me 81 vota para”, tha ai.
Berisha e akuzoi PS si të painteresuar për zbatimin e rregullave të sistemit. “Por çfarë ndodhi këto dy ditë? Ju e patë vetë. Zoti Rama, i cili kishte 144 orë afat për të paraqitur, në qoftë se donte, 155 ankesa, dorëzoi vetëm 2 ankesa, dhe ato, natyrisht, i ka me ato vota që ai i quan klandestine, që po të kishte skafe, do të shkonte t’i hidhte në mes të detit, por nuk ka, se kemi bërë moratoriumin, dhe jo me votat e qytetarëve që i ka qeverisur 11 vjet, të hedhura të pastra si kristali, të qarta si rrezja e diellit, të të gjitha kategorive, përfshi dhe nivelet më të larta. Pra, pasi paditi këto vota, nuk bëri asnjë padi tjetër. Pardje ai nxori avokatin e tij të ri, Gramoz Ruçin, i cili tha se ka mospërputhje në tabela etj., etj. Por kush të pengoi ty, o zotëri, që në 144 orë mund të kishe paditur të paktën 2000 kuti votimi dhe tabelat e tyre? Por nuk e bëre, por e bëre pasi u mbyllën të gjitha afatet ankimore”, deklaroi Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar.

 

ERALD KAPRI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura