Benedikti i përlotur, për herë të fundit në Shën Pjetër: S’e braktis Kryqin

Feb 28, 2013 | 13:00
SHPËRNDAJE
Papa në sheshin “Shën Pjetri”, dje gjatë fjalimit të fundit

Papa Benedikti XCVI ka mbajtur dje takimin e fundit i mallëngjyer dhe i përlotur, pasi sot ai tërhiqet zyrtarisht nga detyra si Papë, rasti i parë në rreth 600 vjet, por jo vetëm, tërhiqet edhe nga komunikimi me botën, pasi do të qëndrojë i mbyllur në një ndërtesë brenda Vatikanit. “Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur kaq shumë në këtë takim të fundit timin në pontefikë. Ju falënderoj nga zemra, jam shumë i prekur që e shoh Kishën të gjallëruar dhe besoj se duhet t’i themi krijuesit faleminderit për këtë ditë të bukur në mes të dimrit”. Në mëngjesin e së mërkurës, në sheshin “Shën Pjetri” ishin të pranishëm rreth 200 mijë besimtarë. “Më 19 prill të 2005 mendoja: Zot, çfarë më kërkon? Është një peshë e rëndë ajo që po më vendos mbi supe, por nëse Ti e kërkon, mbi fjalën tënde do të hedh rrjetat dhe Zoti më ka udhëhequr vërtet”, tha Papa, duke iu referuar periudhës tetëvjeçare që qëndroi në detyrë dhe sfidat e vështira me të cilat u përball. “Kisha ka pasur ditë të bukura dhe momente të vështira. Në ato momente dukej se Zoti po flinte. Por, isha i sigurt se ai nuk do ta braktiste kurrë anijen tonë. Zoti nuk e lë të mbytet”, shtoi Benedikti. Gjatë fjalimit ai premtoi se “nuk do ta braktis Kryqin, do të qëndrojë në gardhin e Zotit”. Benedikti XVI kaloi përmes sheshit “Shën Pjetri” për herë të fundit, duke bekuar qindra-mijëra njerëz të pranishëm. “Ju kërkoj të më kujtoni përpara Zotit dhe mbi të gjitha, të luteni për kardinalët dhe për pasardhësin tim. Zoti e shoqëroftë me dritën dhe forcën e shpirtit”, tha Papa. Që sot në orën 20:00, Benedikti zyrtarisht nuk do të jetë më në detyrë, por do të vazhdojë të mbajë titullin “Papa Emeritus”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura