Benanti: Gjermanët e lanë Shkodrën më 29 Nëntor 1944

Nov 30, 2012 | 12:33
SHPËRNDAJE

Botimi/ Çlirimi i Shqipërisë me sytë e mjekut italian.

Në librin “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” dëshmohen ditët e fundit të pushtimit.

Ndërsa debati mbi ditën e çlirimit, 28 apo 29, rizgjohet çdo nëntor dhe kur afrohen festat e mëdha, pozita e opozita festojnë të ndara, vijnë kujtimet e një dëshmitari të kohës. Bëhet fjalë për mjekun italian Franko Benanti, i cili periudhën e pushtimit fashist italian e më pas atë gjerman e ka përjetuar në Shqipëri. Kujtimet e tij mbi këto vite vijnë përmes librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”. Sipas Benantit, gjermanët ikën nga Shkodra në datën 29 Nëntor.  Më 12 nëntor, trupat gjermane braktisën Elbasanin, pasi kishin përqendruar në këtë qytet repartet e fundit të ardhura nga Shqipëria e Jugut dhe nga Jugosllavia, përmes Strugës, si dhe nga Greqia, përmes Korçës. Ato duhej të arrinin forcat e Tiranës për të përparuar pastaj të gjitha së bashku drejt Veriut, përmes Shkodrës e për t’u tërhequr përfundimisht, përmes territorit jugosllav.
Kolonat gjermane që marshonin drejt Tiranës, me të arritur në Qafën e Kërrabës, pësuan një sulm të dhunshëm ajror të realizuar, edhe pse në kushte atmosferike të stërkëqija, nga një skuadrilje gjuajtësish italianë, të dërguar nga komandanti i RAF-it, nënmarshalli Eliot, sipas kërkesës së Misionit Ushtarak Anglez dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Kolonat e motorizuara gjermane u dërmuan nga aviacioni italian. Gjermanët pësuan në këtë sulm ajror 1300 të vdekur. Një pjesë e të mbijetuarve arriti të kapë Tiranën, të tjerët u sulmuan nga partizanët e Brigadës së 15-të dhe u zunë robër. Për aksionin e shkëlqyeshëm, skuadrilja e gjuajtësve italianë mori një lavdërim të nxehtë nga nënmarshalli Eliot. Dy ditë pas çlirimit të Elbasanit, trupat gjermane ua dhanë këmbëve edhe nga Durrësi, i cili u zu nga Brigada e 10-të dhe e 12-të. Ndërkohë, prej disa javësh kishte nisur beteja për çlirimin e Tiranës, plani i së cilës ishte studiuar nga kreu i Misionit Ushtarak Jugosllav, Stojniç dhe nga Vojo Todoroviç. Ky i fundit i transmetoi verbalisht Brigadës së parë, asaj të 4-t, të 8-të e të 10-të urdhrin për sulmin në kryeqytet. Por, dy të fundit arritën me një vonesë të ndjeshme në zonën e operacionit, kështu që gjermanëve iu bë më e lehtë tërheqja.
Qysh nga 30 tetori, trupat gjermane kishin zbrazur pjesën lindore të Tiranës. Në të njëjtën ditë që ndodhi kjo repartet e Brigadës së I-rë e të 4-t hynë në qytet, duke shtënë në dorë zonën e lënë të lirë nga armiku e duke filluar një seri sulmesh. Brigada e I-rë zuri kazermat e Xhenios dhe përparoi në drejtim të Spitalit Civil, të Pazarit të Ri e të Xhamisë së Vjetër. Brigada e 4-t që kishte zënë pozicion në afërsi të Pallatit Mbretëror dhe në kazermat “Shkumbini”, për shkak të kundërsulmeve të forta gjermane, nuk mundi të mbajë këto pozicione. Partizanët qenë të shtrënguar të ndërtonin barrikada në rrugë dhe hendeqe kundërtanke për t’u mbrojtur nga një kërcënim serioz rrethimi. Mbërritja e brigadave të 8-të e të 10-të nuk e ndryshoi situatën. Shqiptarët nuk mundën të kryenin detyrën e caktuar nga jugosllavët e që ishte ajo e mbylljes së rrugës së tërheqjes së armikut.
Më 15 nëntor, gjermanët u larguan në masë nga kryeqyteti, duke lënë në një fortino të sajuar në sheshin “Skënderbej” një ushtar të vetëm, të pajisur me një mitraloz dhe me kaseta të shumta me municion. Ushtari gjerman i qëndroi i vetëm për 36 orë sulmit të katër brigadave partizane. Në fund, si mbaroi të gjithë municionin, vrau veten.
Kështu, më 17 nëntor, Tirana u çlirua. Kolonat gjermane u tërhoqën në drejtim të Shkodrës. Brigada e 17-të shqiptare dhe ajo e 24-t dështuan plotësisht në detyrën e tyre, që ishte ajo e bllokimit të komunikacionit midis Tiranës dhe Shkodrës. Një mossukses i njëjtë i kishte takuar më parë edhe Brigadës së 11-të e të 12-të, që operonin në rrugën Tiranë-Durrës. Vetëm Brigada e 15-të kishte arritur një sukses të dukshëm në rrugën Elbasan-Tiranë, falë, siç thamë më sipër, ndërhyrjes ajrore për të cilën kemi folur. Humbjet partizane në betejën e Tiranës arritën në 126 të vrarë dhe rreth 300 të plagosur.
Lipset për së fundi të nënvizojmë sadopak qëndrimin e italianëve gjatë luftës për çlirimin e kryeqytetit. Batalioni “Gramshi” mori pjesë në luftime së bashku me Brigadën e 1-rë, duke u vendosur në afërsitë e stacionit të radios e përgjatë rrugës për Shkodër dhe duke u shkaktuar humbje kolonave armike në tërheqje. Bateritë e artilerisë së “Firences” qëlluan dhe dogjën dy tanke dhe nja njëzetë automjete. Jo më pak i çmueshëm qe bashkëpunimi i dhënë partizanëve nga ana e civilëve italianë me banim në kryeqytet. Shumë prej atyre që gjendeshin në zonën ende në dorë të gjermanëve u mblodhën midis mureve të Bankës Kombëtare Shqiptare, pranë shtëpisë më të rëndësishme të tregtisë italiane dhe në institutet fetare, duke vendosur kontakte me italianët e zonës së liruar. Këta të fundit u vunë në dispozicion të komandave partizane dhe u organizuan në seksione, nën drejtimin e inxhinierëve e të oficerëve. Nën zjarrin e luftës ata bashkëpunuan në ndërtimin e barrikadave, në pengesat antitanke e punët e tjera të luftës. Një detashment zjarrfikësish italianë iu bashkua partizanëve të batalionit “Gramshi”. Në të njëjtën kohë, i tërë personeli italian i spitaleve civile e ushtarake (mjekë oficerë, infermierë, vullnetarë të Kryqit të Kuq, motra të Karitasit) iu përkushtua me vetëmohim punës për ndihmën e shpejtë dhe kurimin e të plagosurve.
Në betejën e Tiranës italianët dhanë edhe një kontribut të çmueshëm gjaku, të përfaqësuar nga 35 të rënë dhe nja 100 të plagosur. Midis të rënëve qe majori bersajlier Masimo De Anxhelis. Midis të plagosurve lipset të përmendet ati jezuit Xhovani Fausti, i qëlluar nga gjermanët në çastin kur, bashkë me fetarë të tjerë, përpiqej të shmangte nga reprezalja e egër e nazistëve një grup të madh shqiptarësh e italianësh që kishin kërkuar strehim në një kishë. Do të kemi rastin të flasim më tej për këtë përfaqësues tepër të denjë fetar, kur të bëjmë fjalë për persekutimet anti-italiane e anti-katolike të qeverisë së re shqiptare. At Fausti u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 1946, nën akuzën e rremë të konspiracionit dhe të veprimtarisë terroriste kundër shtetit.
Më 29 nëntor, trupat gjermane lanë qytetin e fundit shqiptar, Shkodrën. Me zmbrapsjen e sulmeve të Brigadës së 17-të, të 24-t e të 6-të përgjatë rrugës Shkodër-Koplik, gjermanët kaluan në territorin jugosllav, duke bërë pushim në Podgoricë. Një numër nacionalistësh shqiptarë të Ballit Kombëtar dhe të Legalitetit ndoqën kolonat gjermane në tërheqje dhe shkuan me ta në Gjermani. Më parë, gati të gjithë anëtarët aktivë të partive antikomuniste kishin parapëlqyer të emigronin dhe qenë imbarkuar në anijet angleze për në Itali, ku më vonë themeluan Qeverinë Shqiptare në Mërgim. Gjithashtu, disa prej tyre nuk deshën të braktisnin vendin dhe dolën në male, me qëllim që të vijonin luftën kundër regjimit komunist.
Në fund të nëntorit, pas çlirimit të plotë të Shqipërisë, Komanda Supreme Shqiptare, me kërkesë të asaj titiste, dërgoi në tokën jugosllave divizionin e 5-të e të 6-të (të krijuara kohët e fundit) për të ndihmuar në realizimin e planit për rrethimin e divizioneve gjermane të gruparmatës E. Dy divizionet shqiptare u rreshtuan në afërsi të Veternikut, në veri të Podgoricës. Njësitë gjermane që ishin të përqendruara në këtë qytet, pasi qenë përpjekur më kot të hapnin një shteg në rrethimin e Korparmatës së 2-të jugosllave, u mëshuan divizioneve shqiptare dhe, duke shprishur formacionet e tyre, çanë sektorin në afërsi të Verushit.
Në shkurt 1945, mbetjet e dy divizioneve shqiptare u kthyen në Shqipëri. Divizioni i 5-të, në të cilin shërbente kohët e fundit Euxhenio Kondoreli, u çua më parë në Kosovë dhe pastaj zbriti në Jug, përgjatë kufirit jugosllavo-shqiptar deri në zonën e Ohrit. Nga fundi i po këtij muaji, batalioni “Gramshi”, duke mbledhur një numër partizanësh italianë të shpërndarë në brigada të ndryshme shqiptare, u transformua në një brigadë me më se 2000 veta, së cilës iu bashkuan edhe dy bateri artilerie. Brigadës iu ngarkua detyra të veprojë në kufirin me Malin e Zi. Më vonë, për shkak të fluksit të mëtejshëm të partizanëve italianë, brigada arriti efektivin numerik të një divizioni dhe u kthye në atdhe me det me të gjitha armët e saj, e ndarë në dy skalione, i pari i të cilëve u nis më 3 maj 1945.
Me mbarimin e operacioneve luftarake në Ballkan, Komanda Supreme Shqiptare bëri të njohura humbjet e përgjithshme të pësuara në armatën e çlirimit: 28 mijë të vrarë, 63 mijë të plagosur, 6200 të vdekur nga ngrirja. Këto shifra i përkisnin vetëm humbjeve ushtarake, pa marrë në konsideratë ato të popullatës civile.
(Fragment nga libri me kujtime “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La guerra più lunga: Albania 1943-1948”), me autor Franko Benantin, i botuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Naimi”)

Kush ishte Franko Benanti
Franko Benanti (1913-1987), autori i librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, botuar e ribotuar disa herë në vendin e tij, në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”, është një prej dëshmitarëve të paktë të Luftës dhe të Pasluftës Antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948, ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, autori i librit shërbeu si mjek në spitalet partizane e vitet e fundit si “plaçkë lufte”.
Pikërisht për shkak të profesionit, pra, duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në Jug të vendit, Benanti do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Hoxhën, Shehun, Kapon, N. Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura