Beqja: Programi i ri i PS, më shumë taksa për të pasurit

Oct 31, 2011 | 10:32
SHPËRNDAJE

“Do reformohen sigurimet shoqërore, do japim pension social për çdo 75-vjeçar pa sigurime”.

Ish-deputeti socialist, Ilir Beqja, anëtar i Asamblesë Kombëtare, pjesë e grupit të punës për programin e ri të PS, zbulon disa nga risitë e tij në çështjet ekonomike dhe sociale. Sipas tij, PS do të reformojë sistemin e taksimit, nga taksa e sheshtë në taksë progresive, ku të pasurit do paguajnë më shumë se të varfrit.
Zoti Beqja, ju jeni marrë me pjesën ekonomike të programit të ri të PS. Flitet se ka një prekje të guximshme sa i takon sistemit fiskal dhe më shumë mënyrës së taksimit. Pritet që me propozimet e reja, e majta të hyjë në hullitë e saj tradicionale? Çfarë propozohet?
Programi i ri që do të paraqitet në Kongres, është produkt i punës dhe përkushtimit disamujor të 25 kolegeve dhe kolegëve anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS. Tani që drafti i programit është gati për t’u paraqitur, fillimisht në mbledhjen e afërt të Asamblesë, mund të shprehem për atë çfarë bashkë me kolegët kemi hartuar, pa harruar që është Kongresi që do të bëjë miratimin përfundimtar. Politikat tona fiskale do të jenë në shërbim të drejtësisë sociale, pa cenuar zhvillimin e qëndrueshëm. Në 6 vitet e qeverisjes së Sali Berishës, barra fiskale për familjet është rritur. Pesha e taksave të konsumit (tatim mbi vlerën e shtuar dhe akcizë) është rritur. Më 2005-n, në 100 lekë taksa që mblidheshin, vetëm 45 lekë ishin taksa konsumi, ndërsa më 2010-n për çdo 100 lekë të mbledhur, 52 lekë, pra më shumë se gjysma, janë taksa konsumi. Kjo ka sjellë që sistemi fiskal të jetë regresiv në shumicën e tij. Vendosja e taksës së sheshtë e rriti barrën fiskale efektive mbi të ardhurat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, nga 3 % në 10 % (pra rreth 3 herë). Këto, së bashku kanë sjellë që, nëse në vitin 2005 për çdo 100 lekë të ardhura nga puna të paguhen gjithsej 32 lekë taksa, në vitin 2011 paguhen 38 lekë. Parimi ynë themelor është se rishpërndarja funksionon përmes progresivitetit. Nuk mund t’u kërkohen sforco të reja qytetarëve, nëse nuk rrënjoset bindja se kushdo duhet t’i kontribuojë shoqërisë sipas të ardhurave dhe pasurisë së vet dhe askush nuk duhet t’i shmanget taksimit progresiv. Do të ndryshojë rrënjësisht sistemi fiskal, duke kaluar nga një taksim regresiv i konsumit dhe proporcional të të ardhurave, në një taksim progresiv, i cili do të bëjë që kush është më i pasur, të ketë një barrë më të lartë fiskale sesa një më i varfër.
PS është për vijimin e taksës së sheshtë?
Besoj se e shpreha më lart filozofinë tonë për rishpërndarjen e çfarë krijohet në Shqipëri dhe qëndrimin tonë për sistemin fiskal. Ulja e taksës së sheshtë, pra ulja e tatimfitimit për bizneset e mëdha, nuk rezulton të ketë sjellë as ritëm më të lartë të rritjes ekonomike, as rritje të punësimit. Përkundrazi, qoftë vendosja e taksës së sheshtë, qoftë ulja e taksës së punës i kanë bërë më të rrezikuara financat publike e, për pasojë, edhe qëndrueshmërinë makroekonomike në një kohë furtunash globale.
Cili është qëndrimi i këtij programi për çështjen e borxhit publik? Përfshirja e tij si çështje kushtetuese ndihmon ekonominë?
Jetojmë në një kohë që borxhet janë bërë një çështje shumë e ndjeshme. Ju me të drejtë interesoheni për borxhin publik, por borxhi në Shqipëri është shumëpërmasor. Përtej borxhit publik, rreth 60% të GDP, kemi ende shumë fatura të papaguara punësh publike të pranuara. Shoqata e ndërtuesve flet për rreth 100 milionë dollarë. Borxhet e këqija ndaj sistemit bankar janë rritur shumë vitin e fundit. Të dhënat e fundit të gushtit 2011 flasin për borxh të keq rreth 950 milionë dollarë, shifër kjo më e madhe se 7% e GDP-së. Ky borxh i keq, bashkë me borxhet ndaj administratave tatimore e doganore, borxhet ndaj kompanive të shërbimeve jetike, borxhet e ndërsjella midis sipërmarrjeve, e çojnë nivelin e borxheve në Shqipëri në rreth 80% të GDP. Bashkë me detyrimet e njohura me ligj ndaj shtresave të ndryshme si ish të përndjekurit politikë dhe trashëgimtarët e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, borxhi me të cilin shqiptarët duhet të përballen, kalon 100% produktin e brendshëm bruto.
Për t’u kthyer tek pjesa e parë e pyetjes suaj, qëndrimi ynë është se suksesi duhet mbështetur te puna dhe konkurrenca e lirë dhe e jo te borxhet. Edhe pse qeveria ka justifikuar marrjen borxh prej shpenzimeve të larta të rëndësishme për zhvillim të infrastrukturës, ekonomia nuk ka dhënë asnjë shenjë të përfitimit nga këto investime dhe punësimi nuk është rritur. As shërbimi shëndetësor nuk është afruar te qytetari. Për stadin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, niveli aktual i borxhit vlerësohet shumë i lartë. Institucionet ndërkombëtare financiare, që kanë asistuar e mbështetur Shqipërinë në 20 vitet e fundit, kërkojnë një plan të qartë për uljen e tij.
Në vitin 2011 do të shpenzohen 600 milionë dollarë për shërbimin e borxhit publik, shumë kjo 2 herë më e lartë se në vitin 2005. Shërbimi i borxhit për herë të parë do të kalojë këtë vit 4% të PBB, duke përfaqësuar një shpenzim më të lartë se arsimi, shëndetësia apo bujqësia.
Si qytetar dhe politikan jam thellësisht i shqetësuar se çfarë do të bëjë qeveria deri ditën e shtunë, 5 nëntor, kur duhet të shlyejë 80 milionë euro për detyrimet e eurobondit të vitit të kaluar. Lidhur me pjesën e fundit të pyetjes, këtë çështje e kemi diskutuar dhe kemi mendime të ndryshme, të cilat do të vendosen në Asamble apo në Kongres. Situata është dramatike. Çdo fëmijë shqiptar lind sot me një borxh prej rreth 2450 dollarësh, ndërsa çdo familje shqiptare duhet të paguajë çdo muaj 65 dollarë për shërbimin e borxhit, shumë kjo më e madhe se fatura mujore e energjisë elektrike ose sa afro gjysma e pensionit mesatar në qytet. Ne jemi të përgatitur profesionalisht dhe të gatshëm politikisht që kontrollin e borxhit publik ta ngremë në nivelin e përgjegjësive që përcaktohen si detyrime kushtetuese. E kanë bërë disa vende dhe ndoshta do ishte mirë të shikonim se sa efektive do të ishte në zbatin kjo masë. Unë vetë nuk jam i prirë të bëjmë shumë propozime që lidhen me ndryshime kushtetuese, kur dihet që ato miratohen bashkë me palën/ët e tjera politike. Marrja e angazhimeve të tilla kërkon që nesër do të duhet të bësh kompromis për gjëra që mund të mos të volisin.
Shërbim mjekësor për të gjithë, ka qenë ky një propozim i 2009-s. I qëndron PS këtij propozimi dhe sa do të ndikojë kjo masë në cilësinë e shërbimit shëndetësor?
Pra, e paskemi pasur një propozim që në 2009! Gjithsesi, kërkoj ndjesë, sepse dua të bëj një saktësim. Shërbim shëndetësor për të gjithë. Madje edhe solidar. E preka më lart se sot në Shqipëri janë 1 milion të papunë, që për pasojë nuk kanë mbrojtje shëndetësore. Detyrohen të paguajnë nga xhepi, edhe shumë i varfër, çdo shërbim që kanë nevojë. Në dy vitet e fundit, për ta është bërë edhe më e vështirë. Në tetor 2009 u rritën 4–5 herë tarifat e shërbimeve për të pasiguruarit. Nga shkurti 2011 po zbatohet 10 % tatim mbi vlerën e shtuar, tjetër barrë për të pasiguruarit. E kam shpjeguar më lart se më shumë se gjysma e taksave në Shqipëri janë taksa konsumi që i paguajmë të gjithë, të siguruar e të pasiguruar. Madje, atyre me të ardhura të ulëta, pra të varfërve, taksat e konsumit u zënë peshë më të madhe në të ardhurat mujore. Këtë pabarazi ne nuk e pranojmë dhe jemi të vendosur ta ndryshojmë. Unë besoj se te kjo kontradiktë buron edhe kaosi e rrumpalla në shërbimin tonë shëndetësor, që nuk arrin sot të realizojë asnjë nga detyrat e tij, as parandalon, as diagnostikon, as shëron dhe as rehabiliton. Ndërsa ata që paguajnë kontributet e detyrueshme, nuk e dinë pse i paguajnë, për sa kohë të mërzitur në hallkat burokratike të sistemit publik, paguajnë edhe ata nga xhepi. Ne duam t’i kthejmë spitalet tona publike jo vetëm në qendra ku merret shërbim shëndetësor, por edhe qendra ku formësohet indi social i shoqërisë sonë. Ne do të hapim kantierin e shëndetësisë me qëllim modernizimin dhe rritjen e sigurisë në institucionet shëndetësore. Në fillim të përgjigjes nuk kërkova vetëm saktësim gjuhësor. Ne nuk ndërhyjmë tek mjekësia, sepse atë e bëjnë mjekët. Ne jemi vendosmërisht në krah të mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetit. Respektojmë përkushtimin me të cilin ata kujdesen për shëndetin e bashkëqytetarëve të tyre. Do të vendosim një bashkëbisedim të përhershëm me ta, për të përballuar të gjitha çështjet që lidhen me formimin e tyre, kërkimin shkencor, autonominë profesionale, përfshirjen direkte në qeverisjen klinike, pa lënë mënjanë plotësimin e boshllëqeve të krijuara në vite në trupën mjekësore të vendit.
Sigurimet shoqërore janë një nga temat më të nxehta për çdo qeveri. Çfarë qasjeje ka PS me programin e saj ndaj raportit mes kontribuesve dhe konsumuesve të sistemit të pensioneve, por dhe mbrojtjes shëndetësore?
Ndjesë përsëri, por kësaj here nuk dua të biem në një gabim që është më shumë se etik. Përfituesit e sotëm të sigurimeve shoqërore nuk janë konsumues të askujt dhe asgjëje. Ata janë njerëz të nderuar e të respektuar. Qofshin veteranë të Luftës Antifashiste, qofshin ish të përndjekur të regjimit komunist, sepse në gjenezën e angazhimit të tyre publik ka pasur një qëllim të përbashkët – liridashje dhe kundërshtim diktaturash. Por, qofshin edhe njerëz që kanë kontribuar në vite në zhvillimin e Shqipërisë apo që vazhdojnë e bëjnë punë të paguar në shërbim të fëmijëve e nipërve. Të paktën ky është vizioni ynë, i socialistëve dhe progresistëve shqiptarë, që ngrihet edhe mbi vlerat e tyre. Qasjen tonë ndaj mbrojtjes shëndetësore besoj se e shpjegova në pyetjen më lart. Lidhur me sigurimet shoqërore ato duhen reformuar domosdoshmërisht, jemi të vonuar, ndërsa qeveria ka përkeqësuar situatën me dy ndërhyrjet, 2007 dhe 2009. Paraprakisht duhet një analizë e reformës parametrike të vitit 2002, që përfundon zbatimin në vitin 2012. Po hyjmë në një fazë kritike, kur po afrohen në moshën e daljes në pension të lindur pas Luftës së Dytë, kur dihet se fillon rritja e lindjeve në Shqipëri. Çështja është se pleqëria nuk është më një çështje probabiliteti si para 130 vjetësh, kur filluan pensionet e pleqërisë. Tashmë është bërë një ngjarje e sigurt dhe nuk është e thënë të vazhdojë të zgjidhet me instrumente sigurimi nga një rrezik i mundshëm. Sidoqoftë, cilido qoftë modeli që do të vendosim bashkë me shqiptarët, jemi të bindur se përfitimet do t’i paguajë brezi i atyre që punojnë, qoftë me taksim të përgjithshëm, qoftë me kontribute, qoftë me investime në llogari individuale private. E që këta të mund të paguajnë, duhet të kenë të ardhura. Pra, të kenë punë. Nisur nga të dhënat e fundit rezulton se po rritet numri i personave që nuk kanë vite të plota pune kur dalin në pension dhe se vitet që mungojnë po bëhen gjithnjë e më shumë. Prandaj ne rikofirmojmë propozimin tonë të vitit 2009 se, për çdo shqiptar 75 vjeç pa pension kontributiv, do të japim pension social të paguar nga kontributi i të gjithë shoqërisë.
Çfarë risish ka programi i ri, sa i takon marrëdhënies së qeverisë me biznesin? Cilat propozohen si lehtësira në këtë marrëdhënie?
Përtej propagandës së qeverisë për klimën e shkëlqyer të biznesit, realiteti është shumë i zymtë. Ne e çmojmë kontributin e sipërmarrësve shqiptarë, por edhe investitorëve të huaj, në zhvillimin e vendit. Jemi të vendosur t’i mbështesim.
-Me sistem ligjor dhe rregullator të qëndrueshëm e të hartuar me pjesëmarrjen e tyre. Parashikueshmëria është një nga elementet kryesore të mirëqeverisjes. Qeveria aktuale i ka ndryshuar në 6 vjet, 64 herë 6 ligjet kryesore tatimore.
-Me zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronësisë, të pronarëve të vjetër e të rinj, në qytet e në fshat. Çështje me karakter juridik, social dhe ekonomik. Dua të bëj një nënvizim. Për të dytën herë që po flas për pronën, nuk e kam përdorur termin ish-pronar. Sepse ata nuk janë të tillë dhe kjo është edhe një lloj ndjese për termin e gabuar që kemi përdorur deri tani.
-Me rikthim të transparencës në prokurimet publike dhe ndryshim të procedurave të dhënies së koncesioneve. Prokurimet gjoja elektronike e kanë bërë hermetik procesin. Nuk dihet më se çfarë ofertash paraqiten dhe si bëhet përzgjedhja.
-Me shkallmim të sistemit abuzues të referencave. Referencat ia kanë zënë frymën biznesit. Referenca të numrit të punonjësve, të pagave, të çmimeve të importit, të transaksioneve të patundshmërisë, të çmimeve të mallrave e shërbimeve që shitblihen.
-Me administratë publike në funksion të zhvillimit ekonomik, të qëndrueshme e profesionale.
-Me informacion statistikor të saktë, të bollshëm e të shpejtë, që të ndihmojë sipërmarrjen. Vënie të INSTAT nën varësinë e Kuvendit, për të shmangur keqpërdorimin që qeveria i bën informacionit statistikor.
-Rivendosje të rendit e të sigurisë publike, në mënyrë që prona të mos dëmtohet nga kriminelët dhe liria e sipërmarrjes të mos shantazhohet nga kërcënimet mafioze.
Kjo listë nuk është shteruese dhe do të zgjerohet e detajohet në bashkëbisedim me komunitetin/et e sipërmarrësve. Por të gjithë ne e ndiejmë nevojën e një plani të përgjithshëm kombëtar, që qeveria nuk e miraton dhe e ka shtyrë për pas mandatit aktual. Ne nuk mund të pranojmë që plani i ri të jetë de facto legalizim i zullumeve të familjes politike e biologjike të Saliut. Plani i ri do të jetë udhërrëfyes për këdo investitor, vendës e të huaj, se çfarë lejohet të zhvillohet, ku lejohet të zhvillohet dhe çfarë ka përreth.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura