Berisha: Emigrantët të kthehen e të votojnë për Europën në shtëpitë tona

Apr 30, 2011 | 10:23
SHPËRNDAJE
Berisha dje në Gjirokastër

Kryeministri Berisha i ftoi dje nga Gjirokastra të gjithë emigrantët shqiptarë që të kthehen në Shqipëri. Teksa promovoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Genc Sinoimeri (LSI), lideri i maxhorancës u kërkoi emigrantëve që t’i bashkohen kësaj alternative, ndërsa bëri edhe një përshëndetje speciale për komunitetet etnike aty, si grekët, arumunët etj. “Le të bashkohemi në këtë alternativë për të lartësuar godinën evropiane në Gjirokastër, Tepelenë e në mbarë Shqipërinë. Ne kemi gjak europian për të ndërtuar Europën në shtëpitë tona dhe në qytetet tona. Dua të përshëndes të gjitha komunitetet etnike dhe të shpreh admirimin tim më të madh, si dhe të shpreh krenarinë time për gjirokastritët, që jepni mësimin më të madh, atë të bashkëjetesës me njëri-tjetrin”, tha Berisha, ndërsa shtoi se “alternativa e së vetmes rrugë është e qartë se ku e ka origjinë, por dua t’u them këtyre shokëve të mos mërziten, se sot e për sa kohë që Sali Berisha të jetë në pushtet, nuk do të bëjë gjë tjetër veçse do të mendojë për rrugicat, vreshtat dhe për gjithçka që ka të bëjë me suksesin tuaj”. Më tej Berisha u dha fjalën banorëve se në katër vitet që vijnë do të investohet shumë herë më tepër në rrugë e rrugica, si dhe në gjithë trashëgiminë kulturore të qytetit. Sipas tij, qyteti do të gërshetojë modernen me trashëgiminë kulturore, do të restaurojë monumentet e kulturës, teatrin, mjediset sportive dhe gjithë veprat me vlerë të këtij qyteti. “Jam këtu për t’u zotuar se shumë shpejt, distanca me Tiranën do të jetë më pak se 2 orë dhe se rruga do të kalojë nga Tepelena në Levan dhe nga Tepelena në Berat”, u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa theksoi se Gjirokastra është vendosur në kurorën e trashëgimisë dhe pasurisë botërore. Shefi i maxhorancës shprehu krenari dhe siguri, pasi vetëm 5-6 vite më parë trashëgohej një infrastrukturë e botës së tretë, ndërsa tashmë janë asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë, si dhe janë ndërtuar korridoret më të fuqishme të rajonit. Vitet që do të vijnë, tha ai, do të jenë të asfaltuara njëlloj si fshatrat, komunat dhe qytetet më të zhvilluara të Europës. “Ne jemi burra dhe gra të suksesit e të arritjeve të mëdha, pasi nëse 5 vite më parë askush nuk e kujtonte Gjirokastrën, këtë vit ajo u shpall e bukura e dheut dhe destinacioni kryesor turistik për shqiptarët”, deklaroi Berisha, ndërsa shtoi me bindje se askush nuk ka ndërtuar më shumë në një kohë kaq të shkurtër.        p.n

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura