Berisha: Duhet lehtësimi më i madh i lëvizjes me Bosnjën

Jan 31, 2013 | 12:16
SHPËRNDAJE
Berisha me homologun boshnjak, Niksiç

Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij homologun nga Bosnjë-Hercegovina, Nermin Niksiç. Në fjalën e tij para mediave, kreu i qeverisë shqiptare tha se Tirana mbështet integrimin e Bosnjës në NATO, ndërkohë që dy vendet ndajnë së bashku projektin për integrimin në BE. “Me Kryeministrin Niksiç identifikuam fusha të një interesi të madh të përbashkët bashkëpunimi. Fusha të tilla si turizmi, agrobiznesi, energjia paraqesin realisht mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi midis dy vendeve. Prej shekujsh në Bosnjë-Hercegovinë ka një prani shqiptare, e cila është e përfillur dhe e vlerësuar në vendin ku jeton. Në Shqipëri ekziston një pakicë boshnjake e vendosur, kryesisht në zonën e Shqipërisë së Mesme, në Shijak, dhe që gëzon të gjitha të drejtat. Ne diskutuam mbi lehtësimin më të madh të lëvizjes midis dy vendeve dhe plotësimin eventual të kuadrit ligjor”, u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri boshnjak, Niksiç, tha se vendi i tij merr si shembull Shqipërinë për investimet në infrastrukturë. “Dua të them edhe një herë këtu atë që i thashë Kryeministrit të nderuar gjatë takimit, se ne e kemi marrë Shqipërinë si shembull në ndërtimin e infrastrukturës rrugore. Dëshiroj të shpreh kënaqësinë se edhe për këtë fushë ne kemi diskutuar dhe kemi shkëmbyer përvojat tona. Jam i sigurt se kompania ‘Energoinvest’, e cila vjen nga Sarajeva, nga Bosnjë-Hercegovina, do të përmbushë besimin që ka nga qeveria e Shqipërisë, punën do ta përfundojë në afatet e caktuara, në të mirë të të gjithëve. Dhe në këtë mënyrë të krijojë parakushte që edhe në vazhdim kompanitë nga Bosnjë-Hercegovina të bashkëpunojnë me qeverinë e Shqipërisë”, tha Niksiç. Gjatë paradites së djeshme, Kryeministri Sali Berisha iu përgjigj në faqen e tij në Facebook homologut të tij serb, Ivica Daçiç, i cili i quajti shqiptarët terroristë dhe i krahasoi ata me Al Kaedan. Pyetjes se përse e hoqi përmendoren nga Presheva, Daçiç iu përgjigj me një pyetje: “A do të lejonin SHBA-të të vendosej në Nju Jork një përmendore e terroristëve të Al Kaedas?”. Sipas Berishës, krahasimi i shqiptarëve me terroristët është shprehja e radhës e albanofobisë që ekziston në Serbi. “Luftëtarët e lirisë ranë për lirinë e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, që përjetonin shtypjen më të egër nga regjimi i Millosheviçit. Ata me luftën e tyre të drejtë imponuan një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombëtar me autoritetet e Beogradit për më shumë liri, të drejta dhe autonomi për shqiptarët e Luginës së Preshevës, shpejtuan fundin e regjimit të Millosheviçit dhe në një farë mënyre edhe çlirimin e popullit serb nga regjimi i tij. Krahasimi i tyre me terroristët e Al Kaedas është një shprehje e radhës e albanofobisë pa të ardhme që dominon në Beograd”, shprehet Berisha.

“Personat me ekspusl, të rishikohet vendimi”
Në fjalën e tij ku ishin të pranishme edhe mediat, kreu i Ekzekutivit i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe atij të Jashtëm të kontaktojnë me vendet e BE-së për t’i dhënë një tjetër mundësi lëvizjeje qytetarëve që kanë marrë “espulso” për kalim të paligjshëm kufiri. “Zoti ministër i Jashtëm dhe ministër i Brendshëm, gjatë këtyre 20 viteve, për arsye të vetëkuptueshme, janë një numër shumë i madh qytetarësh shqiptarë që kanë marrë vite më parë vula largimi, sepse kanë shkelur rregullat dhe normale që është e drejtë. Është mirë që të kenë një sistem parashkrimi, në kuptimin që një njeri që ka bërë një gabim, por nuk është kapur në asnjë krim apo trafik, t’u kërkohet një nga një vendeve”, tha Berisha. Sipas tij, “nëse do të kishte qenë ky sistem, asnjë prej tyre nuk do të kishte një vulë moshyrjeje më në atë vend. Dikush ka bërë një herë një gabim, ka shkuar, tani duhet parë se janë jo pak qytetarë. Kjo duhet të trajtohet vend pas vendi dhe me të gjitha të dhënat e plota, pavarësisht sa janë ata. Ne duhet të qëndrojmë prapa interesit të drejtë të çdo qytetari”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura