BE rivendos kontrollin e përkohshëm të kufijve të brendshëm në “Shengen”

May 31, 2013 | 12:43
SHPËRNDAJE

Liderët europianë kanë arritur një marrëveshje të re për ndryshimet e rregullores në zonën “Shengen”, duke rikthyer, kur të vendosin e në mënyrë të paparalajmëruar, kontrollin e përkohshëm në kufijtë e brendshëm të BE-së. Periudha të tilla “të jashtëzakonshme” do të zgjasin nga dhjetë ditë deri në dy muaj, në varësi të vlerësimeve të situatës nga një mekanizëm i ri europian. E ashtuquajtura “Paketa e qeverisjes së Shengenit”, ka të bëjë me dy çështje kryesore: e para është themelimi i një mekanizmi për të vlerësuar situata kritike në “Shengen”, me bazë në BE, dhe e dyta ka lidhje me Kodin e Kufijve të Shengenit për të vendosur kontrollin kufitar në kufijtë e brendshëm të BE-së, në raste të veçanta. Raportuesi i vlerësimit të mekanizmit të ri të zonës “Shengen”, Karlos Koelho, komentoi se “Parlamenti Europian edhe një herë e riafirmoi prioritetin e lëvizjes së lirë brenda zonës ‘Shengen’, ndërkohë që riforcon edhe sigurinë e qytetarëve. Tani ne kemi një sistem origjinal që do të mbështetet në vigjilencën e Komisionit Europian, të drejtën e inspektorëve të bëjnë vizita të palajmëruara në kufijtë e brendshëm, ndihmën e agjencive të specializuara si FRONTEX, marrjen e informacionit dhe kontrollet në mënyrë demokratike nga Parlamenti Europian”. Ndërsa komisionerja europiane për Drejtësi, Cecilia Malmstrom, e mirëpriti marrëveshjen duke komentuar se: “Ky sistem i vërtetë evropian, i koordinuar nga Komisioni, do të na lejojë të monitorojmë me efikasitet situatën në kufijtë tanë, të reagojmë dhe të sigurojmë mbështetjen e duhur për të rikuperuar dobësitë. Komisioni do të ndërhyjë në raste abuzimi të rregullores ‘Shengen’”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura