BATUTAT E FORTA/ Patozi: Spoti i LSI për votat njësoj sikur Blater të denoncojë korrupsionin në FIFA. Meta: Mos u viktimizo

Jun 11, 2015 | 22:02
SHPËRNDAJE

Për të dytën seancë me radhë Astrit Patozi replikën ashpër me Ilir Metën për manipulimimin e zgjedhjeve të 21 qershorit.


Nga foltorja e Kuvendit, Patozi tha se është ironi e madhe ai spot i bërë nga LSI-ja për blerjen e votave. Duke bërë një krahasim deputeti i PD-së tha se është njësoj sikur ISIS ti kërkojë botës të ruhet nga terrorizmi.

Në përgjigje të akuzave të Patozit, kreu i Kuvendit tha se pas këtij spoti kanë ardhur edhe denoncimet e para për Vorën ku janë shtuar 600 vetë në listat e votimit për zgjedhjet e 21 qershorit.

Debati në Kuvend

Astrit Patozi: Dje, LSI-ja shfaqi një spot publicitar kundër shitjes së votës. Ky spot, është njësoj sikurse ISIS t’i kërkojë botës që të ruhet nga terrorizmi, apo sikur Sepp Blatter të dënojë korrupsionin në FIFA. Mund të gjej edhe shumë krahasime të tjera, por më e rëndësishmja është se ai spot duhet të ndalet. Dikush mund të thotë me të drejtë se kush jam unë që ta bëj këtë. Dakord jam. Por po këmbëngul sepse ai spot shkon përtej çdo cinizmi. Është poshtërues për këtë Parlament dhe për votuesit shqiptarë. Kjo nuk është poshtërim për opozitën, por për çdokënd që beson në vlerat reale. Është një thirrje për këtë Parlament. Por po i drejtohem kolegëve të mi të shumicës, që në pamje të parë kanë shumë gjëra në dorë, por s’kanë asgjë. Ne duhet të reagojmë ndaj kësaj sëmundjeje. Dhe as rezultatin të deformuar, nga ata që kanë bërë spotin. Kurrë mos besoni se jeni bërë të pathyeshëm se keni blerë të gjitha pushtetet. Qeveritë këtu kanë rënë kur i kanë patur të gjitha. 

Ilir Meta: Meqenëse këtu paska rënë një sëmundje e rrezikshme ku dikush përpiqet të paraqesë veten si viktimë se kryetari i Parlamentit ka kaq frikë nga fjala e tij që të fusë një reklamë që të mos dëgjohet, e ftoj të flas sa herë të dojë.

Ai spot nuk ndalon dhe ai spot nuk është thjesht që qytetarët shqiprtarë të mos shesin votën, por të denoncojnë cilido të blejë votën e tyre. Juve u dhemb shumë ai spot se ju për zgjedhjet më të mira mbani ato të 1996. Si modelin më të mirë të standartdit të zgjedhjeve keni standardin e Fiqos në Vorë. Pas atij spoti kanë filluar denoncimet dhe media po paraqet se si në mënyrë mafioze janë shtuar 600 vetë në Vorë.

Spo hyj këtu te modeli i miellit që shpërndahet dhe kapet. Këto janë histori të tjera. Për pretendimet për kontrolle të qëllimshme shpresoj ti ketë thënë Fiqo që i ka parë dokumentet nga ministri i Bujqësisë. Jeni mësuar të gënjeni dhe të shpifni. Për ju personalisht mendoja që kishit një shkallë integriteti. S’mbaj përgjegjësi unë që ju gjithë javën bëni plazh dhe vini të enjten këtu dhe flisni për manipulime.

Astrit Patozi:  U shpëndave shumë dhe trajtove shumë problematika. Lidhur me zgjedhjet e 1996 nuk jam nga ata pavarësisht që i përkas PD, që i mbaj si zgjedhjet më të mira në Shqipëri. Në 1996 kemi qenë duke bashkëpunuar në atë kohë për të spinuar Nanon. Kemi qenë edhe para 3 vjetësh për të bërë copë Edi Ramën. Ndoshta do bashkëpunojmë prapë. Unë te PD do jem gjithmonë. Ti përmende vorën, atje të shkoi gjuha.

Ilir Meta: Ti Vorën do humbasësh.

Astrit Patozi: Unë nuk bie në nivelin tënd që shkon lart e poshtë me fotografi mielli.

Ilir Meta: Nuk ke pse nxehesh. Merre me qetësi dhe dashuri. Nuk ke pse shpif.

Astrit Patozi: Me qetësi dhe dashuri çoje deri në fund edhe një vit. Të kanë rënë të dy degët e sloganit, edhe qetësia edhe dashuria.

Ilir Meta: Do ti kem në konsideratë këshillat tuaja dhe ju ftoj të bashkëpunojmë me standardet e zgjedhjeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura