Beratasit, sherre për trukim

Oct 31, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE

Përfundimi i ndeshjes me Tomorit dhe Teutës është shoqëruar me përplasje dhe akuza. Në një kohë që në dhomën e zhveshjes së skuadrës durrsake kishte festë për fitoren e arritur, e kundërta po ndodhte në kampin beratas. Lojtarët e ekipit të ardhur nga Berati kanë nisur të debatojnë ashpër, duke hedhur akuza të ndërsjella ndaj njëri-tjetrit për humbjen, që sipas tyre ishte e organizuar. Ndërsa nuk kanë munguar shtytjet me duar, por edhe  ofendimet mes palëve. Nuk bëhen të ditur emrat e futbollistëve që kanë qenë pjesë e këtij incidenti, pasi gjithçka ka ndodhur mes katër mureve, por nga sa mësohet ka pasur dyshime për trukim. Në momentin e sherrit, trajneri Eqerem Memushi nuk ka qenë prezent, mirëpo ai është njoftuar menjëherë nga ndihmësit e tij. Me të dëgjuar këtë pjesë, kreu i pankinës së Beratit i është drejtuar dhomave të zhveshjes për të qetësuar gjakrat. Trajneri i ka kërkuar lojtarëve të ruajnë qetësinë në momente të tilla, duke lënë gjithçka për t’u sqaruar për në analizën e kësaj jave për këtë ndeshje.

Memushi: Nuk e meritonin humbjen
Trajneri Eqerem Memushi ka mbetur i zhgënjyer nga humbja, por nga krahu tjetër nuk ka nguruar që të përgëzojë lojtarët e tij për lojën e zhvilluar. “Jemi munduar me të gjitha format, që të nxjerrim një ndeshje të mirë dhe në pjesën e dytë kemi luajtur mjaft mirë, por edhe fati nuk ishte me ne. Kemi shumë punë përpara për të përmirësuar në lojën tonë dhe për të dalë te rezultatet pozitive. Sot (dje) meritonim të mos humbisnim, por ky është futbolli, duhet pranuar atë që jep fusha gjatë 90 minutave të saj. Gjithsesi, ekipi im ka mundësi për më shumë”, tha në përfundim të ndeshjes Memushi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura