Berisha: Monumenti i Pavarësisë, te parku ‘Rinia’

Jun 30, 2012 | 14:01
SHPËRNDAJE

Berisha, dje në mbledhjen e Komitetit për 100-vjetorin e pavarësisë

Komiteti shtetëror miraton vendvendosjen pranë Ministrisë së Mbrojtjes.

“Teatri i Kukullave të kthehet në Parlamentin e Tiranës”

Monumenti që do të simbolizojë një shekull shtet shqiptar do të ngrihet në parkun “Rinia”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes.
Komiteti për 100-vjetorin e pavarësisë vendosi dje të zgjedhë pozicionin e këtij monumenti, ndërkohë që alternativa tjetër ishte mes Bankës së Shqipërisë dhe Teatrit të Kukullave. Duke folur në mbledhjen me dyer të hapura të këtij komiteti, Kryeministri Berisha propozoi gjithashtu ngritjen e një ndërtese të re për teatrin e fëmijëve, ndërsa ai aktual të kthehet në Parlamentin e kryeqytetit. “Siç jeni informuar, ka përfunduar monumenti për 100-vjetorin e pavarësisë dhe janë propozuar dy vende, por vendin përfundimtar do ta vendosim sot. Njëri është te parku ‘Rinia’ dhe tjetri është midis Bankës së Shqipërisë dhe Teatrit të Kukullave. Në fakt, duhet të mendojmë për një Teatër Kukullash diku në qendër, pasi do të ishte mirë që atë sallë, e cila është salla e parë e Parlamentit të vendit, ta rindërtonim e t’ia kthenim Bashkisë së Tiranës për Parlamentin e Tiranës”, u shpreh Berisha. Sipas tij: “Kjo bashki e ka sallën e vet të parlamentit për kryetarin e këshilltarët, ndërsa qytetarët nuk mund të ulen kund aty për shkak të vogëlsisë së saj. Si kudo, ashtu siç është Parlamenti i vendit, edhe parlamentet e kryeqytetit kanë lozhat dhe vendin e përcaktuar për qytetarët, për të ndjekur mbledhjet e Këshillit. Kjo kërkon që në elementet e qendrës të mund të gjejmë një vend për Teatrin e Kukullave, pasi edhe ky teatër ndiqet me kënaqësi nga fëmijët e nuk mund t’i privojmë ata prej tij. Por kjo do të bëhet pasi të gjendet se ku mund të ndërtojmë a blejmë një Teatër Kukullash të ri, të përshtatshëm për fëmijët”. Një vendim tjetër i rëndësishëm i komitetit shtetëror ishte vendosja e monumentit të Kongresit të Lushnjës në qendër të këtij qyteti. Sipas Kryeministrit, regjimi komunist jo pa qëllim, për të errësuar këtë ngjarje, ndërtoi në qendër të Lushnjës monumentin e kallinjve të grurit. “Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë se po ky diktator pati nisur sulmin edhe ndaj Ismail Qemalit kur deklaroi për pavarësinë e Shqipërisë: një grup bejlerësh për interesa të tyre tundën flamurin në Vlorë. Por mbrapa diktatori nuk arriti kurrë ta mbrojë më këtë tezë kryekëput antikombëtare, dhe kjo vetëm e vetëm se ai ishte Ismail bej Vlora. Më pas u bë gjithçka që të mos quhej Ismail Bej, iu ndërrua madje edhe ditëlindja, pasi i binte më 16 tetor dhe ia degdisën atë në një muaj tjetër”, tha më tej Kryeministri. Duke prezantuar monumentet e Ahmet Zogut, Hasan Prishtinës dhe Ismail Qemalit, që do të vendosen në kryeqytet, Berisha kërkoi edhe nderimin e figurave të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit dhe Bahri Omarit.

Vendimet e Komitetit
Monumenti i Pavarësisë

Komitetit vendosi që Monumenti i Pavarësisë të vendoset te parku “Rinia”, me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes. Ky vend plotëson të gjithë parametrat për vendosjen e këtij monumenti dhe merr në konsideratë kërkesën e artistëve për ta vendosur këtë monument në një mjedis të gjelbër, si pjesë shumë e rëndësishme e monumentit.

Shtatorja e Ahmet Zogut
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ahmet Zogut të rishikohet. Ndërkohë që u përcaktua si vendvendosje sheshpushimi në fund të bulevardit “Zogu I”.

Shtatorja e Hasan Prishtinës
Komiteti miratoi si vendvendosje të shtatores në sheshin “Paris”, ndërmjet rrugës “Mine Peza” dhe Rrugës së Durrësit.

Shtatorja e Ismail Qemalit
Komiteti kërkoi që shtatorja e Ismail Qemalit të rishikohet dhe u miratua si vendvendosje sheshi në lulishten në kryqëzimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”.

Monumenti i Kongresit të Lushnjës
Komiteti propozoi si vendvendosje për monumentin e Kongresit të Lushnjës sheshin në lulishten qendrore të qytetit. Komiteti la si detyrë që ministri i Turizmit dhe Kulturës t’i përcjellë kryetarit të Bashkisë së Lushnjës dhe kryetarit të Këshillit Bashkiak propozimin e Komitetit dhe të diskutojnë për këtë vendvendosje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura