‘Ceremoni për Leka Zogun,e shtuna zi kombëtare’

Nov 30, 2011 | 13:33
SHPËRNDAJE

TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha ka njoftuar protokoll të posaçëm për përcjelljen e pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I dhe shpalljen e së shtunës, ditë zie kombëtare.

“Sot ndërroi jetë mbreti i shqiptarëve Leka I. Kjo është humbje e madhe për kombin dhe për  vendin”. Kështu e ka nisur mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri, duke ftuar anëtarët e kabinetit të mbajnë një minutë heshtje në nder të tij.

“Në ligjin e Parlamentit përcaktohet detyrimi i përfshirjes në protokollin shtetëror të familjes mbretërore dhe ky ka qenë shumë i drejtë, ndaj dhe vendi dhe kombi do ta përcjellin Mbretin Leka I me nderimet që i përkasin një mbreti jo në detyrë.  E shtuna do të jetë ditë zie kombëtare në të gjithë spektrin e ditës së zisë të nivelit mbretëror”- tha Berisha.

Berisha ka bërë një panoramë të veprimtarisë së Lekës I, kurorëzuar mbret në prill të 1961, pas vdekjes së mbretit Zogu I. “Ai u largua foshnje nga Shqipëria, dy ditë pas lindjes, por u rrit dhe mbrujt me dashuri të pakufishme për vendin dhe kombin. Mbreti Leka në gjithë jetën e tij në mërgim ishte mbështetës kryesor i luftës dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe dinjitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo që ndodheshin. Ishte frymëzues i tyre në këtë betejë”- tha Berisha.

Sipas tij, Mbreti Zog u largua nga vendi si u larguan mbretërit e tjerë nga mbretëritë e pushtuara, nga forcat nazifashiste, por ai qëndroi në të gjithë kohën.

Forcat dhe mbështetësit e tij, sipas Berishës luftuan me trimëri të udhëhequra nga Abaz Kupi, në portin e Durrësit në 7 prill, më pas forcat mbretërore sërish të udhëhequra prej tij vazhduan luftën për clirimin e vendit deri në vitin e fundit të saj.

“Natyrisht lufta nacional çlirimtare mori dhe aspektin vëllavrasës si dëshmojnë dokumente të panumërta dhe kjo kishte vetëm një qëllim të garantonte Enver Hoxha pushtetin. Por legalistët luftuan me vendosmëri të madhe okupatorët”- theksoi ai.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura