Berisha: Do ulim taksat, do heqim parapagimin

Mar 31, 2012 | 13:20
SHPËRNDAJE

Kryeministri Berisha në takimin me komunitetin e biznesit

Kryeministri i prezanton komunitetit të biznesit paketën e re të reformave.

Bregasi: Administrata s’i përgjigjet vullnetit tuaj, më lehtë kontaktojmë me Kryeministrin se me ministrat.

Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur dje në një tryezë bashkëbisedimi përfaqësuesit e biznesit. Kreu i qeverisë ka shpalosur një paketë të re reformash në fushën ekonomike që kanë të bëjnë me uljen e taksave, heqjen e pagave referuese, zgjidhjen e problemit të rimbursimit të TVSH-së dhe heqjen e parapagimit të taksave. “Ne jemi e do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionin e nivelit të vendit me taksa ndër më të ulëtat në botë. Në Shqipëri për të filluar biznesin nevojiteshin deri tani 5 procedura. Ne mendojmë se këto duhet të thjeshtohen në dy procedura, do të eliminohet noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe parapagesa e taksave në bashki”, u shpreh Kryeministri në tryezën “Një Shqipëri konkurruese”. Duke iu përgjigjur propozimit të PS-së për taksën progresive, ai tha se “Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit. U rikujtoj këtyre zotërinjve se komunizmi ka filluar me NEP-in dhe thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e NEP-it, por ajo që është faktuar në mënyrën më të sigurt, është se të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit, në një vend të lirë”.

Berisha: Sot është jetike një paketë e re reformash, është vendimtare një përpjekje e re për ta bërë edhe më kompetitive ekonominë shqiptare. Ne jemi qeveri e përcaktuar për taksën e ulët, ne jemi të vendosur ta konsolidojmë atë dhe ju garantojmë juve se jo vetëm se nuk do të ketë rritje taksash, por po studiohet e do të ketë ulje të mëtejshme të tyre. Ne besojmë se taksat e ulëta janë shumë herë më të dobishme për shoqërinë, sesa taksat e larta. Ata që mendojnë se do ta shërojnë ekonominë duke shkatërruar të pasurit, nuk bëjnë gjë tjetër veçse mendojnë të rikthejnë ato cikle që u provuan më rrënimtaret në historinë e njerëzimit. U rikujtoj këtyre zotërinjve se komunizmi ka filluar me NEP-in dhe thirrjet e tyre të kujtojnë kohërat e NEP-it, por ajo që është faktuar në mënyrën më të sigurt është se të varfrit nuk ndihmohen kurrë duke shkatërruar të pasurit, në një vend të lirë. Ndaj, ne nuk besojmë në dogmën marksiste të taksave të larta. Ne jemi e do të bëjmë gjithçka për të ruajtur pozicionin e nivelit të vendit me taksa ndër më të ulëtat në botë. Në Shqipëri për të filluar biznesin nevojiteshin deri tani 5 procedura. Ne mendojmë që këto duhet të thjeshtohen në dy procedura, do të eliminohet noterizimi i dokumenteve, vula e kompanisë dhe parapagesa e taksave në bashki. Ne presim me interes sugjerime të tjera nga ju. Do të heqim pagën referuese. Me masat që do të marrim, numri i pagesave të tatim-fitimit do të ulet nga 13 në 5. Me përfundimin e plotë të sistemit online, ne do të adaptojmë standardet burokratike më minimale në vjeljen e taksave. Ky sistem përfundon në muajin qershor të këtij viti.
Luan Bregasi (BiznesAlbania): Kriza ka dhënë efektet e veta, por ndryshe nga vendet e tjera, qeveria duhet të na e njohë si kontribut të biznesit shqiptar, i cili në kushte kaq të vështira u paraqit si biznesi më social, duke mos hequr asnjë punonjës nga puna. Ka një kontradiktë mes vullnetit tuaj pozitiv dhe moskuptimit e moszbatimit nga ana e administratës suaj të këtij vullneti pozitiv dhe miqësor që keni me biznesin. Ju thoni klimë miqësore me biznesin, të mos parapaguhet akciza, të mos parapaguhet taksa, por ministrat dhe administrata që i ka në kompetencë ligjore për t’i administruar këto, nuk i respekton. Më shpejt po t’ju bëjmë një letër ju takojmë ju, sesa takojmë ministrat. Ky është një problem shumë i rëndësishëm për sipërmarrjen private. Edhe akciza të mos parapaguhet, por të paguhet një herë në muaj, siç ka qenë para një muaji. Sa i përket prokurimeve publike, APP vlerëson si fituese ofertën më të ulët, e cila në vetvete mund të përbëjë problem.
Berisha: Për sa i përket akcizës, lidhur me birrën kemi përgjysmuar akcizën dhe ky ishte një hap shumë i rëndësishëm, një mbështetje për prodhimin vendës. Lidhur me standardin e pagimit të saj, unë do i kërkoj Ministrisë së Financave të adaptojë standardin europian. Nuk mund të prononcohem më tej se kjo u takon ekspertëve, por ajo që Kryeministri do jua kërkojë atyre është që në pagimin e akcizës të adaptohet standardi europian. Për këtë ju garantoj. Oferta më e ulët përbën problemin më delikat. Pasioni i zyrtarëve për të mos ia dhënë ofertuesit më të ulët është patologjik dhe kërcënon interesin publik. Unë e kuptoj që kjo çështje ju lëndon, por interesi publik është oferta më e ulët, kur ajo plotëson kushtet. Këtu unë nuk mund të kem qëndrim tjetër, veçse shqyrtimin më serioz të saj dhe moshedhjen poshtë të saj për argumente jo substanciale. Ju mund të ankoheni për ofertën më të ulët, por edhe unë ankohem nga pasioni që kanë zyrtarët për ta shmangur ofertën më të ulët. Ligji nuk detyron t’ia japësh ofertuesit më të ulët, por para se ta përjashtosh atë duhet të mendohesh 3 herë, sepse kështu ti je gardian i interesit publik.
Floreta Luli- Faber (Dhoma Amerikane e Tregtisë): Kërkojmë që zëri ynë të dëgjohet në këshillat konsultativë për aktet ligjore. E pranojmë se ligjet janë të standardeve europiane, por aktet nënligjore sjellin frymë fare të ndryshme nga vetë ligji, duke krijuar amulli për mënyrën se si do të zbatohet ligji.
Berisha: Për sa i përket çështjes së miratimit të ligjeve dhe vendimeve, unë ju garantoj se asnjë ligj e vendim nuk miratohet në qeveri pa u konsultuar me grupet e interesit. Natyrisht, nuk mund të ketë një ligj që të garantojë se çdo mendim i grupit të interesit do të merret parasysh, sepse është edhe vetë natyra e  vendimmarrësit, që merr ato që gjykon se janë të përshtatshme. Duke ju falënderuar ju njerëzisht për ftesën që më bëni, unë mbetem gjithnjë i hapur me dhomat e Tregtisë, por imagjinoni të vij e të bëj debat për NEP-in para biznesmenëve amerikanë, të cilët do të duhet të shohin në enciklopedi që ta gjejnë se çfarë është NEP-i. Kjo do të ishte humbje kohe. Absolutisht platforma e kësaj qeverie, e cila është në zhvillim e vazhdim, do të jetë gjithnjë e hapur për ju, por as ju e as unë nuk e kemi kohën të atillë, sa të merremi seriozisht me taksën progresive. Në qoftë se mendohet pse e tha Warren Buffett se unë duhet të tatohem më shumë, i them atij zotërisë se fitimi i Warren Buffett është 5 herë GDP-ja e Shqipërisë. Pra, nuk mund të marrësh një rast të vetëm, i cili ndodh me vendin më të pasur të botës dhe ta estrapolosh këtë rast në vendin me të ardhura të mesme të larta, siç është Shqipëria. Kjo do të thotë njëlloj si të kthehesh te NEP-i. Unë mendoj se debati më i mirë për këtë është No coment!
Propozimi i biznesit: Të hiqet TVSH-ja për makineritë.
Berisha: Unë ndaj të njëjtin mendim për çështjen e heqjes së TVSH-së për makineritë, por autoritetet fiskale, të cilat operojnë me një sistem me barrë fiskale më të ulët dhe duhet të përmbushin detyrimet e tyre, me një shqetësim pozitiv qëndrojnë gjithnjë kundër përjashtimeve në tërësi, pasi shtrojnë problemin se përjashtimet sjellin konfuzion dhe kërcënojnë performancën. Por dua t’ju siguroj se kjo çështje është diskutuar në mënyrë të përsëritur dhe sërish do të shqyrtohet. Nuk mund të garantoj se cili do të jetë vendimi për këtë çështje, por gjykoj se kërkesa është e drejtë. Ne si vend duhet të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë investimet dhe kjo do të ishte një lehtësi reale.
A mund të ketë një amnisti të plotë?
Berisha: Lidhur me çështjen e amnistisë, kjo është një çështje periodike dhe nuk mund të them se mund të konsiderohet tani shpejt. Mbetet një çështje për t’u zgjidhur në mandatin e ardhshëm.
Cili është qëndrimi i qeverisë për një reformë administrative territoriale?
Berisha: Ne jemi plotësisht të hapur për reformë të territorit e qeverisjes vendore dhe dëshiroj që edhe opozita t’i përgjigjet me të njëjtën gatishmëri.
A mund të ketë unifikim të tregjeve dhe heqje të barrierave  ekonomike me Kosovën?
Berisha: Për sa i përket propozimit për krijimin e një tregu unik, është absolutisht jetik dhe interesi më i mirë i çdo shqiptari. Ajo që ndodhi, është një manipulim i mirëfilltë politik, një mashtrim i paskrupullt. Unë ju them se në Kosovë patatet janë shitur me një çmim 2 herë më shtrenjtë, sesa në dyqanet e Shqipërisë. Kjo është e vërteta. Por njerëz pa asnjë alternativë mashtrojnë fermerët e u thonë se po vijnë patate nga Serbia. Cilido që shkon në Prizren a kudo, le të shohë sa shitet patatja ne Prizren e sa shitet në Tiranë. Ndodhi që në Korçë pati një prodhim 35 mijë tonë. Ne nuk u themi të kufizohen, por prodhoni sa të mundeni. Ne do përpiqemi të ngremë fabrika përpunimi, industrializimi, por jam e mbetem për të hequr çdo lloj barriere. Kam kërkuar dhe do kërkoj të heqim doganat. 180 milionë euro është eksporti i Shqipërisë në Kosovë dhe 20 milionë euro është eksporti i Kosovës në Shqipëri. Për sa i përket mashtrimit me tregun e patates, unë kërkova që ta vërtetonin dhe rezultoi se në Kosovë patatja shitej me çmim 2 deri 2.5 herë më lirë, se në dyqanet tona. Por duhet të përshtaten prodhimet e tregut. Nëse prodhon më shumë, do shesësh më lirë. Ne kemi sot çmime zarzavatesh që i përkasin periudhës së vitit 2004, sepse është shumëfishuar prodhimi i tyre dhe prodhimi do përshtatet me tregun. Pra, ky problem u krijua tërësisht për qëllime të ulëta politike, një problem aspak i fisshëm. Për sa i përket heqjes së barrierave, absolutisht, do të marrin porosi për të firmosur çdo lloj marrëveshjeje për të hequr çdo lloj barriere.
Shoqata e ndërtuesve: Duke pranuar efektet e krizës në këtë sektor me mungesë të fronteve të punës, po shikojmë mundësitë të ecin përpara me mënyra të tjera investimi. Situata nuk e favorizon ndërtimin e pallateve. Ne kërkojmë mbështetjen e qeverisë për kreditim, pasi ky sektor nuk po mbështetet nga sistemi bankar me kredi, për të investuar në projekte dhe prioritete të mëdha, siç janë ndërtimi i HEC-eve apo materialeve të ndërtimit.
Berisha: Ajo çka unë mund të them si konstatim të përgjithshëm, është kjo: tendenca e çmimeve të ndërtimit është ulja dhe vetëm ulja, sepse kriza europiane, të jemi realistë, ka bërë që kompani të mëdha të ofrohen me çmime që më parë nuk do të ofroheshin kurrë. Mund të vijë si lajm i mirë, por kjo tendencë do të vazhdojë, sepse globalizmi ka pasojat e veta dhe ne jua themi këtë- të bëjmë gjithçka për t’u përshtatur. Në kushtet e sotme, sektori i ndërtimit duhet të përshtatet me situatën e krijuar në interesin e tij më të mirë. Ne po ndërtojmë autostradën Tiranë-Elbasan me 110 milionë dollarë më pak nga fondi limit. Kjo është e vërteta. Prandaj them se një përshtatje e kompanive të ndërtimit me situatën e re tërësore të krijuar do të ishte në interesin e tyre më të mirë.
A mund të hiqet TVSH e paketave turistike?
Berisha: Turizmi përbën një degë kryesore të ekonomisë dhe ne pa diskutim do të organizojmë një tryezë të veçantë për të. Në hartimin e strategjisë, direktiva është që ajo do të bëhet duke u konsultuar gjerësisht me ju, me grupet e interesit dhe nuk do të ketë strategji që do të vijë të miratohet pa një debat të gjerë me grupet e interesit. Jeni të ftuar te jepni të gjithë mendimet për këtë problem. Lidhur me TVSH, siç e shihni nga shumë drejtime, vijnë kërkesa lidhur me rrëzimin e saj. Ka një problem duke u mbajtur si një shtyllë kryesore e sistemit fiskal, unë në tërësi jam ndofta për shqyrtim të niveleve të caktuara, por edhe unë të jem i hapur me ju, mbetem jo në favor të përjashtimeve të tjera, përveç makinerive. Në qoftë se ne rrëzojmë këtë kolonë, duhet të gjejmë një kolonë tjetër ku të mbështetemi, sepse kjo përbën kolonën kryesore, është taksë e konsumatorit dhe e mirëshpërndarë më shumë se çdo taksë tjetër dhe kjo është arsyeja që ne rezervohemi për ta prekur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura