Berat, masakruan djalin e tezes: Na rrahu një vit më parë

Aug 31, 2011 | 11:02
SHPËRNDAJE
Vëllezërit Sadik dhe Gjergj Ibrahimi

BERAT – Gjykata e Beratit la dje në “burg pa afat” dy vëllezërit, të cilët masakruan me sëpatë kushëririn e tyre. Sadik dhe Gjergj Ibrahimi, përkatësisht 35 dhe 32 vjeç nga fshati Malinat i komunës Velabisht, vranë katër ditë më parë djalin e tezes së tyre pas një konflikti që nisi në gjendje të dehur, në lokalin e këtij fshati. Gjatë seancës së djeshme, ku do të vlerësohej masa e sigurisë në ngarkim të të arrestuarve, vëllezërit janë shprehur se e kishin kryer krimin e rëndë për hakmarrje, pasi kushëriri i tyre i kishte rrahur një vit më parë. “U hakmorëm pasi kushëriri ynë, Ilir Muçi, na ka rrahur një vit më parë, bashkë me një shokun e tij”. Kështu u shprehën dje ata para togave të zeza. Ata nuk ia kishin harruar këtë rrahje kushëririt të tyre, baba i një fëmije, derisa u hakmorën në mënyrë makabre duke e masakruar atë me sëpatë. Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme, njëri prej të arrestuarve, Sadik Ibrahimi, ia ka hedhur barrën e krimit vëllait të tij më të vogël, 32-vjeçarit Gjergj Ibrahimi. Edhe ky i fundit e pranoi autorësinë, duke pohuar se kishte qenë ai personi që pas përleshjes në rrugë, kishte shkuar në banesën e tij nga ku kishte marrë një sëpatë me të cilën qëlloi 36-vjeçarin Muçi. Pasi e ka qëlluar pas koke, ai e ka goditur edhe në pjesë të tjera të trupit dhe më pas janë larguar me shpejtësi, duke u fshehur në pyllin e fshatit. Viktima u gjet mëngjesin e nesërm nga familjarët e tij, të cilët e kishin kërkuar edhe gjatë natës të shqetësuar nga vonesa e pazakontë e tij. Mbi 30 efektiva të policisë së Beratit rrethuan pyllin e fshatit, nga ku kryen edhe arrestimin pa rezistencë të vëllezërve Ibrahimi.                       d.xh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura